Nënkomiteti i 17-të BE-Shqipëri mbi Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikën Sociale
Më 25 shkurt 2026 u mbajt në Tiranë Nënkomiteti i 17-të midis BE-së dhe Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që mbulon Kërkimin dhe Inovacionin, Transformimin Digjital dhe Median, Arsimin dhe Kulturën, Politikën Sociale dhe Punësimin, si dhe Lëvizjen e Lirë të Punëtorëve. Përfaqësuesit e Komisionit Evropian (më poshtë Komisioni) diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në këto fusha me autoritetet kompetente shqiptare. Diskutimi i kushtoi vëmendje të veçantë kritereve përmbyllëse referuese të përcaktuara për të mbyllur përkohësisht kapitujt – duke supozuar se gjithë kushtet e tjera plotësohen – së bashku me zhvillimet përkatëse të politikave dhe hapat e Agjendës së Reformave. Takimi u bashkëkryesua, për BE-në nga z. Hubert Duhot, zëvendësshef i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindor, Njësia e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe znj. Enkelejda Muçaj, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë.
Në fushën e Politikës së Kërkimit dhe Inovacionit, Komisioni Evropian e përgëzoi Shqipërinë për pjesëmarrjen e saj në programin “Horizon Europe” dhe mbështeti përpjekjet e vazhdueshme për të përmbushur kriteret përmbyllëse referuese për mbylljen e përkohshme të kapitullit. Lidhur me këtë, Komisioni kujtoi se Shqipëria duhet të garantojë një rritje të investimeve në kërkim dhe shkencë. Komisioni përshëndeti progresin e bërë në synimin për të shpenzuar 1% të PBB-së për kërkim deri në vitin 2030, si dhe përpjekjet për t'u integruar më tej në Zonën Evropiane të Kërkimit. Komisioni nënvizoi rëndësinë e forcimit të ekosistemeve të kërkimit dhe inovacionit dhe rritjes së bashkëpunimit midis sektorit privat dhe publik në kërkim dhe inovacion. Lidhur me zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent, Komisioni u kujtoi autoriteteve shqiptare të ndërmarrin përpjekje të mëtejshme dhe veprime konkrete për zbatimin e saj. Komisioni u njoftua mbi miratimin e Planit të Veprimit për përmirësimin e progresit të Shqipërisë në Tabelën Evropiane të Inovacionit dhe theksoi rëndësinë e ndarjes së burimeve. Lidhur me zbatimin e Ligjit për Kërkimin Shkencor dhe Strategjisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor, Komisioni kujtoi rëndësinë e miratimit të akteve të deleguara të ligjit.
Lidhur me Transformimin Digjital dhe Median, Komisioni përshëndeti përparimet e Shqipërisë dhe theksoi nevojën për të vazhduar me përpjekjet legjislative, veçanërisht në dritën e negociatave të kapitujve. Komisioni u njoh me përditësimet e autoriteteve shqiptare mbi progresin e bërë prej tyre për harmonizimin me paketën e mjeteve për sigurinë kibernetike 5G, Aktin për Infrastrukturën Gigabit, si dhe shërbimet e identitetit digjital dhe të besimit. Shqipëria u inkurajua të harmonizojë më tej kornizën e saj legjislative me acquis të BE-së në këtë fushë, veçanërisht në lidhje me pavarësinë e Autoritetit Rregullator Kombëtar për komunikimet elektronike, shërbimet digjitale, shërbimet e besimit digjital dhe sigurinë kibernetike, si dhe shërbimet audiovizuale dhe mediatike.
Lidhur me Arsimin dhe Kulturën, Komisioni vuri në dukje progresin e bërë nga Shqipëria dhe përshëndeti miratimin e disa strategjive dhe planeve të veprimit që lidhen me këtë kapitull negociatash. Megjithatë, Komisioni nënvizoi rëndësinë e krijimit të sistemeve të përshtatshme të monitorimit për të ndjekur rezultatet dhe progresin, si dhe ngritjen e kornizave të nevojshme institucionale dhe të politikave për të përmbushur objektivat e politikave të BE-së në fushën e arsimit dhe trajnimit. Lidhur me Unionin e Aftësive, Komisioni ritheksoi rëndësinë e përafrimit të reformave arsimore të Shqipërisë me objektivin më të gjerë të ndërtimit të një Zone Evropiane Arsimore që nxit në mënyrë aktive zhvillimin e aftësive. Për më tepër, Komisioni e ftoi Shqipërinë të bëjë përparim të prekshëm drejt krijimit të strukturës së nevojshme për të menaxhuar Erasmus+.
Lidhur me Arsimin dhe Trajnimin Profesional (AFP), Komisioni vërejti zhvillim pozitiv në numrin e studentëve të AFP-së dhe punësimin e tyre, si dhe progres në trajnimin e mësuesve. Shqipëria u inkurajua të vazhdojë zgjerimin e programit të arsimit të dyfishtë, si dhe të garantojë që praktikat profesionale që kombinojnë të nxënit me praktikën në vendin e punës ofrojnë një hyrje të qëndrueshme në tregun e punës.
Në fushën e Politikës Sociale dhe Punësimit, Komisioni nënvizoi nevojën që Shqipëria të intensifikojë përpjekjet për të përmbushur kriteret përmbyllëse referuese për këtë kapitull negociatash. Komisioni përgëzoi investimet e vazhdueshme në sistemin e inspektimit të punës, por theksoi nevojën për të çuar përpara harmonizimin legjislativ me acquis të BE-së në fushat e Ligjit të Punës dhe Shëndetit dhe Sigurisë në Punë. Lidhur me Përfshirjen Sociale, Komisioni kujtoi se, ndonëse është bërë përparim, veçanërisht me qëllimin e nxjerrjes së fëmijëve nga institucionet publike, nevojiten më shumë përpjekje për të mbështetur edhe të rriturit me aftësi të kufizuara, si dhe për të siguruar kushte për jetë të pavarur dhe përfshirje në komunitet.
Lidhur me politikat e punësimit, Komisioni njohu prirjet pozitive në tregun e punës dhe zgjerimin e programit pilot të Garancisë për të Rinjtë. Lidhur me dialogun social, Komisioni nënvizoi rëndësinë e nxitjes së dialogut efektiv me partnerët socialë. Shqipëria u ftua të promovojë dialogun trepalësh dhe dypalësh në të gjitha nivelet, duke garantuar konsultime të forta me partnerët socialë, kryesisht përmes Këshillit Kombëtar të Punës.
Lidhur me Lirinë e Lëvizjes për Punëtorët, Komisioni përshëndeti progresin e Shqipërisë të shënuar me nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për sigurimet shoqërore me Poloninë, duke e theksuar këtë si një hap thelbësor drejt një koordinimi më të mirë me sistemet e sigurimeve shoqërore të BE-së. Komisioni përshëndeti negociatat e tjera në vazhdim me Shtetet Anëtare të BE-së. Komisioni gjithashtu përshëndeti zhvillimet pozitive në përgatitjet teknike për t'u bashkuar me EURES dhe sistemin për Shkëmbimin Elektronik të Informacionit të Sigurimeve Shoqërore (EESSI). Komisioni theksoi rëndësinë e kryerjes së një vlerësimi të ndikimit për t'u përgatitur për zbatimin e Kartës Evropiane të Sigurimeve Shëndetësore (EHIC).