Dita Evropiane dhe Botërore kundër Dënimit me Vdekje, 10 tetor 2025: Deklaratë e përbashkët nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës
Bashkimi Evropian (BE) dhe Këshilli i Evropës riafirmojnë fuqimisht kundërshtimin e tyre të qartë ndaj dënimit me vdekje, në të gjitha rastet dhe në të gjitha rrethanat.
Më shumë se dy të tretat e të gjitha vendeve e kanë hequr dënimin me vdekje me ligj ose në praktikë. Në vitin 2024, mirëpritëm heqjen e dënimit me vdekje nga Zimbabveja dhe ratifikimin e protokollit të dytë opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike nga Zambia dhe Bregu i Fildishtë. Po atë vit, një numër rekord prej 130 vendesh votuan në favor të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për një moratorium mbi përdorimin e dënimit me vdekje.
Pavarësisht trendit në rritje në mbarë botën në mbështetje të heqjes së dënimit me vdekje, dënimi me vdekje ende kryhet në disa vende. Pesë vendet me numrin më të lartë të ekzekutimeve në vitin 2024 ishin Kina, Irani, Arabia Saudite, Iraku dhe Jemeni. Bjellorusia është i vetmi vend në Evropë që ende e mban dënimin me vdekje. Ekzekutimet kanë vazhduar të kryhen edhe në Shtetet e Bashkuara.
U bëjmë thirrje atyre pak shteteve të mbetura që ende ekzekutojnë dënimet me vdekje që të vendosin një moratorium ligjor si hap të parë drejt heqjes së plotë të dënimit me vdekje.
Mbështetësit e dënimit me vdekje shpesh e bazojnë argumentin e tyre te parandalimi. Megjithatë, studimet tregojnë vazhdimisht se shtetet me dënim me vdekje nuk kanë shkallë më të ulëta krimi sesa ato pa të. Dënimi me vdekje gjithashtu i bën gabimet e drejtësisë të pakthyeshme dhe çdo reformim dhe rehabilitim shoqëror të pamundur.
Këshilli i Evropës dhe BE-ja do të vazhdojnë të kundërshtojnë narrativat që promovojnë rivendosjen e dënimit me vdekje, përfshirë në Evropë, si dhe të nxisin një debat të hapur dhe demokratik drejt heqjes së tij të plotë në të gjitha vendet e botës. Në këtë drejtim, mirëpresim organizimin e Kongresit Rajonal kundër Dënimit me Vdekje në Japoni në nëntor 2025 dhe të Kongresit Botëror kundër Dënimit me Vdekje në Francë në vitin 2026. Këto aktivitete demonstrojnë rolin e rëndësishëm udhëheqës të shoqërisë civile në avokimin për një botë pa dënim me vdekje.
Dënimi me vdekje, përfshirë procesin që çon në ekzekutimin e tij, përfaqëson një trajtim apo ndëshkim çnjerëzor ose degradues, dhe mohimin përfundimtar të dinjitetit njerëzor. BE-ja dhe Këshilli i Evropës bëjnë thirrje për heqjen e tij.