Nga frika te zbulimi: Udhëtimi i një entomologeje shqiptare në shkencë, mbështetur nga BE-ja
Dikur një fëmijë që ju trembej insekteve, sot, Anila Paparisto, është entomologe që jo vetëm i vlerëson ato, por edhe ndihet thellësisht mirënjohëse për praninë e tyre. Rrugëtimi i saj tregon se si vendosmëria mund të hapë dyert drejt botëve të panjohura dhe interesante.
Si një nxënëse e shkollës së mesme e dekoruar me medalje ari, gjyshja e nxiti Anilën të studionte për mjekësi. Por, e magjepsur nga misteret e ADN-së dhe sekretet e kromozomeve, ajo ëndërronte të bëhej gjenetiste dhe zgjodhi të studionte biologji. Për gjyshen e saj, kjo rrugë nënkuptonte se ajo do të bëhej thjesht mësuese. Por Anila zbuloi diçka më të madhe: një mënyrë për të sfiduar kohën, për të testuar veten dhe për të eksploruar një botë të padukshme për syrin e njeriut.
Në vitin 1994, ajo u bë profesoreshë e re në Universitetin e Tiranës, duke thyer barrierat si e vetmja grua në Departamentin e Biologjisë dhe duke krijuar vendin e saj në një botë të dominuar nga meshkujt. Shpejt e kuptoi se e kishte mbaruar shkollën me njohuri, por jo me aftësi; se kishte ardhur me një koncept makro mbi botën, por jo mikro. E emëruar Profesoreshë e Metodologjisë së Mësimdhënies, një lëndë që të tjerët e shmangnin, ajo më vonë fitoi një bursë Tempus (paraardhësi i Erasmus-it) për të ndjekur një diplomë masteri në bioteknologji në Bruksel.
Pas kthimit, u angazhua me shoqërinë civile dhe ndihmoi për themelimin e shoqatës së parë mjedisore në Shqipëri, Klubit Perla. Krahas mësimdhënies dhe vullnetarizmit në shkolla dhe programe për gratë, ajo iu drejtua insekteve, fillimisht nga nevoja për doktoraturën, pasi ëndrra e saj për t'u bërë gjenetiste apo për të punuar në bioteknologji atëherë ishte e parealizueshme në Shqipëri.
“Asokohe, takova Kastriot Misjen, një shkencëtar, entomolog dhe mentori im. Pas përballjes me afidet ku nuk gjeta veten, ai më drejtoi te kolopteret, insektet flatrafortë, për të cilat nuk kishte ekspertë në Shqipëri. Përmes kërkimit tim, mblodha dhe identifikova 109 specie të reja në vend. Me ndihmën e tij, i studiuam ato me mikroskop, duke përdorur libra identifikimi në rusisht për të dalluar tipare të imta si një qime në këmbë, një vrimë të vogël në tarsus apo një gungë të zbehtë me majë të bardhë”, kujton ajo.
Pas vitesh studimi, insektet e ndihmuan të kuptonte se njohuritë që zotërojnë njerëzit janë vetëm një grimcë pluhuri krahasuar me atë çka shtrihet përreth. “Insektet më mësuan se bota shtrihet përtej asaj që shohim. Natyra, me ngjyrat, format dhe mekanizmat e saj të fshehur, është e ekuilibruar dhe e zgjuar. Ajo evoluon duke kulluar dhe duke përdorur sisteme kanalesh të ndërlidhura. Zgjidhjet e saj mund të duken të thjeshta, megjithatë ato zbulojnë një koordinim magjik nga i cili duhet të mësojmë për të jetuar më mirë”, vëren ajo.
EU Delegation to Albania
Paparisto u bë Doktore e Shkencave dhe filloi të punonte me pilivesat, duke studiuar 70 specie të tyre nga 140 që gjenden në Evropë dhe duke publikuar gjetjet e saj. Përvoja me insektet flatrafortë e ndryshoi mënyrën se si e kuptonte botën përreth. "Dikur kisha frikë nga insektet, por kuptova se ato na mësojnë ndjeshmërinë dhe nevojën për të parë përtej pamjes së jashtme. Duhet të gërmosh përtej asaj që është e dukshme për të kuptuar se çfarë fshihet poshtë. Çfarë është ajo gjë e vogël që prekim pa dashje kur prekim diçka të madhe? Çfarë dëmtojmë me këtë veprim të thjeshtë?" pyet ajo, ndërsa thekson kontributin e jashtëzakonshëm që insektet japin për planetin.
“Nuk mund të ekzistojmë pa insektet; ato janë në bazë të çdo zinxhiri ushqimor. Ndonjëherë i quajmë të dëmshme, por kjo është vetëm nga këndvështrimi ynë. Nëse nuk do të ishin insektet që ushqehen me bimë, ekuilibri nuk do të ruhej. Nëse diçka lejohet të rritet pafundësisht, ajo bëhet pushtuese. Natyra ruan ekuilibrin, nuk lejon asgjë të bëhet pushtuese. Ajo u jep hapësirë të gjithëve për të ekzistuar dhe kjo është e mrekullueshme”, shpjegon ajo.
Paparisto filloi të punonte me fluturat vetëm me kërkesë të mentorit të saj. “Profesor Misja ishte babai i fluturave, kështu që unë nuk hyra kurrë në territorin e tij, edhe pse i admiroja. Në të nëntëdhjetat, ai më tha: 'Mos i lër të vdesin”, kujton ajo. E ftuar të bashkohej me një grup entomologësh belgë, ajo punoi me ta dhe më vonë krijoi një faqe të biodiversitetit në Universitetin e Tiranës. Atje, çdo specie fluture në Shqipëri ka një 'pasaportë' me harta, koordinata, foto, mënyra ushqyerje dhe status ruajtjeje, të publikuara hapur në frymën e shkencës, sepse, siç thotë ajo, ato nuk i përkasin më vetëm asaj.
EU Delegation to Albania
Fluturat zbulojnë ndryshimet në klimë, bimësi, madje edhe në zhvillimin urban, pasi ushqehen me bimë dhe pasqyrojnë me shpejtësi çekuilibrat ekologjikë pa transmetuar sëmundje. Kohët e fundit, ajo dhe kolegët e saj shkencëtarë i kanë studiuar ato në pyjet me bredha të Drenovës, me mbështetjen e COST, Bashkëpunimi Evropian në Shkencë dhe Teknologji. Sipas Paparistos, ajo që njihet si 'flutura e majit', që jeton vetëm një ditë, nuk është në fakt flutur, por një eferomepter, një insekt që mbijeton vetëm aq kohë sa për të lëshuar vezë. Fluturat mund të jetojnë nga disa ditë deri në mbi një vit, ku fluturat Monark janë më jetëgjatat, duke arritur gati dy vjet.
Zbulimi më i fundit në Shqipëri janë fluturat kriptike, specie që duken identike me ato të njohurat, por zbulojnë dallime të mëdha gjenetike në ADN-në e tyre mitokondriale. “Këto specie të fshehura rrjedhin nga popullata të izoluara dhe nuk mund të dallohen me sy. Një shembull është Luraj, i emëruar sipas Lurës. Duket bojëqielli, megjithatë gjenet e saj tregojnë të dhëna të tjera”, shpjegon ajo.
“Shqipëria ka gati 220 lloje fluturash, rreth gjysma e totalit të Evropës. Megjithëse e vogël, vendi është jashtëzakonisht i pasur me biodiversitet. Lartësitë e saj të ndryshme, gjeologjia dhe burimet e ujit krijojnë mikrohabitate ku speciet lulëzojnë, dhe fluturat e bëjnë këtë të qartë”, thotë Paparisto, ndërsa shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, duke kremtuar një grua që theu çdo barrierë.
Informacion i përgjithshëm
COST, Bashkëpunimi Evropian në Shkencë dhe Teknologji, është një organizatë financuese për rrjetet e kërkimit dhe inovacionit. Ajo lidh nismat kërkimore në të gjithë Evropën dhe më gjerë dhe u mundëson studiuesve dhe inovatorëve të zhvillojnë idetë e tyre në çdo fushë të shkencës dhe teknologjisë, duke i ndarë ato me kolegët e tyre. Mekanizmat e COST-it janë rrjete nga poshtë lart, me një kohëzgjatje prej katër vitesh, që nxisin kërkimin, inovacionin dhe karrierat. Duke financuar rrjetëzimin, COST vepron si një para-portal për financim të mëtejshëm të kërkimit dhe inovacionit, siç është Horizon Europe, Programi Kornizë i Bashkimit Evropian për Kërkim dhe Inovacion.