Fjalimi i Ambasadores së BE-së Christiane Hohmann në 30-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë
Zoti President,
Zonja Kryetare e Parlamentit,
Kryeministër,
E nderuara zonja Tusha,
Të nderuar ambasadorë,
Të dashur gjyqtarë dhe profesionistë të pranishëm këtu sot,
Rruga e Evropës drejt sistemeve kushtetuese demokratike moderne ka qenë e gjatë dhe e mundimshme. Në historinë tonë evropiane, ne kemi mësuar me mundim se pa shtetin e së drejtës të bazuar në të drejtat themelore dhe parimet demokratike, mizoria e “sundimit përmes ligjit” vjen shpejt.
Përfshirja e të drejtave të njeriut si të drejta kushtetuese, si dhe përparësia e shtetit ligjor dhe e pavarësisë së gjyqësorit u bënë bazat e kushtetutave moderne dhe të Evropës moderne.
Këto janë të njëjtat parime dhe vlera mbi të cilat u ndërtua Bashkimi Evropian. Karta e të Drejtave Themelore të BE-së, e cila hyri në fuqi në vitin 2010, është një simbol i identitetit tonë të përbashkët evropian, i dijes se ne të gjithë i përkasim një komuniteti vlerash ku respektohen të drejtat themelore; ku mbizotëron demokracia dhe shteti i së drejtës; dhe ku gjyqtarët ushtrojnë punën e tyre të lirë nga ndikimet e jashtme të panevojshme.
Shqipëria ndan plotësisht këto vlera evropiane. Që nga viti 1991, Shqipëria ktheu njëherë e mirë faqen e izolimit dhe shtypjes dhe zgjodhi rrugën e demokracive moderne përfaqësuese evropiane dhe të BE-së. Në vitin 1992 u krijua Gjykata Kushtetuese dhe në vitin 1998 Shqipëria miratoi Kushtetutën e re.
Në këtë epokë të re, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka luajtur rolin e saj si garantuese e Kushtetutës dhe si mbrojtëse e institucioneve demokratike. Edhe me parimet më të mira të miratuara në një Kushtetutë, rreziku i shkeljes është gjithmonë i pranishëm dhe duhet të parandalohet. Ky është arsyeja e ekzistencës së gjykatave kushtetuese.
Kohët e fundit, reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi e miratuar në vitin 2016, ishte një tjetër moment historik për Shqipërinë. Kjo reformë riprojektoi sistemin e drejtësisë dhe preku një të tretën e Kushtetutës.
Reforma përfaqësoi një hap përpara në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Ajo synonte luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, forcimin e integritetit të administratës publike, forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe promovimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.
Zbatimi i kësaj reforme komplekse nuk ka qenë as i lehtë as i përsosur, por domosdoshmëria dhe legjitimiteti absolut i reformës është konfirmuar vazhdimisht dhe reforma po sjell rezultate.
Në vitet e para të reformës, Gjykata Kushtetuese ka kaluar një periudhë të vështirë, me vendet vakante që pengonin funksionimin e saj. Por të gjithë e kuptojnë se një gjykatë kushtetuese duhet të përbëhet nga më të mirët në mesin e profesionistëve ligjorë të vendit, reputacioni, integriteti dhe pavarësia e të cilëve nuk kanë të sharë.
Sot, Gjykata Kushtetuese e rinovuar ka një anëtarësim pothuajse të plotë, dhe së shpejti do të arrijë në 9 anëtarë. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi luan rolin e tij vendimtar për të siguruar që vetëm më të mirët të kualifikohen dhe të renditen për pozicionet e hapura.
Në të vërtetë, të gjitha institucionet e reja të drejtësisë në Shqipëri që rrjedhin nga reforma janë tashmë në funksion. Kjo është një nga arritjet kryesore që i ka mundësuar Shqipërisë të bëjë një hap të madh drejt BE-së, me fillimin e negociatave të anëtarësimit.
Pas Konferencës së parë Ndërqeveritare më 19 korrik, ne po hyjmë në një fazë të re në marrëdhëniet BE-Shqipëri. Në këtë fazë të re, shteti i së drejtës do të jetë sërish në qendër të vëmendjes. Në kuadër të bisedimeve të anëtarësimit, Shqipëria do të ketë një mundësi për të konsoliduar më tej gjyqësorin e saj të reformuar.
BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj do të vazhdojnë të monitorojnë nga afër progresin në çështje të rëndësishme si pavarësia e gjyqësorit dhe progresi në historikun e rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Më lejoni të përfundoj duke theksuar se është përgjegjësi e brezit tonë të hapë rrugën për të ardhmen e Shqipërisë si anëtare e Bashkimit Evropian, e cila është e ardhmja që qytetarët shqiptarë duan për vendin e tyre.
Dhe e ardhmja fillon padyshim duke mbrojtur gjithmonë parimet themelore demokratike – përgjegjësi që Kushtetuta shqiptare, në duart e Gjykatës Kushtetuese, e ka mbajtur në nivelin më të lartë.
Urime për 30-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare!