Ferdiola Rushiti – aktivistja që mbron fuqizimin e komunitetit Rom dhe Egjiptian
Fillimet e aktivizmit
Ferdiola ka lindur në Korçë dhe është rritur në një familje, ku arsimimi ka qenë ndër gjërat më të rëndësishme. "Në shkollën time nuk kishte nxënës të tjerë nga komuniteti im. Unë isha nxënëse e shkëlqyer dhe kurrë nuk jam ndjerë e diskriminuar nga të tjerët. Megjithatë, kur ndodhesha mes komunitetit egjiptian, dëgjoja stereotipe dhe paragjykime negative ndaj nesh", kujton ajo nga koha e fëmijërisë.
Më vonë, kur e ëma u bë aktiviste, nuk mund t'u shpëtonte problemeve të përditshme të komunitetit të saj. "Në 2006-ën, ime më krijoi organizatën e saj për më shumë përfshirje sociale të pakicave në zonën tonë. Kur isha 16 vjeç, fillova ta ndihmoj time më vullnetarisht me projektet e organizatës, duke organizuar kampe verore dhe duke u mësuar anglisht fëmijëve".
Ferdiola u transferua në Tiranë për të ndjekur studimet në Universitetin e Mjekësisë, ku vazhdoi të bënte punë vullnetare në organizata të ndryshme të shoqërisë civile. Kujton pjesëmarrjen në Akademinë Politike për komunitetet rome dhe egjiptiane të krijuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë si hapin më të rëndësishëm të jetës së saj.
"Atje, u njoha me të rinj e të reja të arsimuara nga komuniteti im. Ndoqëm një sërë trajnimesh për mënyrën se si mund të luftojmë për të drejtat tona, si të lobojmë për politikat e duhura, si të adresojmë problemet dhe si të gjejmë zgjidhje për to". Kjo shërbeu si një shkollë e re që i dha formë jetës së saj.
Betejat e vërteta
Pas teorisë, situata e parë e jetës reale në të cilën qenë dëshmitarë ishte dëbimi i familjeve rome nga shtëpitë e tyre në Rrugën e Kavajës në Tiranë në vitin 2013, ku iu prishën shtëpitë për të ndërtuar aty një kompleks masiv pallatesh. "Shkuam atje me shpresën se do të kuptonim problemet e strehimit, por u njohëm me kushtet dramatike të jetesës dhe me problemet e tyre sociale."
Në periudhën 2014-2015, një tjetër situatë e ngjashme ndodhi në afërsi të Selitës, ku qindra romë janë zhvendosur për t'i hapur rrugë ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës. Ferdiola punoi për dy vjet për të adresuar problemet e tyre të përditshme, për t'i mbështetur me juristë dhe inxhinierë, si dhe për t'i ngritur këto çështje me qeverinë. Ajo mori rol drejtues në këtë grup informal.
"Megjithatë, të duhet një organizatë apo një prezantim ligjor që të kesh mundësinë të ulesh nëpër tavolina në takime zyrtare dhe të flasësh me institucionet. Kështu që, bashkë me kolege të tjera, në vitin 2017 hapëm organizatën "T'reja".
Organizata
Qysh atëherë, Organizata T'reja ka zbatuar disa projekte, duke ndikuar ndjeshëm në komunitetet rome dhe egjiptiane. Arritja më e rëndësishme ka qenë përjashtimi i fëmijëve romë dhe egjiptianë nga pagesa e tarifave deri te ndjekja e kopshteve publike. "Lobuam për dy vjet derisa morëm miratimin e Bashkisë Tiranë. Në periudhën 2020-2022, nga kjo masë kanë përfituar rreth 200 fëmijë nga këto komunitete. Të njëjtën rrugë po e ndjek tani edhe bashkia e Elbasanit dhe ajo e Korçës."
Disa projekte të tjera përfshijnë lobimin për bursa për studentët romë dhe fushatat për strehimin social të qindra personave të zhvendosur nga ky komunitet.
IdeAl
Një tjetër arritje e konsiderueshme ka qenë nisma e saj për të ndikuar te politikat e pensioneve sociale në kuadrin e IdeAl (Dialogu për zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse në Shqipëri), zbatuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitateve, me financim nga BE-ja. Ky projekt kishte për qëllim të lobonte pranë politikëbërësve për të ulur moshën e pensionit social për komunitetin e saj nga 70 në 65 për burrat dhe në 61 për gratë.
Mblodhën 2000 firma për një peticion nga njerëz të moshës 62-69 vjeç në qytete të ndryshme dhe e paraqitën atë në parlament. Ajo u takua me shumë politikanë që t'i dëgjohej zëri. Pavarësisht fushatës për një vit, këto nisma duan kohë derisa të arrihen ndryshimet e dëshiruara. "Kur vjen puna te buxheti, politikanët stepen. Por ne do vazhdojmë ta kërkojmë. Arritja kryesore ishte që kjo çështje shkoi deri në parlament dhe u diskutua në komision parlamentar për herë të parë."
Pjesa më e vështirë e punës së saj është kur sheh vajzat që martohen në moshë të vogël e që ajo nuk mundet ta ndalojë. "Prandaj edhe ne tashmë fokusohemi më shumë te fëmijët dhe edukimi i tyre. Vetëm fëmijët na motivojnë. Meritojnë një të ardhme më të mirë dhe kushte jetese dinjitoze."
"Ndonjëherë ndihem e lodhur, dua të ndaloj e të fokusohem te djali im, te familja ime. Po si mund të pres që të vazhdojnë të tjerët nëse unë vetë ndaloj? thotë ajo.