Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Shtetet Anëtare të BE-së çelin Javën e Evropës 2024
Tiranë, 2 maj 2024 – Delegacioni i BE-së në Shqipëri çel sot Javën e Evropës 2024 me një sërë aktivitetesh që synojnë promovimin dhe kremtimin e gjithëpërfshirjes, diversitetit dhe të drejtave të njeriut përmes artit, muzikës, panaireve, ekspozitave dhe paneleve të diskutimit të organizuara nga veriu në jug të Shqipërisë.
Nën moton “Evropa është këtu”, ne duam të promovojmë diversitetin dhe barazinë përmes dialogut dhe bashkëpunimit. Ndërsa Shqipëria ecën përpara në rrugën e saj të anëtarësimit në BE, BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj vazhdojnë të japin mbështetjen e tyre në fushën e të drejtave themelore për ta sjellë Shqipërinë më pranë standardeve të BE-së. Java e Evropës 2024 do të tregojë se si e mbështet BE-ja Shqipërinë për ndërtimin e diversitetit dhe përfshirjes në mbarë shoqërinë.
“Aktivitetet tona publike gjatë gjithë ditës në Shkodër, Gjirokastër dhe Tiranë do të jenë një mundësi për të diskutuar dhe advokuar për më shumë barazi, mosdiskriminim dhe diversitet. Këto janë vlera që kanë frymëzuar projektin e BE-së dhe mbeten në zemër të tij. Ne duam të krijojmë hapësira për angazhim dhe debat me partnerë të ndryshëm shqiptarë, të diskutojmë se si mund të nxisim një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë, ku secili ka vendin e vet dhe mund të japë kontributin e vet. “Panairet tona të BE-së në tre qytete do të mirëpresin qytetarë që duan të takojnë njerëz dhe shoqata që kanë marrë pjesë në programe të financuara nga BE-ja dhe të informohen për nismat e BE-së që promovojnë përfshirjen dhe diversitetin apo që ofrojnë mundësi për të përmbushur potencialet profesionale”, tha Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato gjatë konferencës së tij për shtyp për shpalljen e programit të Javës së Evropës 2024 në Shqipëri.
Këtë vit, Delegacioni i BE-së ka vendosur partneritet me Orkestrën Rinore të Ballkanit Perëndimor, një platformë për bashkëpunimin e muzikantëve të rinj profesionistë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila synon të bashkojë rininë e rajonit. Ne do ta përdorim muzikën si një mjet për të thyer barrierat për ndërtimin e një shoqërie të barazisë.
“Muzika bashkon, ajo ka fuqinë e jashtëzakonshme për të nxitur përfshirjen në një botë të dëmtuar nga ndarjet. Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor do t'i prezantojë të gjitha këto dhe shumë më tepër përgjatë Javës së Evropës 2024 në Shqipëri. Mbi 100 muzikantë të rinj nga 10 vende evropiane do të sjellin së bashku mesazhin e bashkimit, barazisë, përfshirjes dhe diversitetit në forma të ndryshme artistike”, shprehet Desar Sulejmani, Drejtor i Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor.
Java e Evropës do të jetë në Shkodër më 4 maj, në zonën e këmbësorëve të Shirokës, duke bashkuar autoritetet publike, Ekipin Evropa, trupin diplomatik, organizata ndërkombëtare dhe vendore të shoqërisë civile, qytetarë, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe Ambasadorët e Rinj Evropianë (ARE). Studentët e Akademisë së Arteve në Shkodër do të organizojnë një ekspozitë me temë “Të drejtat e njeriut dhe diversiteti”, si dhe do të zhvillohet një panel diskutimi me përfaqësues të shoqërisë civile vendore mbi të drejtat e njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen. Dita jonë në Shkodër do të ketë një performancë artistike nga “The Door”, një bandë vendore muzikantësh me nevoja të veçanta dhe një performancë artistike nga muzikantë të Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor.
Më 6 maj do të jemi në Pazarin e Gjirokastrës, ku Panairi i BE-së do të ndërthurë zhanre të ndryshme muzikore, përmes shfaqjeve të grupeve kulturore vendase rome dhe egjiptiane dhe muzikantëve të Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor. Do të përurojmë Tregun Tradicional të Artizanatit Rom të financuar nga BE-ja dhe do të organizojmë një panel diskutimi mbi harmoninë etnike dhe fetare të komuniteteve vendore tek Obelisku.
Në Tiranë, Java e Evropës do të zhvillohet në Sheshin Italia, më 9 maj, me panairin e BE-së dhe performancat e Korit Vizualisht Gjithëpërfshirës i mbështetur nga Creative Europe dhe muzikantët e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor. Do të prezantohen projekte të reja të përfshirjes sociale të financuara nga BE-ja, si dhe do të diskutohet mbi 20-vjetorin e zgjerimit të BE-së 2004.
Panairi ynë i BE-së “On Air” do të transmetojë drejtpërdrejt intervista dhe diskutime mbi aktivitete të ndryshme, klasa master, koncerte, ekspozita, prezantime projektesh gjithëpërfshirëse, përurime shkollash, nisma rinore dhe panaire artizanësh për të promovuar më tej barazinë, përfshirjen sociale dhe mosdiskriminimin, duke synuar të tregojë një kulturë të gjallë e të pasur dhe duke frymëzuar kështu ndryshimin në një shoqëri që ka vend për të gjithë.
Për më shumë hollësi, lutemi gjeni bashkangjitur programin e Javës së Evropës 2024.
Jeni të mirëpritur të na bashkoheni!