Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në ceremoninë e nisjes së Programit të Performancës dhe Investimit në Sektorin e Ujit (WPIP)

21.06.2021

I dashur Kryeministër, të dashur Ambasadorë dhe përfaqësues të KfW-së dhe SECO-s, zonja dhe zotërinj,

Nisja sot e “Programit për Sektorin e Ujit”, mbështetur nga BE-ja me një grant prej 25.5 milionë euro dhe bashkëfinancuar nga Gjermania dhe Zvicra, shënon një çast vendimtar në historinë e Shqipërisë moderne.

Ky program, që është programi më i madh i vetëm i bashkëfinancuar nga BE-ja në Shqipëri, përveç rindërtimit pas tërmetit, është shumë domethënës, për tri arsye.

E para dhe më e rëndësishmja, ky program do të sjellë ujë të pijshëm dhe kushte më të mira sanitare dhe mjedisore për shumë qytetarë në Shqipëri.

Së dyti, ky program është një shembull se si funksionon BE-ja duke krijuar partneritete: në këtë rast me miqtë tanë, Gjermania, Zvicra dhe BE-ja kanë bashkuar forcat për të trajtuar gjithë sektorin menaxhimit të ujit dhe ujërave të zeza, duke shkuar përtej fokusit të projekteve individuale. Ambicia e programit është që të japë një ndikim vendimtar mbi të gjithë sektorin në Shqipëri.

Së treti, ky program vendimtar do ta ndihmojë Shqipërinë të afrohet edhe më shumë me BE-në, duke mbështetur harmonizimin me standardet e BE-së dhe acquis të BE-së në fushën vendimtare të menaxhimit të ujit dhe ujërave të zeza.

Politikat e mjedisit dhe klimës janë përparësitë kryesore të BE-së. “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane” është “vula” e përpjekjeve të BE-së për t'u bërë kontinenti i parë në botë me klimë neutrale deri në vitin 2050, si dhe udhëheqës botëror në mbrojtjen e mjedisit, ekonomisë qarkore dhe teknologjive të pastra.

Këto politika përkthehen në mbështetje konkrete të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë përmes Agjendës së Gjelbër të BE-së dhe Planit Ekonomik dhe të Investimeve.

BE-ja ka nisur “një strategji me objektivin zero ndotje” dhe programi i sektorit të ujit që po fillojmë sot do të kontribuojë për këtë objektiv dhe për të ardhmen e Shqipërisë në BE.

Gjatë 10 viteve të fundit Bashkimi Evropian ka dhuruar 210 milionë euro për projekte mbi mjedisin dhe klimën për të mbështetur Shqipërinë për rritjen e standardeve të saj mjedisore. Veç kësaj, tani po krijojmë veprime të reja për më shumë se 60 milionë në shtatë vitet e ardhshme në kuadër të IPA III, me tri veprime të reja që përqendrohen tek ekonomia qarkore, mbrojtja e biodiversitetit dhe sërish, sektori i ujit.

Këto veprime do ta shoqërojnë Shqipërinë në transpozimin e legjislacionit të BE-së, duke u afruar edhe më shumë me BE-në, trajnimin e stafit, mbështetjen për biznesin, bashkitë dhe organizatat e shoqërisë civile për fillimin e bizneseve të reja qarkore, si dhe për t'i përfshirë ato në mbrojtjen e biodiversitetit.

Investimet do të bëhen në zonat e integruara të menaxhimit të mbetjeve të ngurta, në restaurimin e ekosistemeve dhe infrastrukturën e ujërave të zeza.

Megjithatë, e gjithë kjo punë thelbësore e ardhshme nuk do të jetë e mjaftueshme për të krijuar ndryshimin e nevojshëm në vend nëse Shqipëria nuk e vendos mjedisin në krye të përparësive të saj politike dhe nëse nuk përcakton burimet përkatëse financiare dhe njerëzore.

Komunikimi strategjik për rëndësinë që ka për shqiptarët mbrojtja e mjedisit të tyre do të duhet gjithashtu të rritet. Të komunikohet në lidhje me shndërrimet e nevojshme kulturore, legjislative dhe të politikave që nevojiten për të ofruar një Shqipëri më të gjelbër, një Shqipëri më tërheqëse për turizmin. Dhe, rrjedhimisht, një Shqipëri më të begatë.

BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë, qeverinë e re për të ndjekur këto objektiva thelbësore. Para së gjithash, në dobi të gjithë qytetarëve dhe ekonomisë së Shqipërisë, së dyti, për ta ndihmuar Shqipërinë të afrohet edhe më shumë me BE-në.

Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për një Shqipëri më të gjelbër dhe më të shëndetshme drejt BE-së!

Faleminderit shumë!