Koronavirus: Këshilli Evropian miratoi masa mbrojtëse shtesë për udhëtimet nga jashtë BE-së dhe përditësoi kriteret për zbatimin e kufizimeve të udhëtimit

25.01.2021

Sot Këshilli Evropian miratoi masa mbrojtëse dhe kërkesa shtesë për udhëtarët ndërkombëtarë në BE. Variantet e reja të koronavirusit dhe situata e paqëndrueshme shëndetësore në të gjithë botën kërkojnë veprime të mëtejshme për të siguruar që çdo udhëtim në BE të zhvillohet në mënyrë të sigurt. Për të pasqyruar këshillat më të fundit shkencore, Këshilli miratoi propozimin e Komisionit për përditësimin e kritereve, duke marrë parasysh përqindjen e testimit, pozitivitetin e testimit dhe zbulimin e varianteve shqetësuese kur vendoset për zbatimin e kufizimeve për udhëtimet jo të domosdoshme në BE për një vend specifik që nuk është anëtar i BE-së.

Masa mbrojtëse shtesë për udhëtimet nga jashtë BE-së

Shtetet Anëtare duhet të vendosin masa shtesë për të siguruar që udhëtimi në BE të bëhet në mënyrë të sigurt. Kjo ka të bëjë me ata që udhëtojnë në BE për arsye thelbësore, qytetarët e BE-së dhe rezidentët afatgjatë, si dhe anëtarët e familjeve të tyre dhe ata që udhëtojnë nga vendet për të cilat është hequr kufizimi për udhëtime jo të domosdoshme:

  • Testimi i detyrueshëm para nisjes: Shtetet Anëtare duhet të kërkojnë që udhëtarët të kenë kryer një test negativ COVID-19 PCR (reaksioni i zinxhirit polimeraz) ​​para nisjes dhe të paraqesin provën e një testi të tillë negativ. Testi duhet të bëhet jo më parë se 72 orë para nisjes; qytetarët e BE-së, rezidentët dhe anëtarët e familjeve të tyre, duhet të kenë mundësinë ta bëjnë testin pas mbërritjes. Testimi i detyrueshëm mund të kombinohet me një kërkesë për vetizolim, karantinë dhe gjurmim të kontakteve, si dhe testime të tjera sipas nevojës për një periudhë deri në 14 ditë, me kusht që Shteti Anëtar të vendosë të njëjtat kërkesa për shtetasit e tij kur udhëtojnë nga i njëjti vend jo anëtar i BE-së. Përjashtime mund të vendosen për disa kategori udhëtarësh të rëndësishëm, nëse kërkesa të tilla do të pengonin vetë qëllimin e udhëtimit. Në veçanti, punëtorët e transportit dhe ata ndërkufitarë duhet të përjashtohen nga kërkesa për të paraqitur një test negativ PCR dhe t’u kërkohet të paraqesin vetëm një test të shpejtë antigjen negativ pas mbërritjes. Ekzistojnë gjithashtu rregulla specifike për ekuipazhin. 

  • Masa më të rrepta për të trajtuar variantet shqetësuese të virusit: Për udhëtimet me origjinë nga vendet ku është zbuluar një variant shqetësues i virusit, Shtetet Anëtare duhet të vendosin sistematikisht masa sigurie si vetizolimi, karantina dhe gjurmimi i kontakteve për një periudhë deri në 14 ditë. Në veçanti, udhëtarëve duhet t'u kërkohet të karantinohen dhe të kryejnë teste të tjera në mbërritje apo pas mbërritjes.

  • Formulari i Përbashkët Evropian i Lokatorit të Pasagjerëve: Shtetet Anëtare duhet të kërkojnë nga ata që hyjnë në BE të paraqesin një Formular të Lokatorit të Pasagjerëve në përputhje me kërkesat e zbatueshme të mbrojtjes së të dhënave. Për këtë qëllim duhet të krijohet një Formular i Përbashkët Evropian i Lokatorit të Pasagjerëve.

 

Kritere të përditësuara

Kur merret në konsideratë nëse do të hiqen kufizimet për udhëtimet jo të rëndësishme në BE nga një vend jo anëtar i BE-së, Këshilli duhet të marrë parasysh përqindjen e njoftimit të rasteve, përqindjen e testimit, përqindjen e pozitivitetit të testit, si dhe incidencën e varianteve shqetësuese. Duhet të zbatohen kriteret e mëposhtme, që pasqyrojnë këshillat më të fundit shkencore:

  • Përqindja e njoftimit të rasteve COVID-19 për 14 ditë gjithsej (pra, numri i përgjithshëm i rasteve të sapo njoftuara COVID-19 për një popullsi prej 100.000 banorësh në 14 ditët e mëparshme në nivelin rajonal) jo më e lartë se 25;

  • Përqindja e testimit (pra, numri i testeve për infeksionin COVID-19 për një popullsi prej 100.000 banorësh të kryera shtatë ditët e mëparshme) më e lartë se 300;

  • Përqindja e pozitivitetit të testit (pra, përqindja e testeve pozitive midis të gjitha testeve për infeksionin COVID-19 të kryera në shtatë ditët e mëparshme) jo më e lartë se 4%;

  • Natyra e virusit të pranishëm në vend, veçanërisht nëse janë zbuluar variante shqetësuese të virusit.

Shtetet Anëtare duhet të vazhdojnë, gjithashtu, të marrin parasysh reciprocitetin dhënë vendeve të BE-së.

 

Përveç këtyre përditësimeve për udhëtimet nga jashtë BE-së, Komisioni ka prezantuar sot edhe një propozim për të përditësuar Rekomandimet e Këshillit që bashkërendojnë masat që prekin lëvizjen e lirë brenda BE-së.

 

Hapat e ardhshëm

Pas miratimit të propozimit, u takon Shteteve Anëtare të zbatojnë masat mbrojtëse shtesë të përcaktuara dhe të rishikojnë listën e vendeve jo-anëtare të BE-së prej të cilave duhet të hiqen kufizimet në dritën e kritereve të përditësuara. Këshilli duhet të vazhdojë rishikimin e listës së vendeve të përjashtuara nga kufizimi i udhëtimit çdo 2 javë, si dhe ta përditësojë atë kur është e nevojshme.

 

Konteksti

Një kufizim i përkohshëm për udhëtimet jo të rëndësishme në BE është aktualisht në fuqi nga shumë vende jo-anëtare të BE-së. Këshilli shqyrton rregullisht, dhe kur është e nevojshme përditëson, listën e vendeve nga ku është e mundur udhëtimi, bazuar në vlerësimin e situatës shëndetësore. Këshilli e përditësoi për herë të fundit këtë listë më 17 dhjetor 2020.

Ky kufizim mbulon vetëm udhëtimet jo të rëndësishme. Ata që kanë një arsye thelbësore për të shkuar në Evropë duhet të mund të vazhdojnë ta bëjnë këtë, në varësi të masave mbrojtëse të përshkruara në propozim. Kjo përfshin kategoritë e udhëtarëve të listuar në Shtojcën II të Rekomandimit të Këshillit. Qytetarët e BE-së dhe rezidentët afatgjatë, si dhe anëtarët e familjeve së tyre, gjithashtu duhet të lejohen të hyjnë në BE. Masat mbrojtëse shtesë të miratuara sot për udhëtimet nga jashtë BE-së nuk i ndryshojnë kategoritë e udhëtarëve të përjashtuar nga kufizimi.

Për t’i ndihmuar Shtetet Anëtare për zbatimin në mënyrë të vazhdueshme të kufizimit, m​ë 28 tetor 2020 Komisioni nxori udhëzime për kategoritë e personave që konsiderohen se janë udhëtarë të rëndësishëm dhe për këtë arsye përjashtohen nga kufizimet.

Më 19 janar, përpara takimit të udhëheqësve evropianë për një reagim të koordinuar ndaj krizës së koronavirusit, Komisioni përcaktoi një numër veprimesh të nevojshme për të shtuar luftën kundër pandemisë.

Në takimin e tyre me video-konferencë të 21 janarit 2021, krerët e shteteve apo qeverive të BE-së pranuan se Këshillit mund t'i duhet të rishikojë rekomandimet e tij mbi udhëtimet jo të rëndësishme në BE në dritën e rreziqeve që paraqiten nga variantet e reja të virusit. Pas takimit, Presidentja Ursula von der Leyen njoftoi se Komisioni do të propozonte masa sigurie shtesë për udhëtimet e rëndësishme nga jashtë BE-së.

Miratimi i sotëm i masave mbrojtëse shtesë për udhëtimet nga jashtë BE-së dhe kriteret e përditësuara për zbatimin e kufizimeve të udhëtimit përditësojnë rekomandimin e Këshillit për kufizimet e përkohshme për udhëtimet jo të rëndësishme në BE.

Informacionet e fundit mbi rregullat që zbatohen për hyrjen nga vendet jo-anëtare të BE-së, siç komunikohen nga Shtetet Anëtare, janë të disponueshme në faqen e internetit të BE-së Re-open.

Për më shumë informacion

Propozim për një Rekomandim të Këshillit mbi kufizimin e përkohshëm të udhëtimeve jo të rëndësishme në BE dhe heqjen e mundshme të këtij kufizimi