Brezi i ri i udhërrëfyesve vendas në Mallakastër përgatitet të promovojë trashëgiminë e Bylisit

Kur e vizitoi për herë të parë Parkun Arkeologjik të Bylisit, Florjan Musaraj ishte pesë vjeç. I rritur në fshatin atypari, Kash, ai kujton se si ecte nëpër park me të atin dhe e dëgjonte tek pëshpëriste histori për lavdinë e qytetit të lashtë.

“Ai më thoshte se emri i zonës, Mallakastër, sipas legjendës, rrjedh nga një thënie e pushtuesve që e quanin atë kështjellë të keqe (Mal'castelo) sepse ishte shumë e vështirë për t’u pushtuar. Si fëmijë, shkoja atje çdo vit dhe kjo është arsyeja pse kam një lidhje kaq të veçantë me qytetin historik dhe kulturën e tij. Për mua, Bylisi përfaqëson jo vetëm një histori të gjatë, por edhe një histori personale kujtimesh familjare, piknikësh dhe përvojash fëmijërie”, thotë Musaraj.

Bylis

Ishte kjo lidhje personale që e shtyu atë të aplikonte për një thirrje të hapur për të trajnuar udhërrëfyes turistikë vendas, si pjesë e programit “BE për Zhvillim Ekonomik - Zhvillimi Ekonomik Vendor i udhëhequr nga turizmi, me fokus te Trashëgimia Kulturore”. Projekti, i mbështetur nga BE-ja, punon për përmirësimin e aftësive dhe kapaciteteve, duke rritur në të njëjtën kohë bashkëpunimin mes komuniteteve vendore dhe administratës së parkut. Musaraj e pa këtë si një mundësi për të zgjeruar njohuritë e tij, për të forcuar marrëdhënien me Parkun Arkeologjik të Bylisit dhe për të ndarë historinë e tij me turistët, vizitorët dhe brezat e ardhshëm.

Bylis

“Mua më dukej si detyrë dhe mision. Kam studiuar inxhinieri elektrike në Tiranë dhe kur u ktheva në fshatin tim, doja të krijoja mundësi për të rinj si unë, në mënyrë që të mos ju duhej të largoheshin. Është kjo arsyeja pse aplikova për këtë kurs trajnimi. Është një mundësi e mirë për të rinjtë që të promovojnë vlerat historike dhe kulturore të Mallakastrës”, shpjegon ai.

Musaraj është një nga 16 aplikantët që ndjekin leksione në module të ndryshme, duke mësuar historinë e vendit nga Profesor Neritan Ceka, i cili ka gërmuar atje për dekada, si dhe duke ndjekur trajnime komunikimi. Aplikantët do të certifikohen në nëntor.

Bylis

“Unë ju mësoj atyre modulin e komunikimit, i cili mbulon menaxhimin e grupit, trajtimin e dallimeve kulturore, psikologjinë e grupit, teknikat e të folurit në publik dhe udhëzimet, se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjë një udhërrëfyes, qoftë në një vend arkeologjik, në një tur më këmbë, në një muze apo në një automjet në lëvizje”, thotë Ardiola Alikaj, trajnere ndërkombëtare. Duke folur pranë Bazilikës C në Bylis - një faltore e shekullit të 6-të e shtruar me mozaikë - ajo u shpjegon studentëve se në hyrje të parkut, një udhërrëfyes duhet të përshkruajë itinerarin, gjatësinë e turit, pikën dhe kohën e takimit, dhe të nisë me monumentin që u intereson më shumë vizitorëve.

Sipas udhëheqësit të ekipit, Ilir Parangoni, “BE për Zhvillim Ekonomik – Zhvillimi Ekonomik Vendor i udhëhequr nga turizmi, me fokus te Trashëgiminë Kulturore”, është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore. “E para është ruajtja e trashëgimisë kulturore të parkut, e cila përfshin zonat e Bylisit dhe Klosit. E dyta është përmirësimi i infrastrukturës turistike. E treta – dhe më e rëndësishmja – është zhvillimi ekonomik i komunitetit vendor. Kjo shtyllë përfshin një gamë të gjerë nismash zhvillimore vendore, duke filluar me trajnimin e të rinjve nga komuniteti si udhërrëfyes”, thotë Parangoni.

Bylis

Puna e projektit me parkun filloi me hartimin e dokumenteve kryesore, duke përfshirë një plan menaxhimi dhe kornizat ligjore. Tani po ecën përpara me plane për të ngritur një qendër vizitorësh, panele informacioni, një muze, një kënd komunitar dhe shtigje brenda Parkut të Bylisit. "Ne do të bashkëpunojmë me Universitetin Politeknik të Milanos për të trajnuar specialistë të rinj për ruajtjen e sitit. Qëllimi është të zhvillohet zona si një destinacion turistik me punonjës të kualifikuar, shërbime të mira dhe menaxhim të fortë. Pas një fushate vizibiliteti që promovon trashëgiminë e Bylisit te vizitorët, projekti do të punojë me komunitetin vendas për të krijuar hapësira të dedikuara për ta dhe produktet e tyre. Produktet artizanale vendase do të kenë hapësirën e vet dhe ne synojmë të nxjerrim në pah atë çka është autentike në zonë – që nga recetat tradicionale deri te qëndisjet. Në fund, ne do të mund t'u ofrojmë vizitorëve si trashëgiminë arkeologjike të parkut ashtu edhe produktet e komunitetit aty pranë. Në këtë mënyrë, do të kemi një produkt turistik të jashtëzakonshëm", vëren Parangoni.

Me dhjetë shekuj histori, nga shekulli i 4-t para Krishtit deri në shekullin e 6-të pas Krishtit, kodra ku ndodhet parku ofron një pamje mahnitëse të lumit Vjosa - por ka shumë më tepër për të zbuluar. "Kam jetuar këtu gjithë jetën time, por gjatë trajnimit kam mësuar kaq shumë gjëra rreth zonës që nuk i dija. Ne, kemi mundësi për turizëm kulturor, historik, natyror dhe industrial. Kemi pyje, rezervuarë, fushat e Poçemit, por edhe Shpellën e Lakuriqit, për të cilën as që kisha dëgjuar ", thotë Musaraj, një udhërrëfyes i ardhshëm në Mallakastër, i cili tani po rizbulon vendin e tij të lindjes.

Bylis

Informacion plotësues 

“BE-ja për Zhvillim Ekonomik - Zhvillimi Ekonomik Vendor i udhëhequr nga turizmi, me fokus te Trashëgimia Kulturore” është një projekt i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga AICS, i cili synon të rrisë dhe ruajë përdorshmërinë dhe atraktivitetin e pasurive të trashëgimisë kulturore në sitin arkeologjik të Bylisit. Ai ruan dhe restauron trashëgiminë kulturore të Bylisit, përmirëson qasjen dhe rrit qëndrueshmërinë e trashëgimisë kulturore të Bylisit, pasurive natyrore dhe pasurive të tjera vendore me pjesëmarrjen dhe përfshirjen e komuniteteve vendore. Ai nxit gjithashtu zhvillimin ekonomik vendor përmes miratimit të qasjes së BE-së për Zhvillimin Vendor të Udhëhequr nga Komuniteti (CLLD), duke përmirësuar aftësitë dhe kapacitetet, si dhe duke rritur bashkëpunimin mes komuniteteve vendore dhe administratës së parkut.