Komisioni Evropian dhe Shqipëria rishikojnë financimet e BE-së për vitin 2021

01.02.2022

Më 31 janar 2022, Komisioni Evropian dhe Qeveria e Shqipërisë zhvilluan takimin vjetor të Komitetit Monitorues për Instrumentin e Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA). Takimi u drejtua nga z. Ilir Beqaj, Koordinator Kombëtar i IPA-s, për palën shqiptare dhe nga znj. Michela Matuella, Drejtore e deleguar, Ballkani Perëndimor, për Komisionin Evropian.

 

U rishikua progresi i përgjithshëm i programeve në vazhdim të BE-së, duke përfshirë rindërtimin pas tërmetit dhe mbështetjen për COVID-19. Programi “BE për shkollat” hapi 19 shkolla të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, të cilat u rindërtuan sipas standardeve të BE-së, në dobi të 6.000 nxënësve. Përmes mbështetjes së BE-së për COVID-19, në vitin 2021 Shqipëria ka marrë rreth 500.000 doza vaksinash, së bashku me pajisjet për administrimin e vaksinave. Në fusha të tjera me përparësi është shënuar progres i mirë në zbatimin e reformës në drejtësi, përfshirë procesin e vetingut, si dhe në mbështetjen e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në fushën e politikës sociale janë arritur rezultate në modernizimin e shërbimeve të punësimit; përpjekjet duhet të vazhdojnë për të mbështetur grupet më të cenueshme.

 

U diskutua edhe për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe përgatitjet për programimin e fondeve të ardhshme. U vunë në dukje fushat që kërkojnë më shumë fokus, duke përfshirë nevojën për të vazhduar reformën në administratën publike dhe për të garantuar efektivitetin e strukturave të sapokrijuara për koordinimin e ndihmës financiare.