E kaluara e tashme – Ish të burgosurit politikë kthehen në Spaç për të ndarë historitë e mbijetesës dhe për të hedhur dritë mbi të kaluarën e errët të Shqipërisë

I ulur në tarracën nga ku rojat bënin apelin e të burgosurve, një i moshuar me bastun vështron ndërtesat ku 50 vjet më parë, ai dhe të burgosurit e tjerë rrezikuan jetën duke treguar një shembull të fortë rezistence. “Sa herë që kthehem në burgun e Spaçit përjetoj një ndjenjë faji. Ideja për të ngritur flamurin pa yllin komunist në revoltën e Spaçit ishte e imja. Unë e përgatita flamurin, unë e ngrita dhe ndihem fajtor për ata katër burra të ekzekutuar pas revoltës së vitit 1973, eshtrat e të cilëve nuk u gjetën kurrë”, thotë Gjet Kadeli, 84-vjeçari që kaloi 16 vjet të jetës së vet në burgje gjatë regjimit komunist.

EU in Albania
Portreti i tij është një nga 49 portretet (maskat) skulpturore të krijuara për ekspozitën audio-vizuale “E kaluara e tashme”, një memorial për gjithë të burgosurit politikë që vuajtën dhe mbijetuan në Spaç, Mirditë, si dhe dëshmitë e tyre të regjistruara. Mbështetur nga programi “BE për kulturën”, i financuar nga BE-ja, ekspozita e përhershme kujton përmes fytyrave dhe zërave vuajtjet e së kaluarës duke bashkuar tri tema: kujtimi, përjetimi dhe reflektimi.

EU in Albania
Përfshirja e zërave të ish të burgosurve politikë në memorial dhe prania e tyre gjatë aktivitetit, i bëri vizitorët e rinj të shihnin një bibliotekë njerëzore dhe të mësonin për të kaluarën, madje edhe për të kaluarën e vetë tyre. Një nga kuratorët e ekspozitës, Kristian Zara, mësoi se gjyshi i tij kishte vuajtur në këtë burg ndërsa punonte për projektin, ndërsa vetë projekti është një mënyrë për të lënë gjurmët e tyre atje. “Këto lloj skulpturash krijohen duke marrë formën e fytyrave të tyre, ndaj me këto portrete, ADN-ja e tyre mbetet përgjithmonë në Spaç”, shpjegon Arnen Sula, kuratori tjetër

EU in Albania
Me një zë të zvargur, Gjet Kadeli kujton ditët kur detyroheshin të punonin në minierë dhe netët e ftohta në qelitë me dysheme betoni. Persekutimin politik e kishte ndier që në fëmijëri. Në moshën shtatëvjeçare u dërgua në kampin e Tepelenës së bashku me 21 anëtarë të familjes. Tashmë, dëshiron t’i shohë kampin e Tepelenës dhe burgun e Spaçit si vende kujtese për t'i bërë të njohura për brezat e rinj.
“Shoqëritë që nuk njohin historinë e vendit të tyre janë të destinuara ta përsërisin atë. Ish-burgu i Spaçit është një dëshmi e gjallë e dhimbjes dhe dhunës, por, mbi të gjitha, një dëshmi se si sistemet e gabuara politike, i detyrojnë individët të shkatërrojnë jetë”, thotë Serona Kolaveri, Ambasadore e Re Evropiane.

EU in Albania
“Takimi me të mbijetuarit e burgut të Spaçit, një prej burgjeve më brutale të regjimit komunist në Shqipëri, ishte thellësisht prekës. Dëgjimi i historive të tyre më kujtoi se sa shumë ka mbetur për të bërë për ballafaqimin me të kaluarën. Më vjen mirë që kaq shumë të rinj erdhën në Spaç për të takuar të mbijetuarit, ata duhet të kuptojnë se nga vijnë dhe çfarë ka kaluar Shqipëria. Njeriu duhet të shërojë plagët e së kaluarës duke u dhënë zgjidhje të drejtave të viktimave. Jam vërtet krenar që e mbështetëm këtë aktivitet, por kjo nuk mjafton. Ish-burgu i Spaçit po shkatërrohet me shpejtësi dhe duhet ruajtur që të kujtojmë atë që ka ndodhur këtu dhe të themi: “Kurrë më”, theksoi ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato.
Histori të mbijetuarish

EU in Albania
Kur u arrestua në vitin 1977, i akuzuar për agjitacion dhe propagandë, Barjam Durmishi ishte 47 vjeç dhe baba i gjashtë fëmijëve. “Për gati shtatë vjet nuk munda ta shihja familjen time. Gruaja erdhi të më vizitonte një herë, por udhëtimi nga Skrapari në Spaç ishte i vështirë dhe i kushtueshëm, ndaj i kërkova të mos vinte më, në mënyrë që të kujdesej për fëmijët”, kujton 95-vjeçari me një buzëqeshje të qetë, ndërsa nuk dëshiron të ankohet. “Ishte e vështirë në fillim, por më pas u mësova me atë se si ishte jeta këtu. Unë mbijetova, ndërsa të tjerët jo. Disa vdiqën në minierë dhe eshtrat e tyre janë ende nën tokë”, tregon ai me një zë të trishtuar.

EU in Albania
Hysen Haxhiaj, një tjetër ish i burgosur politik, thekson nevojën e ruajtjes së burgut si vend kujtese. “Kemi kaluar kohë të tmerrshme. Çdo ndërtesë apo edhe gurët këtu meritojnë respekt, sepse mbartin kujtimet e të rinjve që vdiqën nga shembja e minierës së nëndheshme apo në burg. Eshtrat e tyre nuk u gjetën kurrë”, thekson ai.

EU in Albania
Plotësisht i izoluar, kampi i punës dhe burgu i Spaçit ndodhet në një zonë të thellë në mes të maleve. Ish-të burgosurit politikë kanë emocione të përziera teksa vizitojnë vendin. Për disa prej tyre është ende e vështirë të shkojnë vullnetarisht atje ku kanë vuajtur dënimet politike. Megjithatë, të rrethuar nga të e rinjtë, ata tregojnë historitë e tyre duke u përpjekur të sigurohen për të ardhmen.

EU in Albania
Gjon Prendi, një tjetër ish i burgosur politik e ka vizituar burgun me nipat e tij. “Është e rëndësishme që ata të dinë se çfarë ka ndodhur këtu. Ndërsa vendi po bëhej ateist, ungji im, i cili ishte prift, u arratis nga Shqipëria në vitin 1952, kështu që familja ime u internua në Tepelenë. Në vitin 1966 doja të arratisesha për të gjetur lirinë dhe për të gjetur ungjin tim, peshkopin Zef Oroshi, por më arrestuan pranë kufirit dhe më dënuan me 10 vjet burg”, tregon 82-vjeçari.
Ai mezi e kujton ungjin e tij, pasi ishte vetëm 10 vjeç kur e pa për herë të fundit në kishë, por në netët më të vështira në burgun e Spaçit, mbyllte sytë, kujtonte meshat, bënte kryqin dhe i lutej Zotit për një ditë tjetër.

EU in Albania
Informacion plotësues
Projekti “BE për kulturën” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë. Ai fokusohet te rinovimi dhe rijetëzimi i siteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuara nga Bashkimi Evropian me një buxhet total prej 40 milionë Eurosh. Udhëhequr nga parimi “Rindërtojmë më mirë”, “BE për kulturën” fokusohet te rinovimi i siteve kryesore të trashëgimisë kulturore në përputhje me Kornizën e OKB-së për Reduktimin e Rrezikut nga Katastrofat. Paralelisht, projekti synon të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në rimëkëmbjen socio-ekonomike vendore dhe rajonale.