BE dorëzon skanerin CT për diagnostikimin e COVID-19 në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”

10.03.2021

Tiranë, 10 mars 2020 - Mbështetja emergjente e BE-së për parandalimin dhe trajtimin e COVID-19 në Shqipëri - Programi EU4Health (4.2 milionë euro) - përfundoi sot me sukses me dorëzimin e skanerit CT (tomografi e kompjuterizuar) për Spitalin Universitar “Nënë Tereza”.

Në prani të Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca dhe ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kjo pajisje e përparuar u dorëzua në Departamentin e Radiologjisë të Spitalit Universitar “Nënë Tereza”, së bashku me pajisje tepër të sofistikuara për zbulimin e insuficiencave kardiake.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca shprehu vlerësimin për të gjithë mjekët dhe infermierët e katër strukturave COVID-19 në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan, si dhe për epidemiologët, biologët dhe studiuesit e Institutit të Shëndetit Publik për punën e tyre të vështirë në këtë luftë kundër shpërthimit të pandemisë. “Jam krenar që BE-ja mund të jetë përkrah jush. Këto janë kohë shumë të vështira në të gjitha vendet e botës, sigurisht edhe në BE. Edhe në këto kohë të vështira, BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj e kanë mbajtur angazhimin dhe mbështetjen e tyre për Shqipërinë, dhe ky dhurim është shembulli konkret i kësaj lidhjeje të fortë. Ndërsa kjo kontratë përfundon sot, BE-ja do të vazhdojë të jetë përkrah Shqipërisë me ndërhyrje të tjera thelbësore kundër pandemisë, përfshi vaksinat”.

Skaneri CT është thelbësor si për parandalimin ashtu edhe për luftën kundër COVID 19. Ai do të mundësojë kontrollin e gjendjes së pacientëve të shtruar në spital me COVID 19 dhe do të mbështetë diagnostikimin dhe testimin laboratorik.

EU4Health

Që prej fillimit të tij në prill 2020, Programi EU4Health, i zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Projekte dhe Shërbime (UNOPS) në emër të BE-së, siguroi prokurimin e pajisjeve dhe aparaturave mjekësore të specializuara për parandalimin dhe trajtimin e COVID-19 në Shqipëri. Ato kanë përfshirë 5 autoambulanca mjekësore plotësisht të pajisura, 100 shtretër për repartet e kujdesit intensiv (ICU), 30 ventilatorë të palëvizshëm dhe 50 portativë, 30 elektrokardiograme portative, 20 elektrokardiograme të palëvizshme, 10 ekografë të palëvizshëm dhe 10 portativë me rrota, si dhe 2 aparatura digjitale të lëvizshme me rreze X. Për më tepër, në fillim të vitit 2021, në mënyrë që të reduktohet pragu i infeksionit dhe të sigurohet frenimi, autoriteteve shëndetësore shqiptare iu ofruan 38.000 teste të shpejta me antigjen, krahas pothuajse 40.000 testeve PCR të dhëna në gjysmën e dytë të vitit 2020. Instalimi i skanerit CT vjen pas përditësimit, të financuar nga BE-ja, të pajisjeve të sallës CT për të garantuar që të gjitha kërkesat janë plotësuar për funksionimin e sigurt të pajisjes dhe për mbrojtjen radiologjike, si të pacientëve ashtu dhe të personelit mjekësor.

Albania covid fight

 

BE-ja do të investojë më tej për parandalimin dhe luftën kundër COVID 19, duke përfshirë mbështetjen e ardhjes së vaksinave në vend, por gjithashtu duke forcuar rezistencën e sistemit shëndetësor shqiptar ndaj goditjeve të brendshme dhe të jashtme, si dhe duke e bërë atë më efektiv, më efikas dhe gjithëpërfshirës.

Për më shumë informacion në lidhje me zbatimin e mbështetjes së BE-së për sektorin shëndetësor në Shqipëri, ju lutemi vizitoni: https://eeas.europa.eu/delegations/albania/area/press_en