BE-ja në Shqipëri nis fushatën “Mbro natyrën, sa je në kohë”
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri prezantoi fushatën “Mbro natyrën, sa je në kohë”, që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes së kafshëve, bimëve dhe pasurive natyrore të vendit, në përputhje me ligjet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
Shqipëria renditet mes vendeve me biodiversitetin më të pasur në Evropë, megjithatë ndërgjegjësimi për biodiversitetin dhe zonat e mbrojtura (Natura 2000) mbetet i kufizuar. Ndërsa vendi përparon në procesin e anëtarësimit në BE, në kuadër të Kapitullit 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike, informimi publik dhe angazhimi i qytetarëve për mbrojtjen e natyrës janë kthyer në një prioritet kyç.
Aktiviteti i parë i kësaj fushate bëri bashkë përfaqësues të institucioneve shtetërore, Delegacionit të BE-së, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, akademisë dhe medias për të diskutuar gjetjet e një sondazhi kombëtar mbi qëndrimet ndaj mbrojtjes së mjedisit. Diskutimi u përqendrua gjithashtu te roli i informacionit dhe komunikimit në mbështetje të mbrojtjes së biodiversitetit, në përputhje me standardet mjedisore të BE-së në kuadër të Kapitullit 27, me synim përmirësimin e shëndetit publik, nxitjen e një ekonomie më të qëndrueshme dhe uljen e efekteve negative të ndryshimeve klimatike.
Teksa prezantoi fushatën e ardhshme “Mbro natyrën, sa je në kohë”, Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së, tha se mbrojtja e biodiversitetit është thelbësore për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe kërkon angazhim nga të gjithë aktorët.
“Anketa tregon se qytetarët janë të gatshëm të veprojnë dhe fushata jonë do të fokusohet te të rinjtë dhe shkollat, për ta kthyer këtë ndërgjegjësim në veprim konkret” – u shpreh Heikkinen.
Sondazhi kombëtar mbi qëndrimet ndaj mbrojtjes së mjedisit
Një sondazh kombëtar, i realizuar me mbështetjen e BE-së në Shqipëri dhe i zhvilluar nga Data Centre në shkurt 2026, tregon se në Shqipëri ekziston ende një hendek i dukshëm mes shqetësimit për mjedisin, ndërgjegjësimit dhe sjelljeve të përditshme. Vetëm 24% e qytetarëve thonë se janë të njohur me konceptin e biodiversitetit. Megjithatë, pasi ky koncept u shpjegohet, shqetësimi rritet ndjeshëm dhe 68% shprehen të shqetësuar për dëmtimin e biodiversitetit në Shqipëri. Njohja e koncepteve më të gjera mjedisore mbetet gjithashtu e kufizuar, me vetëm 33% e të anketuarve deklarojnë se kanë dëgjuar për termin ekonomi qarkulluese.
Në të njëjtën kohë, edhe pse vetëm 5% e familjeve i ndajnë aktualisht mbetjet, 92% thonë se do ta bënin këtë nëse do të kishin në dispozicion sistemet e duhura. Kjo tregon se pengesa kryesore nuk lidhet me mungesën e vullnetit, por me mungesën e infrastrukturës së nevojshme. Shqetësimi për çështjet mjedisore është i lartë: 66% e qytetarëve e konsiderojnë ndotjen e ujit një problem serioz, 64% rendisin ndotjen nga plastika dhe 63% ndotjen nga mbetjet.
Mbështetja publike për përafrimin me standardet mjedisore të BE-së mbetet e lartë me 81% e të anketuarve që e shohin këtë si përfitim të përgjithshëm. Megjithatë, ndërgjegjësimi mbi projektet mjedisore të financuara nga BE-ja mbetet i ulët, në nivelin 22%. Në tërësi, gjetjet tregojnë se qytetarët janë të gatshëm të veprojnë, por kanë nevojë për më shumë informacion, sisteme më të forta dhe shërbime më të mira, në mënyrë që kjo gatishmëri të përkthehet në ndryshim të qëndrueshëm të sjelljes.
Fushata e komunikimit “Mbro natyrën, sa je në kohë”
Kjo fushatë kombëtare, e financuar nga Bashkimi Evropian, synon të rrisë ndërgjegjësimin për biodiversitetin dhe mbrojtjen e natyrës në Shqipëri, me fokus te speciet e mbrojtura, zonat e mbrojtura dhe sitet Natura 2000, duke promovuar njëkohësisht sjellje të përgjegjshme ndaj mjedisit.
Nga prilli deri në qershor 2026, fushata përfshin një komponent të fortë edukues. Në mbarë vendin do të zhvillohen aktivitete në shkolla me rastin e Ditës së Tokës (22 prill) dhe do të shpërndahen materiale të posaçme edukative, përfshirë një libër me ilustrime, një broshurë mbi zonat e mbrojtura dhe një fletore edukative. Përmes rrjeteve sociale, kuize, lojëra ndërvepruese dhe dhurata simbolike do të angazhojnë më tej të rinjtë në këtë fushatë.
Në maj, në televizionet kombëtare do të transmetohet një spot ndërgjegjësues, i shoqëruar me video kushtuar specieve dhe zonave të mbrojtura, që do të shfaqen edhe në billborde dhe ekrane LED në qytete. Përvoja digjitale me realitet të shtuar (AR) dhe materiale 3D që vënë në qendër speciet endemike do t’u ofrojnë të rinjve forma më interaktive dhe tërheqëse për t’u njohur me natyrën. Një faqe e dedikuar online do të ofrojë informacion, si edhe këshilla praktike se si secili prej nesh mund të kontribuojë në mbrojtjen e natyrës, sa ende kemi kohë.
Fushata po zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Arsimit dhe Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, në kuadër të projektit EU4GreenGen, të financuar nga Bashkimi Evropian.
Gjatë dekadës së fundit, Bashkimi Evropian ka investuar më shumë se 280 milionë evro në sektorët e mjedisit, ujit dhe klimës në Shqipëri, si donatori më i madh i vendit në këtë fushë.
#natyrajonë #përgjegjësiajonë #mbronatyrën