Intervista e Ambasadores së BE-së, Christiane Hohmann për Vizion+
Gazetarja: Zonja Ambasadore, faleminderit për mundësisë për të folur për të ardhmen e vendit tim në Bashkimin Evropian. Para së gjithash, desha t’ju pyes si e pritët emërimin si Ambasadore e BE-së në Shqipëri? Kishit dëgjuar më parë për vendin tim?
Ambasadorja: Po, sigurisht, kam dëgjuar shumë për Shqipërinë, të gjithë kanë dëgjuar. Ju ndoshta e dini se para dy vjetësh kam qenë ambasadore e Gjermanisë në Bosnje-Hercegovinë, pra kam jetuar në rajon, por asnjëherë nuk kisha qenë në Shqipëri, e pranoj këtë. Për herë të parë kam ardhur në këtë vend më 1 gusht, kur mbërrita këtu për këtë pozicion, por kur isha në Bosnje-Hercegovinë dëgjonim shumë për Shqipërinë si një vend i thesareve të fshehura që duhej vizituar, për ngrohtësinë e njerëzve, për ushqimin e shkëlqyer, por edhe për këtë atmosferë të veçantë që ka vendi, që do të thotë se ka lëvizje, diçka që e vlerësojmë shumë, sidomos kur shihnim shumë vendnumëro në Bosnje. Këtu shihnim që po ndodhnin gjëra dhe më pas të gjithë në Evropën Perëndimore dëgjuan për tërmetin shkatërrimtar të vitit 2019, pastaj Covid na goditi të gjithëve, pra kishte shumë vështirësi që vendi duhej të përballonte dhe mund t’ju them se kemi përdorur shembullin e reformës së shtetit ligjor, sidomos vetingun, si një shembull se si mund të punohet për të ndërtuar një sektor të besueshëm të shtetit ligjor.
Gazetarja: Dua t’ju pyes për sulmet kibernetike që po ndodhin prej javësh në Shqipëri. Është deklaruar se prapa tyre qëndron Irani. Çfarë ndihme mund të ofrojë BE-ja për Shqipërinë?
Ambasadorja: BE-ja, pra institucionet e BE-së, por edhe Shtetet Anëtare po e ndihmojnë Shqipërinë për të ndërtuar një qëndrueshmëri më të mirë ndaj sulmeve kibernetike. Sulmet në korrik, por edhe sulmet e fundit në shtator, na kanë treguar se kemi ende shumë për të bërë. Por ka qenë shumë e qartë, Përfaqësuesi i Lartë Borrell ka dalë me një deklaratë që i dënon këto sulme në emër të të gjithë Bashkimit Evropian, çka do të thotë se ai flet në emër të 27 Shteteve Anëtare. Me këtë ne gjithashtu po përmbushim premtimin tonë se do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë, dhe këtë do ta përshpejtojmë sidomos duke sjellë më shumë ekspertë, sidomos tani, për qëndrueshmërinë e sistemit, për t’u mbrojtur më mirë ndaj sulmeve armiqësore.
Gazetarja: Le të flasim për procesin e integrimit. Tani Shqipëria ka hyrë në udhën e integrimit. Procesi i parë njihet si shqyrtimi analitik. Çfarë do të thotë kjo dhe sa kohë duhet për ta përmbushur?
Ambasadorja: Siç e dini, ajo që quhet acquis është korpusi juridik i Bashkimit Evropian, të gjitha rregullat, ligjet dhe procedurat të cilave duhet t’u përmbahesh kur bëhesh anëtar ose kur dëshiron të bëhesh anëtar. Edhe Shtetet Anëtare duhet t’u përmbahen atyre. Pra, ajo çka po bëhet tani dhe që quhet screening, shqyrtimi analitik i legjislacionit, është për të parë se ku qëndron Shqipëria në krahasim me acquis e Bashkimit Evropian, pra është legjislacioni sipas këtij kuadri apo jo? Këtu përfshihen edhe planet se si të arrihet dhe të transpozohet legjislacioni evropian dhe normat në ligjet, rregullat dhe normat e Shqipërisë. Pra, është diçka e dyfishtë, ne shohim se cila është gjendja për momentin, por edhe se si është plani për ta arritur këtë.
Gazetarja: Do të duhet një kohë e gjatë për ta përmbushur këtë proces? Një vit, dy, apo varet nga reformat?
Ambasadorja: Janë dy gjëra. E para, sigurisht që kërkon kohë, sepse ka shumë të ashtuquajtur kapituj, pasi ka shumë fusha të veçanta, për shembull, politikat e bujqësisë, peshkimit, ligji i punës, pra, gjithçka është e përfshirë, dhe duhet vërtet kohë për t’u ulur dhe për t’i krahasuar. Pra, llogarisim përafërsisht një vit për të gjithë këtë proces derisa ta kemi përfunduar të gjithin, pastaj do të kemi raportet analizuese për secilin prej të ashtuquajturve kapituj. Ne i kemi grupuar disa kapituj së bashku dhe kemi gjashtë grupime, që ndahen në një numër të ndryshëm kapitujsh dhe pastaj u prezantohen Shteteve Anëtare të BE-së. Komisioni Evropian bën punën e tij dhe ua paraqet rezultatet Shteteve Anëtare të BE-së dhe kjo është shumë rëndësishme, pasi ato i shqyrtojnë, plus reformat e sundimit të ligjit, reformat ekonomike dhe sociale në Shqipëri për të parë nëse bien dakord që të vazhdojmë me hapin tjetër, i cili është fillimi i vërtetë i negociatave.
Gazetarja: Ka ndonjë renditje kur flasim për hapjen e kapitujve? Si ndodh procesi?
Ambasadorja: Kemi një renditje të grupimeve, në metodologjinë e re nuk ka më kapituj individualë si më parë. Për ta bërë më të thjeshtë për t’u kuptuar, kemi të ashtuquajturit grupime dhe njëri është thelbësor, ai që e quajmë Parimet Themelore, që përfshin sundimin e ligjit, demokracinë, por edhe prokurimin publik, administratën publike dhe statistikat. Ky është grupimi numër një, i pari që do të hapet, por edhe i fundit që do të mbyllet, çka mundëson reagimin ndaj zhvillimeve në vend. Kjo nënkupton edhe se nëse procesi i reformave vazhdon si duhet, atëherë kjo do të kalojë me lehtësi, por nëse ka vonesa apo kthime pas, i gjithë procesi do të vonohet. Është një kombinim i shqyrtimit analitik, por është edhe një proces shumë politik, sepse është thelbësore që vullneti politik t’i vazhdojë me vendosmëri reformat, pasi nëse mbetet në vend, i gjithë procesi do të mbesë në vend.
Gazetarja: Pra, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit do të jenë më të rëndësishmet dhe më të vështirat për Shqipërinë?
Ambasadorja: Ato vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes, mund t’ju them edhe në qendër të vëmendjes së Shteteve Anëtare të BE-së, pasi është e rëndësishme të kuptohet që Shtetet Anëtare të BE-së marrin vendimin se si do të ecet me këtë proces. Ky është edhe besimi që ata i japin vullnetit politik shqiptar dhe rrugës së reformave për të ecur përpara me procesin apo për të thënë, jo, nuk kemi parë progres të mjaftueshëm, prandaj nuk do të vazhdojmë. Kështu që është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar që sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe pastrimit të parave janë thelbësore dhe duhet të mbeten thelbësore. Është arritur shumë dhe askush nuk mund ta mohojë këtë, por mbetet ende shumë për të bërë.
Gazetarja: Çfarë kërkon BE-ja nga aktorët politikë, sidomos nga qeveria dhe opozita për të ecur shpejt me procesin?
Ambasadorja: Ka disa aspekte. I pari është, sigurisht, që duhen kaluar shumë ligje. Parlamenti luan një rol vendimtar këtu në Shqipëri, sepse nëse merrni për shembull, sektorin e bujqësisë, ka mbi 70 ligje që duhen hartuar, diskutuar dhe miratuar në Parlament, si dhe duhen zbatuar, sepse është shumë e rëndësishme që ligjet jo vetëm të kalohen, por ato duhet të bëhen realitet në këtë vend, ato duhen përdorur dhe zbatuar në realitet. Kështu funksionon parimi i kontrollit. Aspekti tjetër që mendoj se është shumë i rëndësishëm, përtej kësaj, sipas mendimit tonë është që procesi i anëtarësimit duhet diskutuar në mënyrë aktive me popullsinë e vendit. Njerëzit duhet ta dinë se çfarë po ndodh, ata duhet ta dinë se çfarë reformash do të bëhen dhe kjo është, para së gjithash, përgjegjësi e qeverisë dhe anëtarëve të parlamentit, të cilët janë përfaqësuesit e zgjedhur nga populli i këtij vendi. Edhe ne do të bëjmë pjesën tonë, kjo është e sigurt, por hapat e parë duhen bërë këtu në vend, duke përfshirë në këtë diskutim shoqërinë civile dhe publikun.
Christiane Hohmann, Ambasadore e BE-së në Shqipëri
Gazetarja: Këto reforma dhe ligje do të jenë të prekshme për qytetarët, jo thjesht në letër. Kjo është shumë e rëndësishme. Kemi gjashtë vjet që kemi bërë reformën në drejtësi, por qytetarët tani nuk po shohin rezultatet e premtuara.
Ambasadorja: Kanë kaluar gjashtë vjet nga kalimi i kësaj reforme themelore në drejtësi përmes procesit të vetingut dhe kjo, pikë së pari, na ka ndihmuar të pastrojmë sektorin, por nuk kemi mbaruar, dhe së dyti, duhet të sigurohemi se është rrënjosur fort dhe se do të zbatohet edhe në periudhën afatgjatë, jo vetëm në periudhën afatshkurtër. Pra, duhet marrë vërtet seriozisht, që të kemi standarde të larta profesionale të prokurorëve, gjyqtarëve, në mënyrë që sistemi të nisë të japë drejtësi, që njerëzit të kenë ndjesinë se tani kanë mundësi të barabartë për të shkuar në gjykatë. Pra, është diçka që duhet të ndryshojë edhe për njerëzit në realitet. Të gjitha këto reforma do të prekin gjithçka, dua të them, që nga rregullat e trafikut deri te siguria e produkteve, sektorin fitosanitar apo rregullat e sigurisë, apo për shembull, rregullat për sigurinë e ushqimeve. Të gjitha duhen zbatuar, çka prek fermerët kur shkojnë në treg, sepse ata duhet të përmbushin disa standarde të caktuara. Pra, të gjitha këto duhen zbatuar hap pas hapi dhe do të bëhen të vlefshme, çka do të thotë gjithashtu se do të kenë ndikim te të gjithë këtu në Shqipëri. Ajo që është me rëndësi të shtoj është se do të jetë një proces shumë gjithëpërfshirës. Por ne jemi këtu për ta ndihmuar vendin, jo vetëm që qeveria të hartojë ligje, por edhe me zbatimin, si dhe për të ndihmuar me procesin e tranzicionit që do të jetë thelbësor. Ky vend do të duket ndryshe kur të bashkohet me Bashkimin Evropian, kjo është e sigurt.
Gazetarja: Qeveria po ndërmerr disa reforma, pasaporta e artë, amnistia fiskale, legalizmi i kanabisit për qëllime mjekësore. Ndoshta nuk i keni takuar të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces, por sa e rëndësishme është që gjithë reformat e ndërmarra nga qeveria të jenë në përputhje me mënyrën si funksionin BE-ja?
Ambasadorja: Është shumë e rëndësishme, pasi siç e përmenda më parë, kemi korpusin e legjislacionit, dhe sigurisht ne presim që të mos kalohet asnjë ligj që e shkel këtë korpus ligjor të BE-së. Ky është një fakt dhe tjetri, siç e thashë më parë, është që Shtetet Anëtare të BE-së po e ndjekin me shumë kujdes gjithë zhvillimin në vend dhe nëse keni nisma ligjore që nuk përqendrohen tek përafrimi me korpusin ligjor të BE-së, por shkojnë në drejtim të kundërt, atëherë kjo do të ndryshojë edhe përshtypjen për vendin. Është çështje besimi dhe perceptimi, në kuptimin që a është drejtuar jeta politike në vend 100% drejt përafrimit me Bashkimin Evropian, çka do të thotë që pritshmëritë për çdo veprim të ndërmarrë do të shkojnë në këtë drejtim apo ka edhe veprime të tjera që lënë vend për të ngritur pyetje.
Gazetarja: Faleminderit, ishte kënaqësi. Le të shpresojmë se Shqipëria nuk do të bëhet anëtare pas njëzet vjetësh.
Ambasadorja: Shpresoj. Potenciali ekziston, nëse fokusi është vërtet këtu ka një shans që Shqipëria të ecë me shpejtësi. Pra, varet nga vendi, varet nga udhëheqja politike, por edhe përfshirja e popullit, çka është e rëndësishme për ne. Ky është një proces ku të gjithë duhet të mësohen me ndryshimet dhe populli shqiptar është mësuar me shumë ndryshime gjatë 30 viteve të fundit. Por, edhe një herë, kjo është një reformë me shtrirje të gjerë që do të prekë çdo fushë dhe është e rëndësishme që të ketë një debat publik. Njerëzit duhen përfshirë këtu që të kuptojnë që gjërat po ecin përpara, sepse duam të krijojmë vende pune cilësore këtu në vend, duam të krijojmë një të ardhme këtu në vend për shqiptarët dhe këtë duhet ta bëjmë së bashku.