Fjala e Ambasadores së BE-së Christiane Hohmann gjatë konferencës për shtyp me Zv. Kryeministren Belinda Balluku pas dorëzimit të Raportit të vitit 2022 për Shqipërinë
E nderuar zëvendëskryeministre, zonja dhe zotërinj!
Dje, Komisioni Evropian miratoi paketën e tij të zgjerimit 2022, përfshirë raportin vjetor për Shqipërinë.
Sot, kam kënaqësinë t'ia dorëzoj raportin qeverisë. Më vonë, sot dhe nesër, do të kem mundësinë t'ia dorëzoj raportin ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ministrit të Shtetit/Kryenegociatorit, si dhe presidentit të Republikës dhe kryetarit të Kuvendit.
Të hënën e ardhshme do të prezantoj në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian gjetjet kryesore të raportit vjetor. Gjithashtu planifikoj që javën e ardhshme t'ua prezantoj gjetjet organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të biznesit.
Realiteti i ri gjeopolitik, me luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, i ka afruar BE-në dhe Ballkanin Perëndimor dhe ka kërkuar solidaritet të plotë me njëri-tjetrin. Kjo situatë e ka vënë edhe një herë zgjerimin e BE-së në plan të parë të agjendës evropiane. Lufta ka treguar më qartë se kurrë se perspektiva e anëtarësimit në BE është një spirancë e fortë, jo vetëm për prosperitetin, por edhe për paqen dhe sigurinë.
Pika e parë themelore që dua të theksoj është se në këtë kontekst sfidues, Shqipëria ka mbajtur një qëndrim shumë të qartë për orientimin e saj strategjik dhe për rolin e saj si një partner i besueshëm i BE-së.
Siç është theksuar në raportin e Komisionit, Shqipëria ka ruajtur rekordin e saj të përafrimit 100% me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë sanksionet e BE-së pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Raporti pranon gjithashtu rolin e rëndësishëm të luajtur nga Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që nga janari 2022 për mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Pika e dytë thelbësore natyrisht është se më 19 korrik, me mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit, Shqipëria hapi një fazë të re drejt anëtarësimit të saj në BE. Kjo është një arritje shumë e rëndësishme dhe rezultat i përpjekjeve për reforma prej vitesh.
Komisioni menjëherë kaloi në fillimin e procesit të shqyrtimit, i cili është hapi i parë i negociatave të anëtarësimit. Takimet e procesit të shqyrtimit tashmë janë duke u zhvilluar. Nuk duam të humbasim asnjë moment.
Raporti i këtij viti i Komisionit për Shqipërinë ka, pra, një rëndësi të veçantë. Ai ofron një vlerësim të drejtë se ku ndodhet vendi, duke përshkruar fushat ku ka pasur përparim të mirë, fushat ku duhet bërë më shumë dhe – çka është shumë e rëndësishme – jep udhëzime të qarta për hapat e reformave që duhet të ndërmarrë Shqipëria për të ecur më shpejt në rrugën e saj evropiane.
Si vend negociator, Shqipëria hyn në “ligën e parë”. Kjo do të thotë se ajo ka një mundësi për të kapur hapin, por do të thotë gjithashtu se do të jetë nën një vëzhgim të shtuar për reformat. Udhëheqja e fortë politike do të jetë thelbësore për të kryer reformat që do të kërkohen për të ecur përpara me procesin e negociatave.
Në përgjithësi, raporti vlerëson se Shqipëria ka vazhduar të ruajë fokusin e përgjithshëm në agjendën e reformës së BE-së, pavarësisht sfidës së trajtimit të pasojave ekonomike dhe sociale të goditjes së trefishtë nga tërmeti i vitit 2019, pandemia dhe lufta e agresionit rus kundër Ukrainës.
Për reformat e orientuara drejt BE-së, raporti nënvizon vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për një zgjatje kushtetuese me afat të mandatit të organeve të vetingut dhe se ai miratoi një sërë ligjesh që synojnë përafrimin me acquis të BE-së.
Raporti pranon ndryshimet e fundit në strukturat e integrimit në BE, me një kryenegociator me gradën ministër Shteti dhe burimet e shtuara. Ai gjithashtu i bën thirrje qeverisë që, përmes prioriteteve të politikave dhe komunikimit të saj, të vazhdojë të fokusohet fort në çuarjen përpara të agjendës së reformave të BE-së, së bashku me opozitën dhe të gjitha segmentet e shoqërisë.
Në fushën e shtetit ligjor, raporti vlerëson se vijimi i reformës në drejtësi ka vazhduar, se procesi i vetingut ka ecur në mënyrë të qëndrueshme, duke rezultuar me një progres të mirë në përgjithësi. Raporti përshkruan gjithashtu fushat kryesore që kërkojnë vëmendje të veçantë, veçanërisht për të rritur efikasitetin e sistemit të drejtësisë, duke përfshirë futjen në fuqi të hartës së re gjyqësore dhe përmirësimin e trajnimit për magjistratët.
Shqipëria ka bërë njëfarë përparimi në luftën kundër korrupsionit. Raporti thekson, veçanërisht, se Gjykata e SPAK-ut ka dhënë disa vendime të rëndësishme përfundimtare për zyrtarët e lartë të shtetit.
Në luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimi i fortë dhe i frytshëm me shtetet anëtare të BE-së, Europol-in dhe Eurojust-in ka çuar në rezultate të prekshme. Është bërë përparim i mirë në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve dhe duhet të vazhdojë në të ardhmen. Reformat e sundimit të ligjit duhet të vazhdojnë. Tani që të gjitha institucionet e reja janë krijuar, ajo që nevojitet është përparimi në krijimin e një historiku. Kjo është edhe më e rëndësishme tani që Shqipëria ka nisur procesin e negociatave të anëtarësimit. Siç e dini, negociatat për grupimin themelor, i cili përfshin çështjet e shtetit ligjor, do të hapen të parat dhe do të mbyllen të fundit.
Një fushë e rëndësishme ku raporti i këtij viti vazhdon të ngrejë shqetësime është liria e shprehjes. Raporti thekson se pavarësia e medias dhe cilësia e gazetarisë mbeten të penguara nga një kryqëzim i interesave të biznesit dhe politikës dhe se dezinformimi është një shqetësim i përsëritur.
Raporti shpreh keqardhjen që atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar.
Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër zhvillimet në këtë fushë të rëndësishme.
Raporti gjithashtu bën thirrje për përpjekje të shtuara për të konsoliduar të drejtat pronësore përmes regjistrimit dhe digjitalizimit të të dhënave kadastrale dhe rifillimit të procesit të kompensimit.
Aktet e mbetura nënligjore për të drejtat e njerëzve që u përkasin pakicave gjithashtu mbeten për t'u miratuar.
Për më tepër, duhet të ndërmerren veprime të mëtejshme për të forcuar mbrojtjen e të dhënave dhe miratimin e legjislacionit të ri i cili është finalizuar, për t'u përafruar me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).
Për sa u përket kritereve ekonomike, raporti vlerëson se falë një përzierjeje gjerësisht të përshtatshme të politikave, ekonomia shqiptare tregoi elasticitet dhe u rikuperua më shpejt se sa pritej në vitin 2021, duke kompensuar shumicën e humbjeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka goditur ekonominë shqiptare në mënyrë indirekte përmes çmimeve më të larta të mallrave dhe rritjes më të ulët në partnerët kryesorë tregtarë të BE-së, por nuk është përkthyer me një ndikim negativ në rritje në tremujorin e parë të vitit 2022.
Siç njoftoi dje Komisioneri Várhelyi, Komisioni po punon për një paketë reagimi energjetik për rajonin, duke u fokusuar te nevojat imediate, afatshkurtra dhe afatmesme.
Zëvendëskryeministre, zonja dhe zotërinj!
Dëshira e popullit shqiptar për Evropën është shumë e madhe.
Integrimi në BE tashmë po jep rezultate në terren, po ndodh çdo ditë duke përmirësuar jetën e kaq shumë shqiptarëve.
Me fillimin e negociatave të anëtarësimit, institucionet shqiptare kanë një mundësi për të treguar aftësinë drejtuese duke ndërruar marsh dhe duke përshpejtuar reformat në lidhje me BE-në.
Raporti i Komisionit ofron rekomandime të qarta në këtë drejtim. Ftoj qeverinë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse t'i ndjekin ato me një frymë ndërpartiake dhe në konsultim me shoqërinë e gjerë.
Të kujtojmë gjithmonë se reformat për të cilat po flasim këtu nuk janë të nevojshme vetëm që Shqipëria të përmbushë kriteret e anëtarësimit në BE. Ato kanë të bëjnë me sjelljen e Shqipërisë në standardet e BE-së dhe për rrjedhojë, përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së njerëzve në Shqipëri.
Delegacioni i BE-së do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në këtë detyrë të mundimshme. Ne presim me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me qeverinë dhe institucionet e tjera kyçe. Faleminderit!