BE-ja dhe Bashkia e Shkodrës përurojnë Qendrën Komunitare Multifunksionale në qytetin e Shkodrës

Dje, BE-ja dhe Bashkia e Shkodrës përuruan Qendrën Komunitare Multifunksionale “Xixëllonjat” të sapo rinovuar.

Qendra e re Multifunksionale do të ofrojë shërbime për 2.600 qytetarë të Bashkisë së Shkodrës. Ajo përfshin një qendër rinore dhe të moshuarish, një qendër të kujdesit shëndetësor, si dhe një çerdhe e një kopsht fëmijësh me kapacitet për t'u shërbyer 150 fëmijëve dhe familjeve përfituese.

Hapësirat e përbashkëta të rinovuara të Qendrës, duke përfshirë sipërfaqen e gjelbër jashtë dhe këndin e lojërave, synojnë të nxisin përfshirjen sociale, pjesëmarrjen qytetare dhe të të rinjve në programet dhe partneritetet e zhvillimit. Kostoja totale e rinovimeve ishte mbi 195.000 Euro, ku kontributi i BE-së mbulonte afërsisht 90% të kostove (176.225 Euro).

BE-ja qëndron në krah të qytetarëve të Shkodrës. Kjo Qendër Multifunksionale do të ofrojë hapësira të rinovuara dhe shërbime për komunitetin vendor, nga më të rinjtë te më të moshuarit. Mbështetja e potencialit zhvillimor të bashkive është një prioritet i BE-së, veçanërisht tani që Shqipëria po hyn në fazën e përshpejtimit të procesit të integrimit dhe anëtarësimit në BE”, tha z. Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit.

Ky rinovim është pjesë e programit të BE-së “BE për bashkitë”, i cili mbështet zhvillimin e bashkive shqiptare që punojnë për të nxitur përfshirjen sociale dhe mirëqenien. Në kuadër të këtij programi, 19 bashki përfitojnë nga fondet e BE-së me vlerë totale prej 1.7 milionë Euro.

Inauguration of the multifunctional centre in Shkodra, Albania

Informacion plotësues

Rreth Bashkimit Evropian në Shqipëri

Bashkimi Evropian është partneri më i fortë i zhvillimit të Shqipërisë, duke ofruar mbi 100 milionë Euro në vit asistencë grantesh për të mbështetur popullin shqiptar dhe për ta ndihmuar Shqipërinë të miratojë dhe zbatojë reformat kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së, si dhe për t'u përafruar në mënyrë progresive me rregullat e saj.

Informacione të mëtejshme mbi projektet e financuara nga BE-ja në Shqipëri dhe bashkëpunimin BE-Shqipëri mund të gjenden në https://www.eeas.europa.eu/delegations/albania_en.

“BE për Bashkitë” është një program i financuar nga Bashkimi Evropian, i cili synon të mbështesë potencialin e zhvillimit të bashkive dhe të përmirësojë kushtet socio-ekonomike dhe mjedisore të komuniteteve vendore në Shqipëri. Programi synon të trajtojë problemet kryesore që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe perspektivat ekonomike të komuniteteve vendore, duke i përafruar ato me standardet evropiane.

Bashkitë dhe pushtetet vendore kanë një rol kyç në kontributin për procesin e integrimit në BE. Është prioritet i BE-së të mbështesë qeveritë vendore, duke kontribuar për përmirësimin e infrastrukturës vendore dhe cilësisë së shërbimeve publike, si dhe duke forcuar kapacitetet dhe burimet në dispozicion të bashkive për t'i mundësuar ato të zbatojnë planet dhe strategjitë e tyre, si dhe të trajtojnë problemet themelore që ndikojnë në cilësinë e jetës së komuniteteve vendore.

Më shumë për programin:  https://eu4municipalities.al/