BE-ja jep 90 milionë euro ndihmë makro-financiare për Shqipërinë për të trajtuar pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19

05.11.2021

Komisioni Evropian, në emër të BE-së, ka dhënë sot 90 milionë euro ndihmë makro-financiare (NMF) për Shqipërinë. Kjo pagesë është pjesë e paketës NMF të emergjencës prej 3 miliardë euro për partnerët e zgjerimit dhe fqinjësisë, e cila synon t'i ndihmojë ata të kufizojnë pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19. Programi është një demonstrim konkret i solidaritetit të BE-së me partnerët e saj, për t’i ndihmuar ata që t’i përgjigjen ndikimit ekonomik të pandemisë COVID-19.  

Paolo Gentiloni, Komisioner për Ekonominë, tha: “Jam shumë i kënaqur që shoh këto fonde të shkojnë sot në Shqipëri. Ky disbursim është një demonstrim i solidaritetit të BE-së me popullin shqiptar, por edhe i angazhimit të Shqipërisë për të përmbushur agjendën e rëndësishme të reformave të rënë dakord me Komisionin Evropian.” 

Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca tha: “E përgëzoj Shqipërinë për përmbushjen me sukses të kushteve për Asistencën Makro-Financiare të BE-së për një program mbështetjeje prej 180 milionë eurosh. BE-ja mbështet “Qeverisjen Ekonomike për Rimëkëmbjen Ekonomike”. Ne e inkurajojmë Shqipërinë të ruajë besueshmërinë dhe llogaridhënien e saj ndaj institucioneve të BE-së dhe të çojë përpara zbatimin e reformave që janë thelbësore për qytetarët shqiptarë.” 

Pagesa e parë prej 90 milionë eurosh për Shqipërinë në kuadër të këtij programi NMF u krye në mars 2021. Shqipëria ka përmbushur kushtet e politikës të vendosura me BE-në për dhënien e kësaj pagese të dytë dhe të fundit prej 90 milionë eurosh në kuadër të programit NMF COVID-19. Këtu përfshihen masa të rëndësishme për forcimin e financave publike dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, përmirësimin e qeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe rritjen e mbrojtjes sociale. 

Gjithashtu, Shqipëria vazhdon të përmbushë parakushtet për dhënien e NMF-së për sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut dhe mekanizmave efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumëpartiak dhe shtetin e së drejtës. 

Me disbursimin e sotëm, BE-ja ka përfunduar tetë nga 10 programet NMF të paketës NMF prej 3 miliardë eurosh për COVID-19 dhe ka derdhur këstet e para për të gjithë partnerët. 

Komisioni vazhdon të punojë ngushtësisht me gjithë partnerët e tij në NMF për zbatimin në kohë të programeve të dakorduara të politikave.  

 

Konteksti  

NMF është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së me partnerët e fqinjësisë dhe zgjerimit dhe synon të jetë një instrument i jashtëzakonshëm reagimi ndaj krizave. NMF është në dispozicion të partnerëve të zgjerimit dhe fqinjësisë së BE-së që përjetojnë probleme të rënda të bilancit të pagesave. Ajo demonstron solidaritetin e BE-së me këta partnerë dhe mbështetjen e politikave efektive në një kohë krize të paprecedent. 

Vendimi për t'i dhënë ndihmë makro-financiare dhjetë partnerëve të zgjerimit dhe fqinjësisë në kontekstin e pandemisë COVID-19 u propozua nga Komisioni më 22 prill 2020 dhe u miratua nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli më 25 maj 2020. 

Përveç NMF-së, BE-ja mbështet partnerët në politikën e saj të fqinjësisë dhe Ballkanin Perëndimor përmes asistencës dypalëshe dhe rajonale, programeve tematike, ndihmës humanitare, duke kombinuar lehtësitë dhe garancitë nga Fondi Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm (EFSD dhe EFSD+) për të mbështetur investimet në sektorët më të prekur nga pandemia e koronavirusit. 

 

Marrëdhëniet BE-Shqipëri 

Shqipëria është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Më 25 mars 2020, Këshilli vendosi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, vendim i miratuar nga anëtarët e Këshillit Evropian. Pavarësisht sfidave të paraqitura nga pandemia COVID-19, Shqipëria ka vazhduar të tregojë angazhimin e saj ndaj reformave të orientuara drejt BE-së dhe ka dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme. Ajo ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të marsit 2020 për Konferencën e parë Ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit. 

BE-ja është donatori më i madh i Shqipërisë. BE-ja ka ofruar ndihmë financiare për Shqipërinë në kuadrin e Instrumentit të Asistencës para Anëtarësimit (IPA) për periudhën 2007-2013 me një shumë totale prej 594 milionë eurosh. Në kuadër të programit IPA II (2014-2020), Shqipëria përfitoi nga mbështetja për investimet, ngritjen e kapaciteteve dhe reformat në sektorët e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe qeverisjes, konkurrencës dhe inovacionit, bujqësisë dhe zhvillimit rural, transportit, mjedisit, arsimit, punësimit dhe sektorëve socialë. Shuma e përgjithshme në kuadër të programit IPA II arrin në 758.1 milionë euro. Kjo përfshin shpërblimet e performancës, si dhe 115 milionë euro që u mobilizuan për të mbështetur rimëkëmbjen pas tërmetit të vitit 2019. Zarfi indikativ dypalësh për Shqipërinë në kuadër të programit IPA 2021 është 70.4 milionë euro. 

Programi i ndihmës makro-financiare për COVID-19 për Shqipërinë është pjesë e një përpjekjeje gjithëpërfshirëse të BE-së për të ndihmuar në zbutjen e ndikimit ekonomik dhe social të pandemisë dhe për të përshpejtuar rimëkëmbjen. Ky angazhim është në përputhje me Marrëveshjen e Stabilitetit dhe Asociimit BE-Shqipëri dhe me mbështetjen e përgjithshme të “Ekipit Evropa”, që bazohet te përpjekjet e përbashkëta të Shteteve Anëtare të BE-së. Ndër të tjera, Shqipëria ishte një nga vendet e para që përfitoi nga mekanizmi i BE-së për ndarjen e vaksinave, duke kontribuar bashkërisht me mbi 600.000 doza vaksinash kundër COVID-19 në Shqipëri, nëpërmjet donacioneve, rishitjeve në kuadrin e një granti IPA dhe nëpërmjet strukturës COVAX që ka siguruar mbi 140.000 doza të tjera. 

 

Për më shumë informacion 

Ndihma Makro-Financiare  

COVID-19: Komisioni propozon një paketë ndihme makro-financiare prej 3 miliardë eurosh për të mbështetur dhjetë vende fqinjë  

Vendimi i Parlamentit Evropian dhe Këshillit për sigurimin e ndihmës makro‐financiare për partnerët e zgjerimit dhe fqinjësisë në kontekstin e pandemisë COVID‐19  

BE jep 90 milionë euro ndihmë makro-financiare për Shqipërinë