Fjalimi i ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, në tryezën e rrumbullakët mbi gjetjet dhe rekomandimet e raportit studimor të Komitetit Shqiptar të Helsinkit për çështjet zgjedhore
Të nderuar pjesëmarrës!
Falenderoj Komitetin Shqiptar të Helsinkit dhe Ambasadën Britanike për thirrjen e këtij takimi sot dhe që ka sjellë rreth tryezës të gjithë aktorët kryesorë të përfshirë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe në trajtimin e shkeljeve të lidhura me zgjedhjet.
BE-ja ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetëse e fortë e përpjekjeve të Shqipërisë për të forcuar më tej procesin e saj zgjedhor.
Misioni ynë këtu në Shqipëri është të mbështesim vendin që të përmbushë të gjitha kërkesat themelore për anëtarësimin në BE. Pasja e një kornize të qëndrueshme zgjedhore, që është një faktor kycc i demokracisë, është një nga këto kërkesa themelore.
Proceset tona demokratike zgjedhore dhe sistemet tona të sundimit të ligjit kanë të gjitha dobësi të cilat duhen parë nga afër dhe që mund të minojnë legjitimitetin e proceseve të tilla.
Kjo është arsyeja pse krimet elektorale duhet të hetohen dhe ndiqen penalisht siç duhet dhe mosmarrëveshjet zgjedhore duhet të trajtohen në mënyrë efektive, të paanshme dhe transparente.
Këto janë sigurisht aspekte kritike të proceseve tona zgjedhore demokratike dhe të shtetit të së drejtës. Krimet elektorale duhet të ndiqen siç duhet penalisht. Mosmarrëveshjet zgjedhore duhet të trajtohen në mënyrë efektive, të paanshme dhe transparente.
Është thelbësore që të kemi një sistem solid të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore me rregulla të qarta, afate të arsyeshme, si dhe me garancitë e duhura të një procesi të rregullt. E gjithë kjo është e rëndësishme për të rritur besimin e publikut te zgjedhjet dhe për të mbrojtur të drejtat e votuesve.
Në dialogun tonë me institucionet shqiptare për çështjet zgjedhore, udhëzimi ynë qendror mbeten rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve. Rekomandimet pas zgjedhjeve të fundit janë të qarta.
Ato u bëjnë thirrje organeve të zbatimit të ligjit që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të identifikuar dhe hetuar në mënyrë të pavarur të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore, përfshirë blerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve administrative. Kjo duhet të bëhet në mënyrë të plotë, në kohën e duhur dhe në mënyrë transparente. Ata gjithashtu u bëjnë thirrje autoriteteve që të bëjnë përpjekje të sinqerta për të rritur ndërgjegjësimin për blerjen e votave dhe rreziqet që ajo paraqet për integritetin e zgjedhjeve.
ODIHR-i ofron gjithashtu rekomandime specifike për forcimin e mëtejshëm të sistemit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe trajtimin e çështjeve të pazgjidhura.
Në lidhje me këtë, do të shtoja se është e rëndësishme që çdo diskutim për reformën zgjedhore të zhvillohet në mënyrë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse. Rifillimi i punës normale parlamentare është për mua një shenjë inkurajuese dhe shpresoj që forcat politike të jenë në gjendje të trajtojnë të gjitha çështjet e pazgjidhura.
Shpresoj që konferenca e sotme të jetë një mundësi për të gjithë aktorët që të kenë shkëmbime të thella për këto çështje. E vlerësoj me të vërtetë që të gjithë aktorët kryesorë janë të pranishëm për të diskutuar hapur çështjen, për të ndarë përvojën dhe perspektivat e tyre.
Është e qartë se organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol kyç në sigurimin e llogaridhënies së proceseve zgjedhore. Në Shqipëri, ashtu si kudo, ato po monitorojnë nga afër proceset zgjedhore dhe shpesh janë ato që ekspozojnë shkeljet dhe bëjnë ankesa pranë autoriteteve përkatëse. Në këtë aspekt ne mbetemi të përkushtuar për t'i mbështetur dhe forcuar kapacitetet e tyre.
Ju uroj një diskutim të frytshëm dhe konstruktiv.