Ekselenca evropiane në Tiranë: Nënshkruhet marrëveshja me Kolegjin e Evropës
Në këtë aktivitet morën pjesë zyrtarë të lartë, si nga BE-ja ashtu edhe nga Shqipëria, duke përfshirë Rektoren e Kolegjit të Evropës Federica Mogherini, Komisionerin Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi, Ambasadorin Luigi Soreca, Drejtoreshën Menaxhuese të Bashkimit Evropian Angelina Eichhorst, Ministren e Arsimit dhe Sporteve Ogerta Manastirliu, si dhe Kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Prania e tyre kolektive nënvizoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për nxitjen e lidhjeve më të forta mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Memorandumi, i cili do ta sjellë për herë të parë këtë institut prestigjioz jashtë BE-së, u nënshkrua nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Bashkisë së Tiranës dhe Kolegjit të Evropës, në prani të Komisionerit Varhelyi dhe Ambasadorit Soreca.
“Krenar që jam dëshmitar i ngritjes së degës së Kolegjit të Evropës në Shqipëri, dedikuar përgatitjes së brezave të ardhshëm të aktorëve në skenën globale. BE-ja e mbështet fuqishëm këtë nismë që në fillim dhe pret me padurim fillimin e kampusit të ri në Tiranë”, tha i Ngarkuari me Punë, Ambasadori Luigi Soreca.
Kolegji i Evropës është i njohur për ekselencën e tij në edukimin e liderëve dhe diplomatëve të ardhshëm evropianë. Duke krijuar një prani në Tiranë, ai ofron një mundësi të shkëlqyer për studentët vendas dhe të tjerë nga e gjithë bota për qasje në arsimin e nivelit të lartë në një kampus të sapokrijuar. Ky zhvillim përputhet në mënyrë të përkryer me angazhimin e BE-së për të mbështetur arsimin dhe zhvillimin e aftësive në rajonet fqinje.
“Kam nënshkruar shumë memorandume mirëkuptimi dhe marrëveshje, por të jem sot këtu, mes jush, më jep një emocion të veçantë, sepse kjo nuk është historike vetëm në aspektin e arritjes së diçkaje që do të jetë shumë e prekshme, por gjithashtu, më në fund, po e sjellim Kolegjin e Evropës jashtë Bashkimit Evropian. Kolegji i Evropës është një institucion akademik i veçantë. Jo vetëm mësojmë mbi Evropën, por i bëjmë studentët tanë ta jetojnë dhe ta formësojnë Evropën. Në statutin tonë thuhet qartë se misioni i Kolegjit të Evropës është të kontribuojë për integrimin evropian”, tha Rektorja e Kolegjit të Evropës Federica Mogherini.
Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane dhe i ofron të rinjve shqiptarë një mundësi të paçmuar për rritje akademike dhe personale. Bashkimi Evropian, së bashku me partnerët e tij të nderuar, mbetet i përkushtuar për të mbështetur arsimin dhe për të nxitur lidhje më të thella me Shqipërinë. Së bashku, ne presim një të ardhme më të ndritur dhe më të arsimuar për të gjithë.