Fjala e Ambasadorit Luigi Soreca gjatë ceremonisë së certifikimit për hetuesit e BKH

20.12.2021

I dashur Kryeprokuror Special kraja, e dashur Ambasadore Kim, i dashur Drejtor Hajnaj, të dashur hetues të BKH-së. 

Sot është një ditë për festime, çka është një fillim i mbarë për javën e Krishtlindjeve. 

Sot festojmë për 28 hetuesit e parë që kanë filluar të punojnë në BKH. Festojmë gjithashtu përvjetorin e dytë të SPAK-ut. 

Sigurisht që këto dy vite kanë qenë sfidues. Është gjithmonë e vështirë të krijohet një institucion i ri. Aq më tepër kur ky institucion është në thelb të një fushe të ndjeshme, siç është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

BE-ja është angazhuar fuqishëm për të mbështetur krijimin e një SPAK-u të fortë dhe të pavarur, përkrah partnerëve tanë amerikanë. 

Dhe unë jam shumë krenar të them se dy vite më vonë po shohim rezultatet e para të këtyre përpjekjeve. 

Po ndërtohet gradualisht një historik i hetimit, ndjekjes penale dhe dënimeve në çështje penale të nivelit të lartë. Jam i kënaqur të shoh SPAK-un pjesë e numrit në rritje të Ekipeve të Përbashkëta të Hetimit të BE-së me Shtetet Anëtare të BE-së dhe Agjencitë e BE-së. 

Frika po ndryshon anë ngadalë, por me siguri. Frika dikur ishte në anën e prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët ishin nën presionin e politikanëve apo kriminelëve. Tashmë frika është gjithnjë e më shumë në anën tjetër, të atyre që kanë misur të kuptojnë se mund të mos jenë të mbrojtur. Se mund t’iu duhet të  përballen me drejtësinë si çdo shtetas tjetër shqiptar që shkel ligjin. 

Dhe SPAK-u ka bërë një ndryshim në këtë aspekt. Sigurisht që është thelbësore të mbash fokusin në ndërtimin e këtij historiku, veçanërisht për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Së fundmi kemi parë hapa inkurajues në këtë drejtim. 

Për të vazhduar ndërtimin e këtij historiku, Zyra e Prokurorisë së Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të kenë aftësitë më të mira dhe burimet e duhura në dispozicion. Ato duhet të ndërtojnë mes tyre bashkëpunimin më të mirë të mundshëm. Ju jeni një institucion i vetëm – SPAK. 

Është thelbësore që SPAK-u të vazhdojë të ndërtojë bashkëpunim të fortë me agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare, si dhe me homologët ndërkombëtarë. 

Me Policinë e Shtetit Shqiptar dhe Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat vazhdojnë të luajnë një rol thelbësor. 

Por edhe me partnerë ndërkombëtarë. Në këtë kontekst, isha shumë i kënaqur që disa javë më parë mundëm të lidhnim SPAK-un me kanalin Europol SIENA. Ky do të jetë një mjet shumë i rëndësishëm për të shkëmbyer informacion operativ me homologët tuaj në vendet e BE-së dhe më gjerë. 

Më lejoni të kthehem tani te ju, 28 hetuesit e BKH-së dhe te certifikimi juaj. 

Mund të ndiheni shumë krenarë për veten tuaj. Sepse keni kaluar një proces shumë të vështirë përzgjedhjeje. Sepse keni ndjekur me sukses një trajnim të vështirë. Dhe për shkak se ju tani jeni lojtarë shumë të rëndësishëm për ndryshimin e Shqipërisë, siç e përmenda më lart. 

Unë jam i bindur se ju keni aftësitë e duhura për ta përmbushur këtë. Dhe unë mund t'ju siguroj se keni mbështetjen e plotë të BE-së në përmbushjen e detyrave tuaja. 

Siç e dini, së bashku me partnerët tanë amerikanë, ne po monitorojmë dhe këshillojmë nga afër zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nëpërmjet një komisioni ndërkombëtar të dedikuar. Kjo punë e rëndësishme do të vazhdojë. 

Ne do të vazhdojmë gjithashtu të mbështesim ngritjen e kapaciteteve dhe trajnimet për SPAK-un, nëpërmjet projekteve të përshtatura të BE-së, të cilat do të ndjekin PAMECA-n dhe EURALIUS-in, të cilët i falënderoj për punën e shkëlqyer këto vitet e fundit. Një fokus i fortë do të jetë te zhvillimi i kapaciteteve të hetimit financiar. Këto aftësi janë thelbësore në ditët e sotme për të trajtuar me sukses shumë – në mos të gjitha - dosjet penale të nivelit të lartë. 

Më lejoni ta përmbyll duke theksuar se shpresojmë që së shpejti të përzgjedhim 32 hetues të tjerë të BKH-së – të cilët më pas duhet të fillojnë trajnimin e tyre në fillim të vitit të ardhshëm. 

Ndërkohë, urime të gjithëve ju! Urimet e mia më të mira për sukses dhe arritje në punën tuaj të re. Suksesi juaj do të jetë suksesi i Shqipërisë.