Nismat “Erasmus Plus” krijojnë një brez të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm

“Përvoja ime me Erasmus-in më ndihmoi të kuptoj më thellë ngjarjet dhe situatat, duke shmangur pikëpamjet sipërfaqësore. Ajo më bëri të mendoj më shumë për pasojat, dëmet dhe përfitimet që kanë disa veprime në shoqëri”, thotë Ergi Kaso, një 22-vjeçar që studion Inteligjencën Artificiale në Tiranë. I fokusuar në një fushë që po i jep formë të tashmes dhe të ardhmes, për të, jeta dhe studimet kanë të bëjnë me kapërcimin e barrierave, duke nisur nga ato personalet.

“Kam qenë pjesë e  “YouthCare”, një projekt i Erasmus-it që synon të rrisë përgjegjësinë dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për çështjet mjedisore nëpërmjet metodave të edukimit joformal. Marrëdhënia me natyrën fillon me një seancë joga dhe vazhdon me mbrojtjen e saj pasi krijohet kjo lidhje. Nëpërmjet disa nismave të zbatuara nga “Përtej Barrierave”, kemi përdorur kanale të ndryshme komunikimi, përfshirë shfaqje teatrale, për të dhënë mesazhe mbi çështjet mjedisore dhe kujdesin”, shpjegon Kaso, i cili ka marrë pjesë në shkëmbime dhe sesione të ndryshme trajnimi në Shqipëri dhe Mal të Zi. Ai thekson ndikimin personal që këto përvoja kanë pasur tek ai si student i ri.

“Mëson, angazhohesh dhe takon njerëz nga kultura dhe vende të ndryshme. Kjo ka të bëjë edhe me rrjetëzimin, krijimin e miqësive të reja dhe përmirësimin e aftësive sociale dhe komunikuese. Këto përvoja na kanë lejuar gjithashtu të kontribuojmë për kauza sociale, të tilla si vullnetarizmi në përpjekjet për ndihma pas tërmetit dhe pjesëmarrja në nisma për pastrimin e mjedisit. Personalisht, kam fituar aftësi drejtuese dhe kam sfiduar ndrojtjen time”, thotë Kaso.

Mjedisi ka qenë fokusi kryesor i projekteve Erasmus, por ndërtimi i një shoqërie të përgjegjshme për të ardhmen, ku liria është parimi kryesor, kërkon më shumë. Alesia Dodaj, studente e drejtësisë në Tiranë, kujton sesi programet e trajnimit në Rumani dhe Kroaci i kanë dhënë formë njohurive të saj. “Kam marrë pjesë në disa sesione trajnimi anembanë Evropës për tema që kanë të bëjnë me demokracinë, të drejtën e votës dhe shtetin e së drejtës. Nëpërmjet një programi shkëmbimi të Erasmus-it për të rinjtë në Kroaci, pashë fuqinë e artit në nxitjen e ndryshimit dhe trajtimin e çështjeve sociale. Kjo më dha një perspektivë më të gjerë dhe pati një ndikim të rëndësishëm tek unë”, thotë ajo.

Duke theksuar përfitimet nga nismat Erasmus, Dodaj përmend diversitetin e tyre, i cili i ndihmon të rinjtë të rriten, të krijojnë lidhje, të mësojnë për kultura të ndryshme, si dhe të zhvillojnë perspektiva të reja për botën. Me miq të rinj nga Finlanda dhe Gjeorgjia, ajo tani kupton se, pavarësisht origjinave apo prejardhjeve të ndryshme kulturore, njerëzit janë në thelb të ngjashëm, përballen me sfida të përbashkëta dhe ndahen nga njëri-tjetri vetëm nga disa pengesa të pakta. “Erasmus-i më ka ndihmuar të zhvilloj një këndvështrim më social, duke më nxitur të jem një zë më i fortë në trajtimin e çështjeve të ndryshme. Unë jam frymëzuar nga temat e diskutuara në programet e ndryshme Erasmus që kam ndjekur”, shpjegon ajo.

Angazhimi i saj më i fundit ishte si pjesë e “MediActive”, një projekt që synon edukimin e të rinjve në Ballkan mbi rëndësinë e edukimit mediatik dhe ndërgjegjësimit për lajmet – një fushë që ajo beson se kërkon punë të madhe, pasi këto tema fatkeqësisht nuk mbulohen gjerësisht në shkollat dhe universitetet në rajon.

“Unë jam veçanërisht e pasionuar pas “Erasmus MediActive Youth”, një projekt që trajton sfidat e medias në Ballkan. Ai fokusohet jo vetëm tek edukimi mediatik, por edhe te gjetja e mënyrave për të neutralizuar gjuhën e urrejtjes në media”, thotë Dodaj, e cila gjithashtu ka ndihmuar për koordinimin e projektit. Ajo pranon se krijimi i ndikimit social nuk është i lehtë, por beson se çdo përpjekje kontribuon për një ndryshim kuptimplotë.

Nëpërmjet arsimit joformal, Erasmus ofron rrugë për të diskutuar dhe trajtuar çështje kyçe me brezat e ardhshëm. “Programi më ka ndihmuar të shoh perspektiva të ndryshme dhe si profesioniste e ardhshme në sistemin e drejtësisë, do të jem mendjehapur dhe qytetare e përgjegjshme”, thotë Alesia. Ndërkohë, Ergi Kaso reflekton mbi mësimin më të vlefshëm që ka nxjerrë nga nismat ku ka marrë pjesë: “Të bëhem njeri më i mirë dhe të kontribuoj për shoqërinë tonë”.

 

Informacion

Programi Erasmus+ është nisma kryesore e Bashkimit Evropian që mbështet arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë. Ai synon të rrisë aftësitë dhe punësueshmërinë e të rinjve, të inkurajojë shkëmbimin ndërkulturor dhe të përmirësojë sistemet arsimore në mbarë Evropën dhe më gjerë. Erasmus+ promovon lëvizshmërinë, bashkëpunimin dhe inovacionin në arsim dhe trajnim, me një fokus të fortë te nxitja e përfshirjes, diversitetit dhe mundësive të barabarta. Programi përfshin masa të ndryshme, si lëvizshmërinë e studentëve për arsimin e lartë dhe trajnimin profesional, lëvizshmërinë e stafit për qëllime mësimdhënieje apo trajnimi, partneritete strategjike për bashkëpunim ndërmjet institucioneve arsimore dhe mbështetje për reformën e politikave në arsim. Programi nxit lidhjet mes institucioneve arsimore në Shqipëri dhe vende të tjera evropiane, duke çuar drejt burimeve të përbashkëta që rrisin rezultatet arsimore.