BE në Shqipëri nis fushatën “Redukto, Ripërdor, Riciklo për një Shqipëri më të Gjelbër”
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nisi të enjten fushatën “Redukto, Ripërdor, Riciklo për një Shqipëri më të Gjelbër”, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin e komunitetit të biznesit në Shqipëri mbi tranzicionin e gjelbër drejt një ekonomie qarkulluese, si dhe të mbështesë bizneset në adoptimin e praktikave të qëndrueshme.
Fushata u hap nga Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, dhe znj. Elda Xhumari, Zëvendësministre e Mjedisit, në Shtëpinë e Evropës, Tiranë, dhe mblodhi së bashku përfaqësues nga Qeveria e Shqipërisë, Shtetet Anëtare të BE-së, organizatat ndërkombëtare, shoqëria civile, akademia dhe media për të shkëmbyer mendime mbi prioritetet klimatike, sfidat dhe rëndësinë e komunikimit mjedisor të bazuar në fakte.
Ambasadori Gonzato i ftoi të gjithë të bashkohen me fushatën, e cila synon të arrijë dhe të frymëzojë sa më shumë qytetarë në të gjithë Shqipërinë.
“Tranzicioni i gjelbër qëndron në zemër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Nuk është opsional për Shqipërinë — apo për ndonjë vend tjetër. Nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësim në BE, por përfaqëson një mundësi të shkëlqyer për rritje të qëndrueshme dhe vende pune, po ashtu është thelbësor për mbrojtjen e shëndetit publik.
“Mbrojtja e mjedisit, ndërtimi i një ekonomie qarkulluese dhe avancimi i veprimeve për klimën janë përgjegjësi të përbashkëta — një përpjekje e përbashkët e e qeverisë, shoqërisë civile, biznesit, medias dhe qytetarëve. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare, Austria, Gjermania, Franca dhe Suedia, po e mbështesin Shqipërinë në çdo hap me financim, ekspertizë, praktikat më të mira dhe partneritete të forta, duke ndihmuar gjithashtu në informimin dhe angazhimin e qytetarëve” - tha Ambasadori Gonzato.
Zëvendësministrja e Mjedisit, Elda Xhumari, riafirmoi angazhimin e Qeverisë për të çuar përpara ekonominë rrethore dhe për të angazhuar sektorin privat si një nxitës kryesor i tranzicionit të gjelbër të Shqipërisë. “Qeveria shqiptare ka avancuar me një sërë reformash. Së bashku do ta ndërtojmë një Shqipëri më të pastër, më të zgjuar dhe më të qëndrueshme në përputhje me vizionin dhe me standardet e Bashkimit Evropian” – tha Xhumari.
Hapja e fushatës u pasua nga diskutimi mbi zgjidhjet e qëndrueshme klimatike, me kontributin e znj. Eneida Rabdishta, Drejtoreshë për Politikat e Ndryshimeve Klimatike, Kimikateve dhe Cilësisë së Ajrit në Ministrinë e Mjedisit; z. Mihallaq Qirjo, Drejtor i Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC); z. Dritan Gorica, Ekspert për Klimën në Urban Institute; dhe znj. Klodiana Kapo, Eksperte e Medias në Faktoje.al.
Znj. Mirjana Matešić, Ambasadore e Paktit të Klimës së BE-së dhe Drejtore e Këshillit Kroat të Biznesit për Zhvillim të Qëndrueshëm, foli për temën “Prioritetet Klimatike të BE-së: Forcimi i Veprimeve për Klimën përmes Integrimit në BE.” Ajo theksoi se si përafrimi i Shqipërisë me acquis të BE-së mund të përshpejtojë tranzicionin e saj të gjelbër dhe të forcojë qëndrueshmërinë ndaj ndikimeve klimatike.
Seksioni u mbyll me një thirrje të përbashkët për bashkëpunim më të fortë mes institucioneve, bizneseve dhe shoqërisë civile për të avancuar tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut publik të informuar dhe komunikimit për klimën të bazuar në fakte.
Rreth fushatës “Redukto, Ripërdor, Riciklo për një Shqipëri më të Gjelbër”
“Redukto, Ripërdor, Riciklo – për një Shqipëri më të Gjelbër” shënon fillimin e një serie prej gjashtë fushatash që do të zhvillohen gjatë dy viteve të ardhshme, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve shqiptarë mbi nevojën për të mbrojtur mjedisin, për të siguruar menaxhim të duhur të mbetjeve dhe për të avancuar ekonominë qarkulluese.
Fushata nisi me aktivitetin me diskutime mbi zgjidhjet e qëndrueshme klimatike dhe do të vijojë me një ditë Rrjetëzimi & Informimi për biznesin mbi mundësitë e financimit të BE-së, më 26 nëntor në Hotel Mak Albania, ku kompanitë do të informohen mbi mundësitë e financimeve të gjelbra të BE-së. Aktiviteti do të përfshijë gjithashtu çmimin “Green Queens Award”, i cili vlerëson sipërmarrëset gra që po udhëheqin modele biznesi të qëndrueshme dhe qarkulluese.
Aktivitete të ardhshme përfshijnë një Forum me studentët e Universitetit Ismail Qemali në Vlorë më 3 dhjetor mbi turizmin e qëndrueshëm dhe ekonominë qarkulluese, si dhe një Dialog Politikash me Bizneset mbi ligjin PZP, në fillim të vitit 2026, i fokusuar te ekonomia qarkulluese, biodiversiteti dhe Ligji për Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit. Një seri podcast-esh për bizneset, e prodhuar nga Business Magazine, do të nxjerrë gjithashtu në pah shembuj frymëzues të kompanive shqiptare që po përqafojnë inovacionin e gjelbër.
Fushata është pjesë e projektit EU4GreenGen, një nismë e dedikuar komunikimi e financuar nga BE-ja për të rritur ndërgjegjësimin mbi tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë — sfidat, mundësitë dhe detyrimet e tij — në përputhje me negociatat e anëtarësimit të vendit nën Kapitullin 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike.
Në dekadën e fundit, BE ka investuar më shumë se 280 milionë euro në sektorët e mjedisit, ujërave dhe klimës në Shqipëri, donatori dhe partneri më i madh i vendit në këtë fushë.