Delegacioni i eurodeputetëve për Punët e Jashtme vjen për vlerësimin e reformave në Shqipëri dhe Mal të Zi

Një delegacion prej pesë eurodeputetësh viziton Tiranën dhe Podgoricën nga 23 deri më 26 maj për të shprehur mbështetje për çuarjen përpara të procesit të zgjerimit.

Anëtarët e Komitetit për Punët e Jashtme (AFET) do të vlerësojnë progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe reformat e mëtejshme që nevojiten për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE.

Ata do të rikonfirmojnë gatishmërinë e Shqipërisë për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE dhe do të shprehin mbështetje për përpjekjet e Malit të Zi për t'i përfunduar ato. Vizita do të trajtojë çështjet e theksuara në raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, i miratuar nga seanca plenare më 19 maj 2022 dhe në raportin për Malin e Zi, i miratuar nga Komiteti për Punët e Jashtme më 12 maj.

Delegacioni prej pesë eurodeputetësh, i kryesuar nga kryetari i AFET-së David McAllister (EPP, Gjermani), do të takohet me përfaqësuesit e udhëheqjes politike, opozitës dhe shoqërisë civile në të dy vendet, nga data 23 deri më 26 maj.

Për të parë ndikimin që ka pasur financimi para anëtarësimit në të dy vendet, anëtarët e delegacionit do të vizitojnë një shkollë të rindërtuar në kuadër të programit “BE për shkollat”, një pikë kalimi kufitar të ndërtuar me mbështetjen e BE-së, si dhe do të vlerësojnë përpjekjet për ruajtjen e biodiversitetin të Liqenit të Shkodrës. Ata do të përurojnë gjithashtu "Shtëpinë e Evropës", një hapësirë ​​moderne takimesh, debati dhe rrjetëzimi që promovon vlerat e BE-së në Podgoricë.

Për hollësi lidhur me konferencën për shtyp në Tiranë më 24 maj dhe në Podgoricë më 26 maj, lutemi kontaktoni ekipet e shtypit për vizitat përkatëse në adresat:

Dasara.ZENELI@eeas.europa.eu dhe Vuk.VUJNOVIC@eeas.europa.eu.

 

NA NDIQNI NË TWITTER! Çështjet kryesore, gjithë njoftimet për shtyp dhe datat e rëndësishme publikohen në @EP_ForeignAff.

 

Përbërja e delegacionit

Anëtarët e delegacionit janë si më poshtë:

David McALLISTER  (EPP, Gjermani), Kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme dhe kryetar i delegacionit

Željana ZOVKO (EPP, Kroaci), Zëvendëskryetare e Komitetit për Punët e Jashtme

Hildegard BENTELE (EPP, Gjermani)

Thomas WAITZ (Të Gjelbrit/EFA, Austri)

Angel DZHAMBAZKI (ECR, Bullgari)

 

Të dhëna

Në rezolutën e tij të fundit vjetore që vlerëson progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, Parlamenti Evropian rikonfirmoi se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e nevojshme për të nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit.

Mali i Zi është vendi që ka përparuar më shumë në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Në një raport të miratuar së fundmi, Komiteti për Punët e Jashtme përshëndeti qeverinë e re të pakicës të përbërë nga parti pro-evropiane, duke paralajmëruar se tensionet politike po e ngadalësonin përparimin e Malit të Zi në reformat që lidhen me BE-në.

 

Informacione të tjera