Mekanizmi Evropian i Paqes: Këshilli miraton masën e dytë të ndihmës dypalëshe në mbështetje të Forcave të Armatosura Shqiptare

Këshilli miratoi sot masën e dytë të ndihmës dypalëshe në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes prej 15 milionë eurosh, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, duke e çuar shumën e përgjithshme të mbështetjes për Shqipërinë në 28 milionë euro deri më sot. Vendimi plotëson mbështetjen e ofruar tashmë nga BE-ja dhe synon të forcojë më tej dislokueshmërinë e Forcave të Armatosura Shqiptare. Masa e ndihmës do të rrisë gjithashtu potencialin e Shqipërisë për të kontribuar në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së, si dhe në koalicionet ndërkombëtare..

Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë u shpreh: “Shqipëria është partnere e ngushtë dhe e përhershme e BE-së në politikat e jashtme dhe ato të sigurisë, kontribuuese në operacionet e BE-së dhe aleate e NATO-s.” Forcimi i bashkëpunimit me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përforcon drejtpërdrejt stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Evropë.”

Vendimi i sotëm ilustron angazhimin e fortë dhe të vazhdueshëm të BE-së me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ai pasqyron gjithashtu angazhimin e ndërsjellë për të forcuar bashkëpunimin në këtë fushë, duke u bazuar te nënshkrimi i Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes mes BE-së dhe Shqipërisë në nëntor 2024 dhe çelja e Dialogut të parë të Sigurisë dhe Mbrojtjes në prill 2025. Miratimi i një pakete të re mbështetëse njeh përputhshmërinë e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Përmes masës së Mekanizmit Evropian të Paqes, BE-ja do t'u ofrojë Forcave të Armatosura Shqiptare automjete të lehta të blinduara shumëfunksionale, si dhe automjete taktike dhe inxhinierike dhe, kur është e nevojshme, furnizime dhe shërbime përkatëse, duke përfshirë trajnim operativ dhe të mirëmbajtjes. 

Konteksti dhe hapat e mëtejshme

Mekanizmi Evropian i Paqes u krijua në mars të vitit 2021 për financimin e masave në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë për parandalimin e konflikteve, për ruajtjen e paqes dhe për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Në veçanti, Mekanizmi Evropian i Paqes i mundëson BE-së të financojë masa të hartuara për forcimin e kapaciteteve të shteteve të treta, si dhe organizatave rajonale dhe ndërkombëtare në lidhje me çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes. Masa e parë e ndihmës dypalëshe në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes në mbështetje të Forcave të Armatosura Shqiptare me vlerë 13 milionë euro u miratua në korrik të vitit 2024.   

 

European Peace Facility, policy page

EU cooperation on security and defence (background information)

Infographic - European Peace Facility