BE-ja prezanton një projekt të ri: BE për Ekonominë Qarkulluese
Me synimin për të çuar përpara qëndrueshmërinë mjedisore të Shqipërisë, Bashkimi Evropian dhe Agjencia Franceze e Zhvillimit prezantuan të hënën, më 25 shtator, projektin "BE-ja për Ekonominë Qarkulluese dhe Rritjen e Gjelbër - Infrastruktura e Mbetjeve në Shqipëri". Granti i BE-së, i cili arrin në 19 milionë Euro, do të zbatohet nga AFD-ja.
Objektivi i projektit është të trajtojë pasojat e dëmshme mjedisore dhe shëndetësore që vijnë nga mbetjet e ngurta në rajonet e Kukësit dhe Gjirokastrës. Ai synon të rrisë cilësinë e jetës për 190.000 banorë në qarkun e Kukësit dhe Gjirokastrës.
Në një ceremoni të përbashkët, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit znj. Mirela Kumbaro, Ministri i Deleguar francez përgjegjës për Tregtinë e Jashtme, Atraktivitetin Ekonomik dhe Shtetasit Francezë Jashtë Vendit z. Olivier Becht, Ambasadorja franceze në Shqipëri znj. Catherine Suard, Ambasadori Luigi Soreca, I Ngarkuar me Punë a.i. në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, si dhe Drejtori i AFD-së për Rajonin e Ballkanit Perëndimor z. Arnaud Dauphin, prezantuan zyrtarisht projektin e ri.
I Ngarkuari me Punë, Ambasadori Luigi Soreca, theksoi: “Mbrojtja e mjedisit është një prioritet kryesor për BE-në dhe jam shumë i lumtur të prezantoj programin e parë të ekonomisë qarkulluese të BE-së në rajon. Tani që kemi hyrë në procesin e negociatave të anëtarësimit, Shqipërisë do t'i duhet të përshpejtojë ndjeshëm të gjitha përpjekjet për zbatimin e standardeve mjedisore të BE-së dhe ky është gjithashtu një nga objektivat e këtij projekti”.
Aktivitetet e projektit përfshijnë një sërë strategjish, të tilla si intensifikimi i nismave të riciklimit për të pakësuar vëllimet e mbetjeve dhe ndërtimi i objekteve dhe landfilleve bashkëkohore të mbetjeve në përputhje me standardet e BE-së. Këto masa janë krijuar posaçërisht për të ulur nivelet e ndotjes dhe për të minimizuar emetimet e gazeve serrë. Projekti do të ndihmojë për përafrimin e Shqipërisë me standardet e BE-së, një hap kyç në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE.
Ky projekt është pjesë përbërëse e programit më të gjerë prej 30.9 milionë Euro "BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Rritjen e Gjelbër" për Shqipërinë.