Komisionet për Çështjet Ligjore dhe Administrimin e Drejtësisë në Procesin e Integrimit Evropian (Shqipëri - Rumani - Moldavi)

Zonja dhe zotërinj,

  • Është një nder t'ju drejtohem sot për një temë që qëndron në zemër të qeverisjes demokratike: roli i Parlamentit në reformën në drejtësi dhe ekuilibri mes mbikëqyrjes institucionale dhe pavarësisë gjyqësore.

  • Më lejoni, së pari, të përgëzoj Shqipërinë për përmbushjen e kritereve të ndërmjetme të anëtarësimit në BE mbi sundimin e ligjit dhe themeloret. Kjo është një arritje historike që e sjell Shqipërinë edhe një hap të madh më pranë BE-së. Në një pjesë jo të vogël, kjo arritje i detyrohet reformës së rreptë në drejtësi të vitit 2016 dhe zbatimit të saj të mirë në vazhdimësi.

  • Përvoja e reformës në drejtësi në Shqipëri ofron mësime që rezonojnë përtej kufijve të saj – mësime se si një demokraci mund ta transformojë gjyqësorin e saj duke e mbrojtur pikërisht nga ato presione politike që kërkon të eliminojë.

[Mekanizmat e emërimit]

  • Kur flasim për rolin e Parlamentit në reformën në drejtësi, duhet të jemi të saktë: përfshirja nuk është e njëjta gjë me kontrollin. Reforma në drejtësi në Shqipëri e ka përcaktuar këtë kufi me kujdes dhe qëllimisht.

  • Parlamenti ka ruajtur disa kompetenca emërimi, por pa mundësinë për të bllokuar institucionet e drejtësisë. Parlamenti nuk ka fuqi për të shkarkuar anëtarët e institucioneve të drejtësisë apo për të vendosur masa disiplinore.

  • Marrëdhënia mes Parlamentit dhe Këshillave të Lartë të Drejtësisë është ndër më delikatet në arkitekturën kushtetuese. Këshillat janë të pavarura, por jo të mbyllura hermetikisht nga jeta demokratike.

  • Kujtoni emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Parlamenti hedh atë votë që, në fakt, është votë miratimi me shumicë të kualifikuar. Por përzgjedhja dhe vlerësimi kryhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Nëse Parlamenti nuk arrin shumicën e kërkuar pas tre raundeve, propozimi i parë i Këshillit emërohet automatikisht. Parlamenti merr pjesë në proces, por nuk mund ta mbajë peng atë.

  • Një logjikë e ngjashme vlen edhe për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

  • Kompleksiteti i këtyre mekanizmave nuk është i rastësishëm. Ai ekziston për të ruajtur një marrëdhënie të ngushtë mes Parlamentit dhe gjyqësorit, duke e penguar ndikimin apo dinamikën politike që të kompromentojë meritokracinë e procedurave të emërimit.

  • Kjo marrëdhënie kërkon dialog të vazhdueshëm, por një gjë është e sigurt. Siç e ka vënë në dukje vazhdimisht BE-ja, arkitektura e reformës në drejtësi në Shqipëri ka një kuadër ligjor dhe institucional që garanton një ekuilibër të drejtë mes llogaridhënies dhe pavarësisë. Është e rëndësishme që të gjitha institucionet përkatëse të punojnë drejt arritjes së këtij qëllimi.

  • Pavarësia e institucioneve të drejtësisë është një parim thelbësor i demokracive moderne dhe duhet mbrojtur nga ndikimi i padrejtë, qoftë ai politik, institucional apo shoqëror.

  • Në të njëjtën kohë, pavarësia duhet të balancohet me mekanizma efektivë të llogaridhënies, përfshirë raportimin. Këto raporte, normalisht, duhet të përmbajnë të dhëna mbi ngarkesën e çështjeve, kohëzgjatjen, procedurat disiplinore, realizimin e buxhetit dhe zbatimin e reformës. Ato janë instrumente të llogaridhënies demokratike.

  • Çdo vit, institucionet e drejtësisë raportojnë para Parlamentit dhe u përgjigjen pyetjeve të deputetëve. Parlamenti mund të miratojë rezoluta që përcaktojnë prioritetet për vitin pasardhës. Vitin e kaluar, SPAK-u raportoi para Parlamentit për më shumë se katër orë. Kjo është llogaridhënie në formën e duhur: e hapur, thelbësore dhe publike.

  • Bashkëpunimi mes Parlamentit dhe Këshillave të Lartë kanalizohet edhe përmes proceseve të llogaridhënies, përkatësisht përmes raportimit vjetor dhe emërimit të anëtarëve jo-magjistratë. Ai funksionon më mirë kur të gjitha palët respektojnë kufijtë e mandateve të tyre përkatëse. Kur Parlamenti bën pyetje të thelluara për institucionet e drejtësisë, ai kryen një shërbim demokratik. Kur e përdor atë platformë për qëllime politike, minon vetë reformën që synon të mbështesë.

  • Ajo çka mund të bëjë më shumë Parlamenti për ta bërë raportimin edhe më kuptimplotë është të forcojë kapacitetin e tij për të bërë pyetje specifike të bazuara në të dhëna, të identifikojë boshllëqet sistemime, si dhe t’i reflektojë njohuritë e fituara në agjendën legjislative.

  • Më lejoni të theksoj shkurtimisht dy elementë të tjerë të sjellë nga reforma në drejtësi, të cilët do të diskutohen më hollësisht sot dhe nesër.

  • Së pari, vlerësimi sistematik i magjistratëve — një mekanizëm i projektuar jo vetëm për të matur performancën, por edhe për të ngulitur integritetin në sistem.

  • Në fakt, për ngritje të rëndësishme në detyrë, verifikimet e pasurisë dhe të së kaluarës janë të detyrueshme, për të garantuar jo vetëm kompetencën profesionale, por edhe integritetin personal.

  • Vlerësimet kryhen si nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ashtu edhe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në metodologji specifike. Ato formojnë thelbin e rrugës së përparimit në karrierë për gjithë magjistratët. Asnjë ngritje në detyrë nuk mund të bëhet pa përfunduar procedurat e duhura të vlerësimit.

  • Ndërtimi i kësaj tradite nuk ka qenë i lehtë. Një dekadë pa vlerësime la një boshllëk të vërtetë në kulturën institucionale dhe në pritshmëritë e magjistratëve. Por sistemi tashmë është funksional.

  • Sfida e ardhshme është garantimi i cilësisë së qëndrueshme të gjyqësorit, duke përfshirë uljen e mëtejshme të vlerësimeve të mbartura dhe përmirësimin e cilësisë së raporteve të vlerësimit. Ky është një prioritet për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

  • Së dyti, ndoshta asnjë mekanizëm në reformën në drejtësi nuk është më i ndërlikuar sesa përzgjedhja e anëtarëve jo-magjistratë për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

  • Nuk do të hyj në hollësitë e procesit, por më lejoni të jem i sinqertë: ky mekanizëm nuk ka qenë i përsosur. Në praktikë, sistemi i shortit, në disa raste, ka përcaktuar anëtarësimin me anëtarë jo-magjistratë, pasi Parlamenti nuk ka mundur të arrijë shumicën e kualifikuar të kërkuar.

  • Ndonëse kjo mundësi garanton shmangien e bllokimit, ajo nuk është ideale. Partitë politike duhet të bien dakord për kandidatët më të mirë – njerëz që tashmë janë filtruar përmes organeve të shumta të pavarura – në vend që t'i trajtojnë emërimet si një garë politike.

  • Megjithatë, nga ana pozitive, në kontekstin e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim në BE, kohët e fundit është arritur përparim i vërtetë në sistem me ndryshimet ligjore që zbatohen për emërimin e anëtarëve jo-magjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ata tani i nënshtrohen të njëjtave standardeve të meritës dhe integritetit si anëtarët magjistratë, duke përfshirë verifikimet e të kaluarës dhe deklaratat e pasurisë.

  • Në thelbin e saj, reforma në drejtësi është një projekt besimi. Besimi tek institucionet që janë të pavarura, kompetente dhe të përgjegjshme. Besimi te një Parlament që mbikëqyr pa kontrolluar. Besimi te një kuadër ligjor që parandalon bllokimin, ndërsa ruan meritokracinë. Dhe mbi të gjitha, besimi se i gjithë sistemi ofron shërbime për qytetarët.

  • Çdo cikël vlerësimi, çdo emërim transparent, çdo raport vjetor i paraqitur dhe i diskutuar publikisht nuk është thjesht një arritje e brendshme. Është një sinjal se Shqipëria e merr seriozisht angazhimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe se reforma në drejtësi është reale dhe e qëndrueshme.

  • Kjo është përmbajtja specifike dhe e matshme e detyrimeve të Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe do të vazhdojë të jetë thelbësore për ecjen përpara në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

  • Rruga nuk ka qenë pa të meta, por drejtimi është i saktë dhe arkitektura është e shëndoshë, mbështetur nga përputhshmëria e Shqipërisë me standardet e BE-së.

  • Përmirësimet janë gjithmonë të mundshme dhe gjithë aktorët përkatës – përfshirë shoqërinë civile dhe Parlamentin – kanë një rol të rëndësishëm. Por ky debat duhet të bazohet në një dialog konstruktiv, në argumente të bazuara në të dhëna dhe prova, në ekspertizë dhe, mbi të gjitha, në pakthyeshmërinë e reformave të arritura.

Faleminderit!