Një urë e re për një Qytet të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s: Si po i lidhin investimet e BE-së komunitetet dhe po mbrojnë trashëgiminë e Beratit

Një urë e re panoramike prej 290 metrash mbi lumin Osum tashmë lidh fshatrat Bilçë, Malinat dhe Zhitom me Beratin dhe vendndodhjen e tij të trashëgimisë të mbrojtur nga UNESCO, duke zgjidhur sfidat e hershme dhe duke krijuar mundësi të reja si për vendasit ashtu edhe për turistët ndërkombëtarë. Ndërsa siguron qasje më të shpejtë në qytet për mbi 2.500 banorë në këto fshatra aty pranë, ura ka ulur gjithashtu ndjeshëm numrin e automjeteve që kalojnë nëpër qendrën historike, duke ndihmuar për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj.
“Tani fshatrat janë më afër Beratit, gjë që i bën produktet dhe pronat tona më të vlefshme. Kjo urë ishte një kërkesë dhe një ëndërr e banorëve për 50 vjet, sepse më parë kishte vetëm një rrugë të ngushtë dhe me kthesa që na lidhte me qytetin. Për ne, është një lehtësim shumë i madh”, thotë Shkëlqim Hadaj, kryetar i Njësisë Administrative të Velabishtit, e cila përfshin 13 fshatra.
Ura e re i sjell dobi jo vetëm Bilçës, por edhe fshatrave si Droboniku, Bardhaj, Zhitomi dhe Terpani. Investimi, një nismë e financuar nga BE-ja përmes Programit të Mbështetjes së Zhvillimit Ekonomik Vendor të Modelit të Drejtuar nga Turizmi, sipas banorëve vendas e ka dyfishuar vlerën e zonës, duke i nxitur fermerët të investojnë më shumë në prodhimin bujqësor dhe duke krijuar mundësi të reja për bizneset, artizanët dhe sipërmarrësit vendas.

EU Delegation to Albania
Duke pasur parasysh potencialin e jashtëzakonshëm të Beratit për turizëm vendas dhe ndërkombëtar, Ura e Bilçës lehtëson qasjen në zonat rurale, ku vizitorët mund të shijojnë peizazhet e buta kodrinore të rajonit. Gjithashtu, ajo siguron që infrastruktura të përmirësojë cilësinë e jetës për ata që jetojnë në zonë, si dhe për ata që e vizitojnë atë. Zona e Bilçës është e njohur për prodhimin e ullirit.
“Ne donim një projekt shumë më gjithëpërfshirës në fushën e turizmit të qëndrueshëm. Në Bashkimin Evropian, çështja e mbiturizmit po bëhet gjithnjë e më aktuale. Shumë qytete po përballen me pasojat e popullaritetit të tyre. Është ana negative e të qenit kaq tërheqës. Ajo që po bëjmë këtu është të sigurohemi që fluksi në rritje i turistëve të mos vijë në dëm të cilësisë së jetës për qytetarët e Beratit, duke ofruar njëkohësisht një përvojë të këndshme për vizitorët”, tha Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato gjatë ceremonisë së përurimit.
Ai vuri në dukje se si ura tani forcon lidhjet midis Beratit dhe pjesëve të tjera të vendit, përfshirë Gjirokastrën, Përmetin dhe Sarandën, duke u ofruar turistëve një përvojë të plotë, për të vlerësuar trashëgiminë historike të Shqipërisë, për të eksploruar vijën e saj të bukur bregdetare, si dhe për të zbuluar peizazhet malore të vendit, siç është Mali i Tomorit me pelegrinazhin e tij fetar, i cili tani është bërë më i arritshëm.
Ura e re mbi lumin Osum, me gjerësi 12.4 metra, me dy korsi për automjetet, është pjesë e një ndërhyrjeje më të gjerë në vendndodhjet natyrore. Për shkak të pozicionit të saj në lidhje me qytetin e Beratit, ajo ofron pamje panoramike dhe e zvogëlon kohën e udhëtimit për në rajonet jugore të Shqipërisë në vetëm një orë.

EU Delegation to Albania
“Tani jemi shumë më afër Përmetit dhe Gjirokastrës. Nëse më parë na duhej të kalonim nëpër Fier për të shkuar në jug, tani mund t’i arrijmë zonat jugore, madje edhe Greqinë, në një kohë më të shkurtër. Kjo do t’i ndihmojë edhe agjencitë turistike të sjellin më shumë autobusë turistikë këtu”, thekson Hadaj.
Prodhimi i 554 hektarëve me ullishte të Bilçës, 160 hektarëve me vreshta të Malinatit dhe zona përreth Drobonikut, e njohur si “Ballkoni mbi Berat”, tani janë më të arritshëm, duke nxitur potenciale të reja dhe duke krijuar mundësi për një të ardhme të qëndrueshme. Ndërkohë, lagjja e Goricës në anën tjetër të qytetit po ringjall kapacitetet e veta, me pamjen nga kalaja dhe monumente të tjera kulturore që e dallojnë Beratin.

EU Delegation to Albania
Informacion
Ura u ndërtua nëpërmjet bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian, Qeverisë Shqiptare, Bashkisë së Beratit, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FZH), në kuadër të Programit të Mbështetjes së Zhvillimit Ekonomik Vendor të Modelit të Drejtuar nga Turizmi. Programi synon të rrisë kontributin e një industrie turizmi të qëndrueshme dhe të përgjegjshme për rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke rigjeneruar njëkohësisht ekonominë vendore dhe mjedisin urban.
Kjo arrihet nëpërmjet një analize gjithëpërfshirëse të sektorit të turizmit në secilën zonë të synuar, duke hartëzuar palët e interesuara, duke identifikuar nevojat dhe boshllëqet në shërbimet dhe produktet turistike, duke hartuar dhe zhvilluar paketa të reja turistike dhe duke rritur ndërgjegjësimin midis palëve kryesore të interesuara për zhvillimin vendor në lidhje me turizmin e përgjegjshëm dhe menaxhimin e destinacioneve sipas praktikave më të mira. Programi synon gjithashtu të zhvillojë aftësi të planifikimit strategjik, të rrisë angazhimin e sektorit privat në zhvillimin e turizmit, të mbështesë nismat bashkëpunuese për të përmirësuar cilësinë dhe menaxhimin e ofertave turistike dhe të forcojë lidhjet me bujqësinë, artizanatin dhe industritë e lidhura me të për të mbështetur agroturizmin dhe turizmin rural. Për më tepër, programi investon në infrastrukturën e lidhur me biznesin, përmirëson efikasitetin e burimeve, lidhshmërinë rajonale dhe rrit cilësinë e mjedisit urban.