Investimi në kapitalin njerëzor në Shqipëri: Një partneritet strategjik për integrimin në BE dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Opinion i përbashkët i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore në Shqipëri

Muaji tetor i këtij viti shënon 80 vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara, një simbol i angazhimit të njerëzimit për paqen, të drejtat e njeriut, dinjitetin dhe zhvillimin. Ndërsa vendet në mbarë botën punojnë në kuadër të Agjendës 2030 dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ), rrugëtimi i Shqipërisë tregon se si investimi te njerëzit bën të mundur nxitjen e progresit.

Duke nisur nga Pakti Botëror Digjital e deri te Samiti për Transformimin e Arsimit, mesazhi është i qartë: potenciali njerëzor është shtysa e vërtetë e ndryshimit. Për Shqipërinë, e cila është në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe po përballet me sfida të reja demografike, ky përvjetor shërben si kujtesë e pikës më të fortë të vendit: populli, veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë, çka përbën edhe faktorin kryesor për të ardhmen.

Në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE nëpërmjet zbatimit të Agjendës së Reformave 2024-2027 dhe mbështetjes së vazhdueshme financiare përmes Planit për Rritje të BE-së, Shqipëria has një sfidë vendimtare: shpalosja e potencialit të plotë të popullit të saj. Programi Qeverisës 2025-2029, që e vendos theksin te zhvillimi i kapitalit njerëzor nëpërmjet transformimit digjital, krijon një mundësi favorizuese të paprecedent.

Gatishmëria politike e fuqishme, reformat qeverisëse dhe llogaridhënia institucionale sigurojnë arritjen e rezultateve të investimeve. Sipas Indeksit të Kapitalit Njerëzor nga Banka Botërore, fëmijët shqiptarë të lindur në periudhën aktuale do të arrijnë vetëm 63% të produktivitetit të tyre potencial, një shifër nën mesataren rajonale prej 69%. BE-ja, OKB-ja dhe Banka Botërore në Shqipëri janë të gatshme të mbështetin ndërhyrjet me në qendër njerëzit, pasi e konsiderojnë kapitalin njerëzor si nxitësin kryesor të rritjes së qëndrueshme.

Sfida dhe mundësia

Censusi i vitit 2023 në Shqipëri nxori në pah zvogëlimin e popullsisë në 2,4 milionë banorë, një rënie prej 420.000 banorësh nga viti 2011, e shkaktuar nga emigrimi dhe ulja e lindshmërisë në 1,21 fëmijë për grua. Duke qenë se varfëria prek 19,2 për qind të shqiptarëve dhe 26,6 për qind të fëmijëve (2024), investimet e synuara mund të zhbëjnë ciklet ndërbreznore, duke krijuar njëkohësisht një fuqi punëtore të aftë, për të cilën Shqipëria ka nevojë.

Investimet aktuale janë dukshëm të pamjaftueshme. Shpenzimet për arsimin janë në masën 3,1% të PBB-së. Mbrojtja sociale në masën 9,6% të PBB-së është ndjeshëm larg mesatares prej 20,5% të BE-së. Këto hendeqe paraqesin mundësi për investime strategjike.

Ngritja e bazave: Zhvillimi në fëmijërinë e hershme

Në Shqipëri, vetëm 15% e fëmijëve nën moshën tre vjeç janë pjesë e programeve të të nxënit të hershëm, krahasuar me mesataren prej 35,5% të BE-së. Për rrjedhojë, Shqipëria po anashkalon mundësinë më të vlefshme për arritjen e prosperitetit.

Arsimi parashkollor cilësor zhvillon aftësitë e të nxënit, duke qenë favorizues gjatë gjithë jetës. Rezultatet e PISA 2022, ku 15-vjeçarët shqiptarë u shfaqën shumë herë më të papërgatitur sesa ata në vendet e OECD-së, nxjerrin në pah nevojën urgjente për forcimin e bazave të njohurive.

Zgjerimi strategjik kërkon përmirësime cilësore, që integrojnë të kuptuarit bashkëkohor të zhvillimit të fëmijës, formimin e mësuesve dhe mjediset e të nxënit të shekullit XXI. Mbështetur te Garancia e BE-së për Fëmijët, investimet mund të shfrytëzojnë përhapjen e pajisjeve celulare në Shqipëri (96%) për të angazhuar prindërit në mënyrë novatore. Modelet progresive të vizitave në shtëpi e shndërrojnë mbrojtjen sociale në fuqizim.

Fuqizimi i të rinjve: Aftësimi dhe kalimet drejt punësimit

Në kushtet ku 22.2% e të rinjve të moshës 15-29 vjeç janë të papunë dhe nuk ndjekin arsimin, një përqindje kjo shumë herë më e lartë sesa mesatarja e BE-së, nevoja për ndërhyrje gjithëpërfshirëse është urgjente.

Ndërsa Shqipëria përqafon tranzicionet digjitale, investimet në aftësim digjital bëhen të domosdoshme. Programet e përbashkëta të financimit në kuadër të OZHQ-ve, si LEAP (Fuqizimi dhe Mbrojtja Gjatë Gjithë Jetës), DART (Transformimi Digjital Bujqësor dhe Rural), dhe Qasja Shumëbreznore, tregojnë se si ndërhyrjet e integruara trajtojnë punësimin, boshllëqet në aftësi dhe përfshirjen sociale. Bashkërendimi i programit LEAP me mbi 160 milionë euro në bashkëfinancim, duke përfshirë programet e financimit nëpërmjet Instrumentit të BE-së për Reformë dhe Rritje dhe Garancisë Rinore, krijon investime transformuese, që përforcojnë kapitalin njerëzor. Nismat sektoriale, si udhërrëfyesi për turizmin, përfshijnë edhe punëtorët sezonalë në mbrojtjen sociale, ndërsa krijojnë mundësi për punë të denjë.

Programet e zhvilluara të Garancisë Rinore me qendrat e karrierës mund t’i përmirësojnë rezultatet ndjeshëm. Angazhimi i diasporës dhe lehtësimi i kthimit të emigrantëve mundëson shfrytëzimin e aftësive të vyera dhe inovacionit. Këto qasje duhet të shoqërohen me zhvillimin e sektorëve me vlerë të lartë, si TI-ja, energjia e ripërtëritshme, shërbimet digjitale dhe turizmi i qëndrueshëm, duke krijuar mundësi për karrierë kuptimplotë dhe mbajtjen e talenteve.

Veprimet strategjike për transformim

Ndërhyrjet duhet të udhëhiqen nga zhvillimi gjithëpërfshirës i kapitalit njerëzor, i mbështetur te kohezioni social, barazia dhe moslënia e askujt pas. Suksesi kërkon ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta nga qeveria, shoqëria civile, sektori privat dhe partnerët ndërkombëtarë. Alokimi strategjik duhet t’i japë përparësi cilësisë, krahas aksesit. Zhvillimi profesional i mësuesve, programet pas shkolle, dhe sistemet e trajnimit mund të përmirësojnë rezultatet.

Sa u përket tregjeve të punës, vëmendja duhet të jetë te pjesëmarrja e grave dhe grupeve të cenueshme. Qasja e Ekonomisë së ofrimit të kujdesit, që përfshin shërbimet e kujdesit për fëmijët, mund të rrisë pjesëmarrjen e grave në punë nga 61,6% në nivelin e standardeve rajonale. Investimi në kujdesin për fëmijët dhe të moshuarit shërben për trajtimin e sfidës demografike të Shqipërisë. Me plakjen në nivelin thuajse 20%, Shqipëria është ndër vendet e para që ndjekin “Ekonominë e dinjitetit” sa i përket kujdesit afatgjatë, duke i ristrukturuar shërbimet si një e drejtë sociale dhe mundësi për punësim.

Sistemet e mbrojtjes sociale ofrojnë transformimin në platforma zhvillimore. Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes Sociale 2024-2030, me një alokim fondesh prej 2,5 miliardë eurosh, paraqet potencial domethënës nëse do të orientohet drejt përmirësimit të kapitalit njerëzor. Mbështetja e integruar, që lidh familjet me kujdesin shëndetësor, formimin, arsimimin dhe punësimin, bën të mundur shndërrimin e ndihmës në fuqizim.

Këto investime strategjike duhet të sjellin përmirësime të matshme në planin afatmesëm: Rritje të rezultateve PISA me 25-30 pikë, ulje të shkëputjes së të rinjve në 9% (objektiv i BE-së) dhe zvogëlim të varfërisë së fëmijëve. Ecuria do të ndiqet nëpërmjet monitorimit të qëndrueshëm dhe raportimit të bazuar te provat gjatë procesit të negociatave për aderimin e Shqipërisë.

Hapat e mëtejshëm

Mundësia për ndërhyrje demografike është e kufizuar, por ndërmarrja e veprimeve vendimtare tani do të përcaktojë pozicionin konkurrues të Shqipërisë për dekadat e ardhshme. Investimet strategjike janë të domosdoshme për aftësinë ripërtëritëse, inovacionin dhe paqen.

Ne, pra BE-ja, OKB-ja dhe Banka Botërore në Shqipëri, i qëndrojmë angazhimit për forcimin e partneritetit me Shqipërinë, duke punuar jo thjesht si donatorë, por edhe si partnerë bashkëpunues për ndikim. Ky vizion partneriteti pasqyron drejtpërdrejt ambicien e Samitit të Dytë Social Botëror, që do të mbahet në Doha nga data 4 deri më 6 nëntor, ku synohet rinovimi i kontratës sociale botërore duke i pozicionuar njerëzit, përfshirjen dhe drejtësinë në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm, për të siguruar se askush nuk do të mbetet pas në përmbushjen e thirrjes së Deklaratës Politike për një të ardhme me në qendër njeriun.

Me pozicionimin e kapitalit njerëzor në qendër të agjendës për zhvillim, me fokus te zhvillimi në fëmijërinë e hershme dhe fuqizimi i të rinjve, Shqipëria do të mund të shpalosë potencialin e plotë të popullit të saj, të nxisë rritjen e qëndrueshme dhe të krijojë kushtet për prosperitet, duke i dhënë anëtarësimit në BE një domethënie të shtuar përtej reformave institucionale. Ky rrugëtim kërkon angazhim të qëndrueshëm, por shpërblimet, pra fuqia punëtore e aftësuar, ekonomia dinamike dhe një shoqëri e drejtë, e bëjnë atë thelbësor për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.