Prezantohet një projekt i ri për të nxitur punësimin e të rinjve
Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me UNDP dhe UNICEF prezantuan sot projektin “BE-ja për Rininë” (EU4Youth). Financuar nga Bashkimi Evropian me një buxhet prej 2 milionë eurosh, projekti do të zbatohet në tre bashki: Tiranë, Vlorë, dhe Shkodër.
Projekti “BE-ja për Rininë” synon të mbështesë harmonizimin e politikave të punësimit të rinisë në Shqipëri me rekomandimet e Këshillit të Europës për Garancinë Rinore, duke siguruar qasje universale për të rinjtë që nuk janë të përfshirë në arsim, aftësim apo punësim (NEET).
Projekti ka në fokus objektivin e Garancisë Rinore për të siguruar që çdo person i ri nën 30 vjeç të marrë një ofertë pune cilësore, vazhdim të arsimimit, praktikë pune, ose trajnim brenda katër muajve.
“BE-ja për Rininë” synon të mbështesë zbatimin e Garancisë Rinore në Shqipëri në tre nivele: të përmirësojë aftësitë ndërinstitucionale për të siguruar qeverisjen dhe koordinimin efektiv; të krijojë partneritete lokale për të identifikuar dhe mbështetur të rinjtë që nuk janë në arsim, punë, ose trajnim nëpërmjet ndërhyrjeve të përshtatura dhe dinamike dhe të mbështesë sistemin e arsimimit dhe trajnimit profesional në Shqipëri për të prodhuar një fuqi punëtore të aftë përmes angazhimit të rritur me sektorin privat. Top of Form
“BE-ja për Rininë” do të targetojë të rinjtë e regjistruar në Zyrat e Punës publike, të cilët do të përfitojnë nga shërbimet e përmirësuara të punësimit; të rinjtë që nuk janë në arsim, punë, ose trajnim në Tiranë, Vlorë, dhe Shkodër, të cilët do të angazhohen nëpërmjet skemave të personalizuara të Garancisë Rinore; studentë të arsimit dhe trajnimit profesional, të cilët do të përjetojnë përmirësimin e ambienteve të arsimit që mbështesin kalimin e suksesshëm nga shkolla në punë.
Financuar në kuadër të Planit Vjetor të Veprimit të BE-së për vitin 2022 përmes IPA III, duke u fokusuar në konkurrueshmëri dhe rritje gjithëpërfshirëse, “BE-ja për Rininë” përputhet me prioritetin tematik të politikave të arsimit, punësimit, mbrojtjes sociale, politikave të gjithëpërfshirjes, dhe shëndetit.
“Zhvillimi i kapitalit njerëzor është një nga shtyllat e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian dhe Agjendës së Reformave të Shqipërisë. Programi “BE-ja për Rininë” ofron mundësi të reja për punësimin, arsimin dhe praktikën për të rinjtë. Programi ndihmon të rinjtë të përmbushin aspiratat e tyre profesionale dhe i lejon ata të kontribuojnë në modernizimin dhe përparimin e vendit të tyre. Ne jemi pranë të rinjve shqiptarë dhe vlerësojmë kontributin e tyre në rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në,” tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Monica Merino, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, nënvizoi: “UNDP-ja i ka ofruar mbështetje afatgjatë qeverisë së Shqipërisë në nxitjen e reformave të politikave dhe ndryshimeve sistematike brenda sektorit të punësimit dhe aftësive. Nëpërmjet projektit “BE-ja për Rininë” ne po përkthejmë politikat në veprime të prekshme duke rritur kështu zhvillimin e aftësive gjithëpërfshirëse dhe duke zgjeruar perspektivat e punësimit për të rinjtë e Shqipërisë”.
“Punësimi, rinia dhe sektori i arsimit, shoqëria civile dhe të gjithë partnerët do të punojnë së bashku për të maksimizuar ndikimin e Garancisë Rinore tek të rinjtë. Nën projektin 'BE-ja për Rininë', kemi një mundësi unike për të ri-imagjnuar ofrimin e shërbimeve për të rinjtë dhe të drejtuar nga të rinjtë, në mënyrë që të kemi më shumë të rinj në trajnime, arsim dhe punësim. Një ofrim i suksesshëm i garancisë rinore do të sjellë Shqipërinë një hap më pranë politikave dhe praktikave të BE-së”, u shpreh përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Murat Sahin.
Programi do të zbatohet nga Zyrat e UNDP-së dhe UNICEF-it në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.