Mësimdhënia gjithëpërfshirëse, metodat që i kthejnë klasat në hapësira kreative dhe komode

“Ne përpiqemi të krijojmë një mjedis bashkëpunues në klasë ndërsa zbatojmë metoda të reja mësimdhënieje. Rezultatet janë të dukshme: të gjithë fëmijët janë të përfshirë, edhe ata më të ndrojturit apo ata me nevoja të veçanta. Sidomos për ta, kemi vënë re se përdorimi i burimeve vizuale rezulton të jetë më efektiv në procesin e të kuptuarit dhe të nxënit”, thotë Igla Osmanaga, mësuese e shkollës “Ndre Mjeda” në Shkodër. Ajo është një ndër 15,000 mësuesit në Shqipëri të trajnuar në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja “BE për mësimdhënien gjithëpërfshirëse”, një nismë që synon përmirësimin e rezultateve të të nxënit të nxënësve shqiptarë.

Gjatë trajnimit, ata u njohën me shumë metoda të reja të mësimdhënies, si rrethi i brendshëm dhe i jashtëm, kafeneja e të nxënit, festa sociale dhe busullat hyrëse e dalëse. Këto metoda synojnë të krijojnë një hapësirë miqësore, duke nxitur ndërveprimin, shkëmbimin e njohurive dhe ndarjen e përvojave mes fëmijëve. “Aktivitetet zbavitëse që përdoren për të thyer akullin mes fëmijëve rrisin motivimin dhe energjinë e tyre për të mësuar më shumë. Ky detaj më frymëzoi të integroja aktivitete të ngjashme në mësimdhënien time. Sa herë që i zbatoj këto metoda në klasën time, vërej sesi edhe nxënësit më të tërhequr dhe të turpshëm fillojnë të flasin dhe ndihen më të përfshirë”, shpjegon Osmanaga.

Inclusive teaching

Nga zhvillimi i ndjenjës së përkatësisë dhe pjesëmarrjes në klasë deri te një qasje që i ndihmon fëmijët të mësojnë konceptet përmes teknikave të ndryshme dhe të krijojnë lidhje më të thella me informacionin e ri, këto metoda kanë rezultuar të jenë të suksesshme mes brezave të rinj, përfshirë fëmijë me prejardhje të ndryshme sociale. Duke ndryshuar perspektivën e mësimdhënies nga thjesht marrja e njohurive në mënyrë pasive, këto metoda të reja kërkojnë angazhim. Kjo do të thotë trajtim dhe kapërcim i gjithçkaje që i pengon fëmijët: hezitimi, frikësimi, turpi i të folurit në një grup, frika e të qenit gabim apo të gjykuar. Nëpërmjet punës në grup, imazheve apo lojërave, teknikat moderne të mësimdhënies krijojnë një ndjenjë besimi, pjesëmarrje verbale të alternuar, detyra me shkrim dhe ilustrime për të arritur më të mirën nga të gjitha grupet, në varësi të aftësive të tyre shprehëse.

“Pas trajnimit, metodat e reja u bënë pjesë e përditshme e mësimdhënies sime. Më të suksesshmet kanë qenë “qarqet e brendshme dhe të jashtme”, që krijojnë një mjedis bashkëpunues ku fëmijët mund të shkëmbejnë njohuri dhe ide. “Kafeneja e të nxënit”, një metodë tjetër ku fëmijët ndahen në grupe për të diskutuar tema të ndryshme, ishte gjithashtu e suksesshme, sepse ata ndihen të çlirët dhe të përfshirë në diskutim. Fillova gjithashtu të përdor më shumë burime vizuale dhe teknologji, gjë që bëri të mundur që edhe nxënësit që kishin vështirësi të mësonin të ishin më të suksesshëm”, thotë Osmanaga.

Duke qenë se fëmijët janë shumë të dhënë pas lojës, disa nga këto metoda imitojnë lojërat, duke krijuar më shumë përshtypjen e lojës sesa të një mësimi formal. “Për ta është më e lehtë të mësojnë nëse mësimi duket më shumë si lojë dhe argëtim. Ata bëhen më produktivë dhe ndërveprues. Thelbi i metodave të reja përqendrohet te fëmijët, jo te mësuesi, ndryshe nga metodat tradicionale ku mësuesi ishte qendra e klasës”, shpjegon mësuesja nga Shkodra. Mësimdhënia gjithëpërfshirëse ofron hapësirë për të gjithë zërat, duke i nxitur fëmijët të zhvillojnë talentet e tyre dhe të shprehen për tema të ndryshme.

 

Informacion

“BE për mësimdhënien gjithëpërfshirëse” është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian që synon të përmirësojë rezultatet e të nxënit të nxënësve shqiptarë dhe të mbyllë hendekun mes nxënësve që u përkasin kategorive të ndryshme socio-ekonomike, çka është thelbësore si për kohezionin social ashtu edhe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Zbatuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara Tampere (TAMK), ka përfunduar trajnimi i 64 drejtorëve dhe mësuesve të shkollave në Tiranë dhe projekti ka vazhduar me mësues nga rrethet e tjera. 320 mësues aktivë dhe të motivuar janë përzgjedhur për programin “Trajnimi i trajnerëve” (TT). Mësuesit e këtij programi mbarëkombëtar ua përcjellin njohuritë e tyre 15,000 mësuesve të tjerë sipas shtrirjes gjeografike dhe nevojës. Pajisja e mësuesve me kompetencat dhe aftësitë e nevojshme për të ndërtuar një mjedis mësimor motivues dhe gjithëpërfshirës konsiderohet si çelësi për çuarjen përpara të prioritetit të mësipërm.