Gjetjet kryesore të Raportit 2023 për Shqipërinë

Për sa u përket kritereve politike, zgjedhjet e rregullta vendore më 14 maj 2023 u zhvilluan në një mënyrë përgjithësisht të qetë. Vëzhguesit i vlerësuan ato si të mirëadministruara, konkurruese dhe me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë politikë. Shqetësimet kanë të bëjnë me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, pretendimet për presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit, si dhe me pretendimet për blerje votash. U regjistrua një pjesëmarrje e ulët prej vetëm 38.2%. Skena politike vazhdoi të shënohej nga polarizim politik, në sfondin e përçarjeve të thella e të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare. Mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar. Në mars 2023, me një shumicë të madhe, u miratuan amendamente që forcojnë rolin konsultativ të Parlamentit në procesin e negociatave të anëtarësimit. Vonesat dhe politizimi i emërimeve të Avokatit të Popullit dhe Komisionerit të ri kundër Diskriminimit i dobësojnë këto institucione të pavarura. Nën koordinimin e Kryenegociatorit dhe strukturave të reja të reformuara për negociatat me BE-në, institucionet shqiptare kanë mobilizuar burime të konsiderueshme për t'u angazhuar aktivisht në procesin e shqyrtimit dhe për t'u përgatitur për hapat e ardhshëm të negociatave të anëtarësimit. Ndërsa i ka vendosur reformat në lidhje me BE-në në qendër të planifikimit të vet legjislativ dhe të politikave, qeveria duhet t’i shmangë masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së. Qeveria gjithashtu duhet të angazhohet për një komunikim më të fortë publik mbi procesin e anëtarësimit në BE. Ndërsa shoqëria civile është përgjithësisht e lirë, mangësitë ndikojnë negativisht tek aftësia e organizatave të shoqërisë civile për të kontribuar në proceset e politikave. Roli i shoqërisë civile, përfshirë në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, duhet të forcohet.

Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e administratës publike. Strategjitë e reja për reformën e administratës publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike ende nuk janë përgatitur dhe miratuar. Riorganizimi i roleve dhe përgjegjësive brenda zyrës së Kryeministrit ende vazhdon. Dispozitat për rekrutimin e bazuar në merita të Ligjit për Shërbimin Civil nuk zbatohen në mënyrë të qëndrueshme, veçanërisht në nivelin e lartë të menaxhimit. Janë bërë përpjekje të konsiderueshme për digjitalizimin e shërbimeve publike, por mbetet thelbësore të sigurohet qasje e barabartë në shërbime për qytetarët me aftësi të kufizuara digjitale apo qasje të kufizuar në pajisjet e TI-së. Kërkohet gjithashtu një vëmendje e shtuar për sigurinë digjitale dhe mbrojtjen e të dhënave personale, veçanërisht pas sulmeve kibernetike të vitit 2022 dhe një sërë rrjedhjesh të të dhënave.

Shqipëria ka një nivel mesatar përgatitjeje për funksionimin e gjyqësorit. Zbatimi i reformës në drejtësi ka vazhduar, duke rezultuar me një progres të mirë në përgjithësi. Emërimet në Gjykatën Kushtetuese kanë përfunduar me të nëntë gjyqtarët tashmë në detyrë, nga të cilët tetë me mandat të plotë nëntëvjeçar. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka arritur rezultate të mëtejshme dhe në dhjetor 2022 u zgjodh një Kryeprokuror i ri i Posaçëm, pas një procesi të shëndoshë. Efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe qasja në drejtësi vazhduan të ndikohen nga afati i gjatë i procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i çështjeve të pazgjidhura, që mbetet veçanërisht i lartë në gjykatat e apelit dhe ato të shkallës së parë. Është bërë përparim në trajtimin e çështjes së vendeve vakante të gjyqësorit me betimin e 40 magjistratëve të rinj në tetor 2023. Vlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetingut) ka vazhduar të ecë me ritme të kënaqshme. Deri më 6 tetor, 57% e dosjeve të vetingut të përpunuara rezultuan me shkarkime, dorëheqje apo përfundim të mandatit. Në qershor 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese me 6 muaj burg për deklarim të rremë dhe fshehje gjatë procesit të vetingut. Shqipëria duhet të garantojë nisjen sistematike të procedurave penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i verifikimit të të cilëve ka zbuluar elementë kriminalë. Sistemi i menaxhimit të çështjeve dhe sistemi i trajnimit gjyqësor kanë nevojë për përmirësim për të rritur më tej efikasitetin dhe profesionalizmin në gjithë sektorin. Janë ndërmarrë veprime pozitive për rritjen e rëndësisë së programit të trajnimit të vazhdueshëm në periudhën raportuese. Është bërë njëfarë progresi në sistemin e menaxhimit të rasteve, veçanërisht me ngritjen e grupit të punës për ndërveprimin dhe miratimin e kornizës së ndërveprimit që vendos bazat për vënien në punë të sistemit.

Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit. Pavarësisht njëfarë përparimi dhe përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, ai mbetet një fushë shqetësimi serioz. Organet e SPAK-ut kanë kryer hetime për një sërë çështjesh të nivelit të lartë, duke urdhëruar disa arrestime dhe dënime për to. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorë e cenueshëm. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në një nivel të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar ndjekjen e duhur gjyqësore në rastet e vetingut ku ka indikacione për vepra penale. Kapaciteti institucional i Drejtorisë së Përgjithshme kundër Korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë duhet të forcohet më tej dhe përbërja e Komisionit të Etikës duhet të rishikohet. Sektorët më të cenueshëm nga korrupsioni kërkojnë vlerësime specifike të rrezikut dhe veprime të përkushtuara.

Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër krimit të organizuar, me një nivel të mirë e të vazhdueshëm bashkëpunimi me Shtetet Anëtare të BE-së dhe me agjencitë e BE-së. Duhet të bëhen më shumë përpjekje në luftën kundër drogave të paligjshme, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve të autoriteteve të zbatimit të ligjit. Pas miratimit të një ligji për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, Shqipëria duhet të garantojë se ekzistojnë mekanizma për të parandaluar në mënyrë efektive devijimin e kanabisit për përdorim të padëshiruar. Progresi që është arritur me sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar duhet të vazhdojë. Përpjekjet duhet të vazhdojnë gjithashtu për të siguruar një rritje të numrit të ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në rastet e nivelit të lartë, si dhe për të krijuar zyrën e rikuperimit të pasurisë. Lufta kundër krimit kibernetik, pastrimit të parave, si dhe parandalimit dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore mbeten fusha ku nevojiten më shumë rezultate. Të gjitha format e abuzimit seksual të fëmijëve në internet duhet të kriminalizohen dhe të ndiqen penalisht. Është arritur progres në zbatimin e rekomandimeve të Moneyval-it dhe Planit të Veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF). Shqipëria mbeti në listën e FATF-së të juridiksioneve nën monitorim të shtuar për shkak të projektligjit të saj për Pajtueshmërinë Vullnetare Tatimore (QAP) (përfshirë një amnisti penale). Pas tërheqjes së projektligjit, në qershor 2023, FATF vendosi të propozojë një vizitë në terren, e cila u zhvillua në gusht, dhe çoi në heqjen e Shqipërisë nga lista në tetor 2023. Megjithatë, Shqipëria duhet të garantojë që çdo ligj i ardhshëm QAP (përfshirë amnistitë e mundshme penale) të jetë në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Historiku i rasteve të pastrimit të parave dhe korrupsionit të nivelit të lartë mbetet i pamjaftueshëm dhe hetimet financiare duhet të zhvillohen më tej.

Për drejtat themelore, duhen intensifikuar përpjekjet për zbatimin e kornizës ligjore dhe atë të politikave. Është bërë përparim në përdorimin e alternativave të burgimit. Ka pasur disa përparime në të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, sa i përket vlerësimit biopsikosocial. Procesi i regjistrimit të parë të pronave dhe proceset e tjera kalimtare duhet të avancojnë me transparencë të plotë, duke përfshirë edhe trajtimin e korrupsionit. Për mbrojtjen e pakicave kombëtare, miratimi i legjislacionit të mbetur zbatues nuk ka avancuar. Për më tepër, Shqipëria duhet të vendosë garanci të forta ligjore dhe institucionale për të parandaluar shkeljet e mëtejshme të të dhënave personale.

Shqipëria ndodhet mes njëfarë niveli dhe nivel mesatar përgatitjeje në fushën e lirisë së shprehjes. Është bërë përparim i kufizuar. Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës kanë vazhduar të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë. Atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatave të shpifjeve dhe padive për frikësim ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar.

Zbatimi i buxhetimit me fokus gjinor vazhdoi të përmirësohet. Që nga janari i vitit 2022, qeveria shqiptare ka zbatuar një sërë masash që synojnë mbështetjen e familjeve, grave dhe vajzave, si dhe grupeve të cënueshme, si përgjigje ndaj krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës. Është rritur ndjeshëm ndihma ekonomike për viktimat e dhunës në familje. Zbatimi i ligjit për barazinë gjinore dhe i strategjisë kombëtare për gjininë duhet intensifikuar më tej.

Kuadri ligjor për migracionin është gjerësisht në përputhje me acquis të BE-së, por ka nevojë për përditësim në përputhje me zhvillimet nga ana e BE-së. Shqipëria ka kontribuar për menaxhimin e flukseve të përziera të migracionit drejt BE-së, duke bashkëpunuar për zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Shqipëria ka përfunduar një Marrëveshje të rishikuar Statusi me Frontex-in në shtator. Në vitin 2022, numri i migrantëve të parregullt që hyjnë në Shqipëri u reduktua me 34% krahasuar me vitin 2021. Nuk është bërë përparim në referime dhe qasje në procedurat e azilit, si dhe ka ende mangësi në procedurat e kthimit. Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të trajtuar nevojat e të miturve të pashoqëruar dhe për ta harmonizuar politikën e vet të vizave me atë të BE-së. Megjithëse numri i kërkesave për azil të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në Shtetet Anëtare të BE-së dhe vendet që lidhen me Schengen-in mbetet më i ulët se niveli para pandemisë, ai u rrit sërish në vitin 2022. Për të trajtuar këtë fenomen nevojiten ende përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme.

Për sa i përket kritereve ekonomike, Shqipëria ka një nivel midis mesatares dhe nivelit të mirë të përgatitjes për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale, si dhe ka bërë disa përparime në trajtimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. Ekonomia tregoi elasticitet dhe rritja e PBB-së mbeti e fortë në vitin 2022, pavarësisht pasojave ekonomike nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Shqipëria ka nivel përgatitjeje për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së, si dhe ka bërë disa përparime në reformat strukturore në tregun e energjisë, infrastrukturën e transportit, digjitalizimin e ekonomisë dhe rezultatet e arsimit, megjithëse ka ende boshllëqe të konsiderueshme me nivelet rajonale dhe evropiane.

Për sa i përket prokurimit publik, Shqipëria është mesatarisht e përgatitur dhe ka bërë njëfarë përparimi, veçanërisht nëpërmjet rritjes së përdorimit të kritereve ekonomikisht më të favorshme për dhënien e tenderave. Për sa u përket statistikave, Shqipëria është mesatarisht e përgatitur dhe ka bërë njëfarë përparimi në përafrimin e mëtejshëm me standardet e Sistemit Evropian të Llogarive Kombëtare dhe Rajonale (ESA 2010), si dhe në hapat për forcimin e rolit të Institutit të Statistikave. Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në fushën e kontrollit financiar, ku është bërë njëfarë progresi, veçanërisht me përditësimet e kuadrit ligjor për kontrollin e brendshëm dhe auditimin e brendshëm, si dhe zbatimin e dokumentit të politikave për forcimin e kontrollit të brendshëm financiar publik, dhe ka vazhduar të synojë auditimet e brendshme për detyrimet e prapambetura.

Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në shumicën e fushave të tregut të brendshëm, përkatësisht lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, shërbimet financiare dhe politikën e konkurrencës. E njëjta gjë vlen edhe për të drejtën e shoqërive tregtare dhe të drejtën e pronësisë intelektuale. Është bërë njëfarë progresi në të drejtat e pronësisë intelektuale dhe në lëvizjen e lirë të anëtarëve të familjeve të qytetarëve të BE-së, si dhe në shërbimet financiare. Megjithatë, nuk është bërë përparim në politikën e konkurrencës, ku Komisionit të Ndihmës Shtetërore ende i mungon pavarësia operacionale. Përgatitjet janë në një fazë të hershme për mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit, ku vendi ka bërë përparim të kufizuar. Njëfarë progresi është bërë edhe në lëvizjen e lirë të kapitalit, gjë që çoi në heqjen e vendit nga lista e juridiksioneve të FATF-së nën monitorim të shtuar.

Shqipëria ka arritur një nivel mesatar përgatitjeje në shumë fusha që lidhen me konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, përkatësisht taksat, politikat e sipërmarrjeve dhe ato industriale, politika sociale dhe punësimi, arsimi dhe kultura, si dhe bashkimi doganor. E njëjta gjë vlen edhe për transformimin digjital dhe median, ku vendi ka bërë progres të mirë, duke përfshirë edhe anëtarësimin në programin Evropa Digjitale në qershor 2023. Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në fushën e shkencës dhe kërkimit. Vendi ka arritur një nivel mesatar deri në të mirë përgatitjeje në politikën ekonomike dhe monetare, pasi qeverisja dhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë ishin me vend dhe efektive në përballjen e krizës së shkaktuar nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës; nevojiten më shumë përpjekje për pavarësinë e saj. Me përparimin e kufizuar të bërë në bashkimin doganor, kërkohen gjithashtu më shumë përpjekje për vijimin e luftës kundër kontrabandës, korrupsionit dhe importeve të produkteve të falsifikuara.

Për sa i përket agjendës së gjelbër dhe lidhshmërisë së qëndrueshme Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në fushën e transportit, rrjeteve trans-evropiane, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, si dhe ka një nivel mesatar deri në të mirë në lidhje me energjinë. Vihet re progres në reformën e tregjeve të energjisë elektrike të ditës në avancë dhe tregjeve brenda ditës, në ankandet e energjisë së rinovueshme dhe zhvillimin e rrjeteve të transportit dhe energjisë rajonale. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për energjinë e rinovueshme dhe efiçencën e energjisë. Shqipëria ka ratifikuar pjesëmarrjen në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian dhe është aktive në të. Për mjedisin dhe klimën, nevojiten përpjekje të mëtejshme për menaxhimin e ujit dhe mbetjeve, zbatimin e ligjit mjedisor dhe mbrojtjen e natyrës. Ky grupim dhe reformat në fjalë kanë lidhje të rëndësishme me programin e reformës ekonomike të Shqipërisë, planin ekonomik dhe të investimeve të Komisionit, si dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Shqipëria duhet të trajtojë planifikimin strategjik të investimeve dhe kapacitetin e zbatimit dhe monitorimit të projekteve të infrastrukturës.

Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në shumicën e fushave që lidhen me burimet, bujqësinë dhe politikën rajonale dhe kohezionin, përkatësisht bujqësinë dhe zhvillimin rural, politikën veterinare dhe fitosanitare, si dhe dispozitat financiare dhe buxhetore. Ka një nivel  mesatar përgatitjeje në peshkim dhe akuakulturë, si dhe në politikën rajonale. Është vërejtur njëfarë progresi në shumicën e fushave të mbuluara, veçanërisht me miratimin e Ligjit për Verën dhe në lidhje me kapacitetet administrative për instrumentin për asistencë para anëtarësimit për programin e zhvillimit rural (IPARD III). Nevojiten përpjekje të mëtejshme në politikën rajonale, veçanërisht në kapacitetin administrativ dhe koordinimin ndërmjet niveleve qendrore, vendore dhe bashkiake, si dhe dispozitat financiare e buxhetore.

Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitjeje për sa i përket marrëdhënieve të jashtme, sigurisë së jashtme dhe mbrojtjes. Në marrëdhëniet e jashtme, Shqipëria ka bërë njëfarë përparimi, duke e përafruar më tej legjislacionin e vet me acquis të BE-së për parandalimin e tregtisë së mallrave të caktuara që mund të përdoren për dënimin me vdekje dhe torturën. Për sa i përket politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, Shqipëria ka mbajtur përputhje të plotë me të gjitha vendimet dhe deklaratat përkatëse të BE-së gjatë periudhës raportuese. Si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nga janari 2022, Shqipëria vazhdon të angazhohet në mënyrë aktive për promovimin dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, si dhe të Grave, Paqes dhe Sigurisë.

Datat kryesore

Qershor 2003: Samiti i Selanikut BE-Ballkani Perëndimor konfirmon perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Qershor 2006: Nënshkruhet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

Prill 2009: Hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri. Shqipëria paraqet kërkesën për anëtarësim në BE.

Nëntor 2010: Komisioni Evropian nxjerr Opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, duke përfshirë një grup prej 12 prioritetesh kyçe që duhen përmbushur në funksion të hapjes së negociatave të anëtarësimit.

Dhjetor 2010: Udhëtim pa viza në zonën Schengen për qytetarët e Shqipërisë.

Qershor 2014: Këshilli Evropian i jep Shqipërisë statusin kandidat për anëtarësim në BE.

Prill 2018: Komisioni Evropian rekomandon që Këshilli të vendosë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në dritën e progresit të arritur, duke ruajtur dhe thelluar vrullin aktual të reformës.

Qershor 2018: Këshilli përcakton rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit me vendin, në varësi të progresit të bërë.

Maj 2019: Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Shkurt 2020: Metodologjia e rishikuar, e paraqitur nga Komisioni, për të çuar përpara procesin e zgjerimit me një drejtim më të fortë politik dhe në një mënyrë më të besueshme, të parashikueshme dhe dinamike.

Mars 2020: Këshilli Evropian vendos hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Tetor 2020: Komisioni Evropian miraton një Plan Ekonomik dhe të Investimeve për ta mbështetur dhe për ta sjellë Ballkanin Perëndimor më pranë BE-së.

Maj 2021: Komisioni Evropian informon Këshillin se Shqipëria ka plotësuar kushtin e mbetur për t'u përmbushur përpara mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare të negociatave të anëtarësimit.

Korrik 2022: Konferenca e parë Ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit (IGC) – nis shqyrtimi analitik i acquis (“screening”).

Korrik 2023: Komisioni Evropian i paraqet Këshillit raportin e shqyrtimit mbi grupkapitujt e “Bazave”, duke përfshirë piketat për hapjen e negociatave të anëtarësimit për këtë grupim.

Nëntor 2023: Komisioni miraton një Plan të ri Rritjeje për Ballkanin Perëndimor.

Për më shumë informacion:

Raporti për Shqipërinë 2023

Komunikatë mbi Politikën e Zgjerimit të BE-së 2023

Skedë informative e Paketës së Zgjerimit Shqipëri 2023