Një dorë drejt së ardhmes duke kremtuar kulturën dhe traditën rome në një festival

Një burrë 65 vjeçar, me një kalë të bardhë, në një fushë në Berat,është brezi i fundit në familjen e tij që vazhdon traditën e rritjes së kuajve. Në ditët e sotme, mbajtja dhe mbarështimi i kuajve, që për shekuj me radhë kanë tërhequr qerret e mbuluara sipas traditës rome, po zhduket, i ndikuar nga disa faktorë.

 

 “Kuajt ishin të rëndësishëm për romët, për shkak të stilit nomad të jetesës. Ata përdoreshin për punë e transport, por sot rritja e kuajve po bëhet e shtrenjtë. Ndaj, kur pashë Osman Hysenajn në Berat, mendova se kjo është hera e fundit që shoh një rom me kalin e tij”, thotë Xhemali Moku, një fotograf i ri i komunitetit egjiptian që vendosi të dokumentojë stilet e jetesës, zanatet dhe traditat e rrezikuara të komunitetit rom.

sfsf

Ai ka udhëtuar nëpër Shqipëri për më shumë se 1.500 kilometra,duke fotografuar brezat e fundit të zejtarëve, tregtarëve, artizanëve, farkëtarëve, fermerëve dhe qëndistareve, përfshirë Artur Luftën, një riparues instrumentesh muzikore në Xhafzotaj, Durrës, i cili gjatë seancës së fotografimit, po riparonte një klarinetë të vjetër të prodhuar në vitin 1902.

 

“Imazhet dokumentojnë apo tregojnë kulturën dhe historinë rome. Ata udhëtonin, kështu që këto foto tregojnë edhe itineraret e romëve në qytete të ndryshme si Berat, Durrës, Elbasan, Fier, Seman, etj. Jam përpjekur gjithashtu të tregoj kostumet dhe nevojën e vazhdueshme të romëve për të zotëruar tokë, duke fotografuar një vajzë me duaj gruri”, tregon Moku. Ekspozita e tij, që ndërthur karakteristikat e Marubit dhe Rembrandit, u hap në Qendrën Artistike Agimi në Tiranë, në kuadër të HarmoniFest, që u zhvillua në datat 7-9 prill.

Lura Elezi, themeluesja e festivalit shpjegon: “Traditat rome janë në rrezik. Xhemali Moku, artisti ynë, kishte disa foto ekskluzive për festivalin. Ai ka rrëfyer përmes imazheve se shumë romë ose kanë emigruar ose nuk shohin më dobi në vazhdimin e këtyre traditave”.

dtgsdh

Motoja e Tirana Harmony Fest, mbështetur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, ishte kremtimi i diversitetit të popullit tonë. Më 8 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato, në fjalën e tij, theksoi nevojën për të bërë progres të vërtetë në arsim, punësim, strehim dhe shëndetësi.

“Komunitetet rome janë pjesëtarë aktivë të shoqërisë shqiptare, por ende përballen me pengesa dhe vazhdojnë të vuajnë nga paragjykimet dhe diskriminimi. Për t'iu kundërvënë kësaj situate, kemi nevojë për një angazhim të fortë politik dhe për burimet e duhura. Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve rinovova mbështetjen e BE-së për Shqipërinë dhe u kërkova autoriteteve shqiptare të zbatojnë Planin Kombëtar të Veprimit për Përfshirjen dhe Pjesëmarrjen e Romëve dhe Egjiptianëve”, theksoi Ambasadori i BE-së.

sfsf

Gjithë ngjyrat, gjithë kultura

Portreti i një të moshuari, i vizatuar me laps, është një nga veprat më të rëndësishme të artistit të ri Oktavio Kazanxhiu. Ai është anëtari i parë i familjes së tij që ndjek universitetin. Burri në vizatim është gjyshi i tij, Zenuni, i cili ka qenë bujk e kopshtar, por edhe njeriu më i rëndësishëm në jetën e tij. “Unë jam piktor për shkak të tij. Ai më inkurajoi dhe më mbështeti të bëhesha artist, duke bërë sakrifica të panumërta për arsimimin tim. Madje mund të them se sakrifikoi edhe jetën, sepse më pagoi shkollën në vend që t'u nënshtrohej ekzaminimeve mjekësore”, kujton Kazanxhiu. Duke nderuar kujtimin e gjyshit të tij, pasi ai ndërroi jetë, Oktavio vizatoi portretin e tij edhe për t'i kujtuar vetes rëndësinë e arsimit për të ndryshuar të ardhmen. “Ai më mësoi të mos dorëzohesha dhe më bëri të premtoja se nuk do ta lija shkollën”, tha ai.

Portreti ishte një nga veprat e shfaqura në Shtëpinë e Evropës në kuadër të Harmoni Fest, së bashku me pikturat e Genta Beqirajt dhe skulpturat e Dejvi Koçit. Koçi përmendi rolin e gjyshit edhe për shkollimin e tij në Universitetin e Arteve në Tiranë. “Gjyshi e ka mbështetur qasjen time artistike kur isha fëmijë. Të krijosh njerëz dhe fytyra nga materiale të ndryshme është një emocion i veçantë, sepse ke mundësinë të shprehesh në çdo lloj forme apo materiali, qoftë edhe me baltë, që është një material i zakonshëm, por që merr një vlerë të madhe në skulptura”, përshkruan Koçi. Ai mendon për të bukurën kur punon, duke u përpjekur t'u japë trajtë mendimeve të veta. Artistët e rinj dhe plot ëndrra, Kazanxhiu dhe Koçi, nuk kanë qenë shumë të lidhur me rrënjët apo kulturën e tyre deri kohët e fundit, por nënvizojnë nevojën për ta njohur dhe promovuar atë.

egsdhg

“Ruajtja e kulturës është ruajtje e identitetit dhe përqafimi i të qenit ndryshe. Si çdo komunitet apo komb, edhe ne ruajmë gjuhën dhe kulturën tonë duke ua kaluar fëmijëve tanë. Pabarazitë në arsim, shëndetësi dhe punësim janë sfidat kryesore për komunitetin rom. Një pjesë e rëndësishme e punës është të ndihmojmë për përballimin e këtyre sfidave dhe të sigurojmë që komuniteti të ketë qasje të barabartë në të gjitha fushat e jetës”, thotë Fatma Azemi, një kontabiliste dhe aktiviste që moderoi koncertin kryesor të festivalit.

gsdgsh

Mbrëmjen e 8 prillit, Sheshi Bukureshti në Tiranë ishte plot ngjyra, tinguj dhe gëzim. Gjatë ditës, një panair artizanal me 12 stenda shfaqi punime me shelg, libra, kukulla, artikuj të punuar me grep, sapunë dhe bizhuteri të prodhuara nga komuniteti rom, ndërsa në mbrëmje, grupet muzikore “Gipsy Groove” dhe “Romanipe” krijuan një tjetër atmosferë me muzikë xhaz, rok dhe funk. Të dy grupet synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për pabarazinë dhe t’i bëjnë të njohura për të gjithë këngët tradicionale rome, duke thyer stereotipat. HarmoniFest u mbajt në vendndodhje të ndryshme, përfshirë kinemanë Millenium dhe Qendrën Agimi, ku u shfaqën 6 filma dokumentarë me tema të ndryshme.

Vizatimet, pikturat, skulpturat, muzika, të gjitha artet dhe zejet, tregojnë një kulturë dhe traditë shumëngjyrëshe të transmetuar ndër breza, ndërsa të rinjtë përqafojnë gjithashtu vlerat dhe format e jetës moderne në një trashëgimi të vazhdueshme nga gjyshërit te nipërit.

 

INFORMACION 

“Inclusive EduJobs – Për më shumë mundësi arsimimi dhe punësimi për romët dhe egjiptianët në Shqipëri” synon përfshirjen e komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri në fushën e punësimit dhe arsimit. Objektivi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë përfshirjen e grave dhe burrave, djemve dhe vajzave nga komunitetet rom dhe egjiptian në Shqipëri, duke forcuar kapacitetet bashkiake për të krijuar dhe ofruar shërbime gjithëpërfshirëse për qytetarët romë dhe egjiptianë në fushën e punësimit dhe arsimit gjithëpërfshirës.