Një bujtinë në pyll rigjallëron zonën rurale

Razma, një fshat rreth 40 km larg Shkodrës, shquhet për bukuritë natyrore, klimën e shëndetshme dhe peizazhet e paharrueshme. Në mes të pishave, lisave dhe blirëve të del përpara syve një vilë guri dykatëshe, “Vila Alpini”.

Anjela Goraj, tashmë në të njëzetat, kujton vizitat e fëmijërisë në Razëm me prindërit e saj nga Kopliku, një qytet vetëm 20 km larg. Kujtimet e saj të para i sjellin ndërmend gjyshen që e mban nga dora ndërsa ecin nëpër fushën pranë pyllit. Sot ajo drejton “Vila Alpini”-n, një biznes i suksesshëm familjar, ndërsa studion për administrim biznesi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Vite më parë, babai i saj bleu tokë në fshat dhe ndërtoi një shtëpi të vogël pushimi. Shumë shpejt, miqtë e familjes do të kërkonin të kalonin herë pas here atje fundjavat.

Villa Alpin

“Ata ishin mysafirët tanë të parë. Vetëm më vonë u bindëm se vila kishte të ardhme si bujtinë turistike. Por kishte nevojë për shumë përmirësime dhe investime”, rrëfen Anjela. Me mbështetjen e babait të saj, ajo nisi kërkimet drejt transformimit, duke u përqendruar tek arkitektura, dizajni i brendshëm, dekorimi i dhomave dhe elemente të tjera që do të bënin ndryshimin, duke kombinuar dizajnin me natyrën dhe duke sjellë përqasje moderne ndaj produkteve vendase.

Në të njëjtën kohë, një profesor në universitet i sugjeroi të aplikonte në Rural You, një projekt i financuar nga BE-ja që synon të fuqizojë të rinjtë ruralë për të ndërmarrë përpjekje sipërmarrëse. Aplikimi i Anjelës pati sukses në fazën e dytë dhe nisi investimi. Me grantin e marrë, ajo mobiloi dhomat e bujtinës dhe shtoi shtretër të rinj. Ajo investoi gjithashtu për një sallë ngrënieje në verandë, ku pamja mbresëlënëse përfshin një pyll me pisha të larta dhe maja alpine të mbuluara me borë.

“Vila Alpini”, që e ka marrë emrin nga Alpet, tashmë ka një pamje krejtësisht të re, moderne dhe tradicionale njëkohësisht, pasi gjithçka është rinovuar me shumë kujdes dhe me shije të rafinuar.

Villa Alpin

Arritja më e madhe e këtij projekti ishte zhvillimi i vetvetes. Kam mësuar shumë gjatë procesit. Kam ndryshuar konceptet e mia, mendësinë dhe mënyrën se si e shoh të tashmen dhe të ardhmen. Ka qenë një përvojë sfiduese që më ka rritur shumë personalisht dhe profesionalisht”, thotë Anjela, e cila tashmë e ka listuar bujtinën në platforma ndërkombëtare, si Booking.

Si pjesë e Fushatës sonë të Gjelbër, ne bëmë të mundur që një grup të rinjsh nga Lezha të vizitonin “Vila Alpini”-n dhe të shihnin vetë arritjen e Anjelës. Teksa bisedonte me nxënësit e rinj të shkollës profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, këshilla e saj kryesore ishte që të mos dorëzohen. “Kemi mundësinë që t'i kthejmë sërish fshatrat në modë. Idetë tona krijuese mund të nxisin nisma dhe të promovojnë natyrën, ushqimin tradicional dhe destinacione të ndryshme. Sidoqoftë, është e rëndësishme që gjithmonë t'i jepet përparësi kënaqësisë së klientit. Për më tepër, duke qenë se shumë bashkëmoshatarë tanët po largohen nga Shqipëria, njerëzit që punojnë me ne janë të paçmuar, sepse është gjithnjë e më e vështirë të gjesh staf”, pranon Anjela.

Villa Alpin

Kur bujtina është plot, çdo anëtar i familjes së saj ka një detyrë për të përmbushur. Nëna e saj gatuan gjithfarë lloje reçelrash dhe pjata të tjera që shërbehen për mëngjes, ndërsa vëllai më i vogël udhëheq turistët në ture nëpër shtigjet e fshatit Razmë apo te tri shpellat e famshme.

Për Anjelën, jetë rurale do të thotë të jetosh në harmoni me natyrën dhe komunitetin. Si hapi i saj i radhës, Anjela po mendon për panelet diellore, sepse dëshiron “të rivlerësojë lidhjen tonë me tokën dhe të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit”.

 

 

Rreth RURAL YOU

Programi Rural-You është një ftesë për ta parë botën rurale nga perspektiva e të rinjve: ai synon të përfshijë të rinj të motivuar nga zonat rurale për të luajtur një rol aktiv dhe për të kontribuar në zhvillimin rural dhe proceset vendimmarrëse; ai rrit pjesëmarrjen e të rinjve në jetën sociale, ekonomike dhe politike të komuniteteve rurale dhe atyre të largëta të Shqipërisë së Veriut në periudhën afatmesme. Duke adoptuar një qasje nga poshtë-lart, mbështetja për të rinjtë ruralë zbatohet në 3 nivele dhe përmes 3 grupimeve të aktiviteteve: AC1) Ndërgjegjësim, AC2) Aktivizëm, AC3) Rrjetëzim. Projekti mbështet rininë rurale për të kuptuar më mirë politikat, mundësitë dhe perspektivat ekzistuese të sektorit (AC1), mobilizimin e burimeve vendore për rritje të qëndrueshme të ekonomive vendore (AC2) dhe promovimin e dialogut konstruktiv midis të rinjve, si dhe me autoritetet publike.