Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në prezantimin e mekanizmit të vetërregullimit “Aleanca për Media Etike”

12.02.2020

Jam shumë i lumtur që ndodhem midis jush sot, në Shtëpinë e Evropës, në shtëpinë tonë, për një nismë kaq të shumëpritur, siç është ky mekanizëm i ri për vetërregullimin e medieve, i nisur nga Këshilli i Medias dhe i mbështetur nga projekti ynë rajonal i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga UNESCO.

Prania e kaq shumë prej jush sot dhe fakti që po rifilloni së bashku diskutimin mbi vetërregullimin është shumë i mirëpritur nga BE-ja. Ai është një sinjal i fortë. Ka shumë gazetarë në Shqipëri që shqetësohen për profesionalizmin, për gazetarinë e mirë dhe të pavarur, si dhe për lirinë e fjalës.

Për vite me radhë, në raportet tona për vendin dhe në dialogun tonë me autoritetet, kemi theksuar çështjet e shumta kritike që lidhen me lirinë e shprehjes në Shqipëri: trysnia politike dhe ekonomike; përqendrimi i medieve; mungesa e përgjegjësisë dhe transparencës së fondeve; natyra e pasigurt e kontratave të gazetarëve; raportimi i papërgjegjshëm; keqpërdorimi i lirisë së internetit dhe i lirisë së fjalës; puna për interesa personale në vend të interesit publik.

Për ta ndihmuar Shqipërinë dhe mediet e saj për trajtimin e këtyre mangësive, BE-ja ka investuar në të drejtat e punës së gazetarëve shqiptarë, duke mbështetur nisma për ngritjen e kapaciteteve të shoqatave të gazetarëve për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të gazetarëve.

Ne punojmë krah për krah me kolegun tonë të Këshillit të Evropës në programin tonë të përbashkët për Lirinë e Shprehjes dhe Median - JUFREX. Ky program synon të ndihmojë gjyqësorin të kuptojë dhe zbatojë praktikën gjyqësore në fushën e lirisë së shprehjes. Roli i gjykatave është thelbësor për të mbështetur qasjen e vetërregullimit.

Në bashkëpunim me OSBE-në ne jemi duke financuar një program të rëndësishëm për mbështetjen e transmetuesit publik për të prodhuar përmbajtje cilësore, si dhe departamentin e gazetarisë së Universitetit të Tiranës për të përgatitur një gjeneratë të re të gazetarëve shqiptarë.

Në dy javët e ardhshme, do të shpallim fituesit e thirrjes sonë për propozime për grante për organizatat e medieve - më e madhja ndonjëherë për këtë qëllim, për një shumë prej 750.000 € - për të mbështetur programe të pavarura hetimore dhe për të forcuar raportimin e bazuar në fakte.

Së fundi, në nivelin rajonal, Komisioni Evropian po mbështet projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqi”, i cili mbështet vetërregullimin e medieve dhe përgjegjshmërinë e medieve në rajon. Do të doja të falënderoja UNESCO-n dhe zonjën Hulin për rolin e tyre themelor në mbështetjen e Këshillit të Medias dhe krijimin e këtij mekanizmi të vetërregullimit.

Siç e dini, si një zgjidhje për shumë çështje që lidhen me mediet shqiptare, Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE-së këtu kanë këshilluar vazhdimisht vetërregullimin. Është mjeti më i mirë për të promovuar informacionin cilësor, duke trajtuar dezinformimin dhe shpifjet, duke mbrojtur lirinë editoriale dhe duke forcuar besueshmërinë e medias.

Vetërregullimi u siguron njerëzve një platformë për të mbrojtur të drejtat e tyre për informacion të saktë dhe në kohë, duke krijuar kështu bazat për demokraci dhe shoqëri të lirë.

Vetërregullimi është gjithashtu mënyra që gazetarët të fitojnë përgjegjësinë e standardeve të tyre profesionale vetë, pa përfshirjen e qeverive, biznesit, partive politike, apo ndonjë ndikimi tjetër.

Në lidhje me këtë, nisma e sotme vjen në kohën e duhur, ndërsa parlamenti po pret për mendimin e Komisionit të Venecias përpara votimit të tij për të ashtuquajturën “Paketa Antishpifje”.

Siç e dini të gjithë, ne kemi shprehur vazhdimisht shqetësimet tona për nismat ligjore të vazhdueshme të qeverisë për ndryshimin e legjislacionit të shërbimeve mediatike. BE-ja ka kërkuar që kjo nismë të adresojë rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe, në përgjithësi, të përputhet plotësisht me standardet evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medieve. Kjo ende duhet të sigurohet.

Herën e fundit që takova disa prej jush dhe shpreha qëndrimin tonë, unë gjithashtu u kërkova organizatave të medieve jo vetëm të thonë jo, por të bëjnë propozime të besueshme për të trajtuar mungesën e standardeve dhe çështjen e shpifjeve dhe përgojimeve anonime që ekzistojnë në Shqipëri.

Ajo çka po dëshmojmë sot është pikërisht drejtimi i duhur. Do të doja të uroja Këshillin e Medias për nismën për miratimin e mekanizmit të vetërregullimit. Unë inkurajoj sa më shumë aktorë të medieve që të jetë e mundur që të respektojnë Kodin e Etikës dhe dokumentin që po nënshkruani sot.

I uroj gjithashtu bordit të ri të Këshillit të Medias, për të cilin të gjithë ne kemi pritshmëri të mëdha, sukses për të ndihmuar që pavarësia dhe liria e medieve të lulëzojnë më tej në Shqipëri.

Faleminderit!