Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor kapërcen pengesat dhe bashkon njerëzit
Njëzet e gjashtë vjet më parë, një djalë i ri plot ëndrra dhe shpresa u largua nga Shqipëria me aspiratën për t’u përsosur në art dhe muzikë në Evropë. Që i vogël në Shkodër, ai ia kishte falur zemrën muzikës, ndaj kur u rrit studioi për piano, muzikë dhome dhe dirigjim në Gjermani. Pas diplomimit, rrugëtimi i tij artistik kaloi nëpër Evropë, duke e rikthyer në Shqipëri me të gjitha vlerat dhe përvojat evropiane. I pranishëm në Evropën Juglindore, përmes klasave master, koncerteve, operave apo Akademisë Verore Evropiane të Muzikës në Kosovë, Desar Sulejmani kuptoi rolin e muzikës për krijimin e një ure mes kombeve dhe kulturave.
“Pashë nevojën për t'u lidhur në një rajon të rrethuar nga vende evropiane, por ende jashtë zonës verdhë-e-blu. Më pas, më lindi ideja të bashkoj vendet e Ballkanit në një rrugëtim të përbashkët drejt Bashkimit Evropian, për të treguar se nëpërmjet muzikës dhe kulturës ne mund t'i bashkohemi Evropës më herët sesa me politikë”, thotë Sulejmani, nismëtar dhe bashkëthemelues i Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor.
WBYO
E themeluar në vitin 2019, si një platformë për bashkëpunimin e muzikantëve të rinj profesionistë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë në BE (Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor synon të bashkojë të rinjtë e rajonit, duke kapërcyer pengesat dhe duke nxitur paqen afatgjatë nëpërmjet prezantimit të zhanreve që nga muzika klasike deri te muzika pop dhe rock.
“Ne kemi luajtur muzikë në të gjitha vendet e Ballkanit, duke kremtuar kulturën e rajonit dhe diversitetin e tij. Ndër vite, me projekte të ndryshme, kemi luajtur valle të famshme muzikore nga Ballkani, të riorkestruara nga artistë të rinj. Këtë vit kemi një thirrje të hapur për kompozitorët e rinj, për të ripropozuar për orkestrën tonë një përpunim muzikor të këngëve më të mira rock dhe pop nga Ballkani. Në këtë mënyrë, ne e pasurojmë repertorin orkestral me kompozime të reja nga rajoni, duke u dhënë të njëjtën skenë, në të njëjtën kohë, të gjitha kulturave që jetojnë rreth nesh”, shpjegon Sulejmani.
WBYO
Ushqyer që në hapat e parë në fëmijëri, dashuria e vërtetë për muzikën rritet duke ndjekur gishtat që prekin pianon, violinën, flautin. Duke ndier tingujt muzikorë me sy mbyllur, një artist krijon lidhje me instrumentin, një lidhje përtej angazhimit. E gjithë kjo marrëdhënie e brendshme dhe personale është ajo çka përpiqet të tregojnë në të gjitha koncertet, duke ia transmetuar ndjenjat e veta publikut përmes notave muzikore, duke ndier, duke krijuar dhe duke ndarë lidhjen. Platforma për muzikantët e rinj funksionon përtej ndarjeve kombëtare, etnike, fetare dhe kulturore, duke kontribuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërkufitar dhe ndëretnik. Misioni dhe sfida e orkestrës janë bashkimi i artistëve në Ballkan, duke kapërcyer historinë dhe konfliktet. “Është njësoj si të marrësh frymë përmes muzikës me të njëjtin ritëm. Të flasësh përmes muzikës. Ta ndiesh atë. Kujdesemi të mos lëndojmë ndjenjat kombëtare. Ne mbështesim nismat që lidhin vendet, duke theksuar më tepër atë që na bashkon sesa atë që na ndan”, thekson Sulejmani.
Ashtu si Bashkimi Evropian, Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor respekton diversitetin kulturor, gjuhësor dhe tradicional të të gjithë artistëve që luajnë, por që komunikojnë tashmë me të njëjtën gjuhë universale të notave, toneve, akordeve dhe tingujve. “Ne nuk jemi politikanë. Ne japim shembullin tonë të bashkëpunimit duke qenë në skenë, me më shumë se 60 artistë nga 10 vende që luajnë muzikë nga Evropa apo Ballkani”, thotë Sulejmani. Duke kremtuar këtë diversitet, kulturën dhe përpjekjet e kombinuara në rajon, Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor udhëheq programin e Javës së Evropës me koncerte në Qendrën Shumëfunksionale “Xixëllonja” në Shkodër dhe në Shtëpinë e të Moshuarve në Gjirokastër. “Misioni i artit është edhe mbështetja e atyre që nuk i kanë të gjitha mundësitë që kemi ne, ata që kanë nevojë për përkujdes dhe vëmendje. Ndonjëherë arti duhet të udhëtojë te publiku”, thotë Sulejmani, drejtor artistik dhe dirigjent i orkestrës.
WBYO
Me artistë nga vende, kultura dhe fe të ndryshme, koncerti kryesor i Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor do të mbahet Ditën e Evropës, në Sallën e Koncerteve të Universitetit të Arteve në Tiranë. “Do të jetë një udhëtim muzikor në Evropë, që tregon kulturën e pasur të kontinentit, duke ndërthurur stile dhe epoka. Ne donim të kishim një lidhje mes vendeve themeluese të Bashkimit Evropian dhe artit të ditëve të sotme. Pra, kemi një pjesë muzikore premierë botërore nga një kompozitor luksemburgas që jeton në Kosovë, më pas muzikë nga Gjermania, Franca, Italia, Holanda dhe Shqipëria. Është ideja e një peme me shumë degë, ku secila simbolizon një zonë apo një kulturë. Do të luajmë që nga Mozarti deri te Tish Daija apo Limos Dizdari, një rrugëtim muzikor i një Evrope të bashkuar që përfundon me muzikë shqiptare për të lënë një përshtypje të qëndrueshme të një vendi që dëshiron të jetë pjesë e familjes së madhe evropiane”, thotë Desar Sulejmani duke zbuluar vetëm disa hollësi nga programi i koncertit. Për Desarin, gjithçka nisi me ndjekjen e një ëndrre në Evropë, ndërsa tani kremtimi i gjithëpërfshirjes, diversitetit dhe të drejtave të njeriut përmes muzikës është rruga më e shkurtër për ta gjetur Evropën këtu.
INFORMACION
Programi “Creative Europe” investon në masa që përforcojnë diversitetin kulturor dhe u përgjigjen nevojave dhe sfidave të sektorëve kulturorë dhe krijues. Objektivat kryesore të programit janë ruajtja, zhvillimi dhe promovimi i diversitetit dhe trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore evropiane, rritja e konkurrencës dhe potencialit ekonomik të sektorëve kulturorë dhe krijues, në veçanti të sektorit audiovizual. Risitë e programit kontribuojnë për rimëkëmbjen e këtyre sektorëve, duke përforcuar përpjekjet e tyre për t'u bërë më gjithëpërfshirës, më digjitalë dhe më të qëndrueshëm nga ana mjedisore. Ai synon të mbështesë nismat që promovojnë dhe përmirësojnë bashkëpunimin artistik dhe kulturor në nivel evropian, masat që nxisin konkurrencën, inovacionin dhe qëndrueshmërinë e sektorit audiovizual evropian, si dhe nismat që promovojnë masa inovative dhe bashkëpunim në të gjithë sektorët audiovizualë dhe kulturorë.