Restaurimi i BE-së rikthen në jetë thesaret e Durrësit të lashtë
Në vitin 1970, gërmimet në nekropolin helenistik prapa Kodrës së Dautit, pranë Durrësit, zbuluan një vend të rrallë mes dy kreshtave. Përveç një strukture të pazakontë me tulla të lidhura me argjilë, gërmimi nxori gati gjashtë ton objekte arkeologjike – figurina terrakote, qeramikë, fragmente skulpturash prej guri, objekte metalike, si dhe më shumë se 630 monedha bronzi.
E menduar fillimisht si një faltore e Afërditës, studimet e mëvonshme të një ekipi shqiptaro-francez konfirmuan, përmes provave koroplastike, epigrafike dhe shkrimore, se i kushtohej Artemisës, siç përmendet nga Apiani. Rrëfimi i tij për fushatën e Cezarit në vitin 48 p.e.s. e përshkruan atë duke iu afruar Dyrrakiumit natën, për të mbërritur në Artemision. Arkeologët tani pohojnë se faltorja në Kodrën e Dautit është ajo së cilës i referohet Apiani, duke ndjekur rrugën e Cezarit nga Porto Romano në perëndim deri në luginën mes Kokomanes dhe Dautit.
Siç vëren arkeologia Belisa Muka, vendndodhja e saj në periferi të qytetit, pranë një qafe malore, "i përshtatet rolit të Artemisës si roje e kufijve dhe pikëkalimeve – pika të cenueshme, siç e demonstroi bastisja e Cezarit". Nën titullin “Artemisioni i Epidamnus-Dyrrakiumit”, këto zbulime zënë një vend të spikatur në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, i restauruar së fundmi përmes programit “BE për kulturën”.
EU Delegation to Albania
I nisur në përgjigje të tërmetit shkatërrues të nëntorit 2019 dhe i udhëhequr nga parimi i rindërtimit më mirë, programi ka rinovuar, restauruar dhe rigjallëruar disa monumente kulturore shqiptare, duke forcuar prezantimin e trashëgimisë kombëtare dhe duke ndihmuar për të garantuar të ardhmen e saj. Pas restaurimit, muzeu tashmë paraqet, për herë të parë, sisteme të integruara të kontrollit të klimës, mbikëqyrjes dhe sigurisë nga zjarri. Koleksionet e tij janë rishfaqur në vitrina individuale dhe murale, me 56 ekspozita të reja që prezantojnë më shumë se 2.300 objekte arkeologjike që shkojnë nga periudhat neolitike dhe eneolitike (6500–3000 p.e.s.) deri në epokën osmane (shekulli i 15-të i e.s.).
Pas tërmetit, muzeu pësoi dëme të mëdha si në elementët strukturorë ashtu edhe në ata jo-strukturorë, duke përfshirë çarje në mure, trarë dhe suva. Depërtimi i lagështirës shkaktoi lagështi në mure, si dhe formime biologjike, ndërkohë që katet e sipërme u përkeqësuan dukshëm. Ky kombinim i dëmeve sizmike dhe mjedisore kërkonte një përqasje gjithëpërfshirëse restaurimi.
"Projekti trajtoi konsolidimin strukturor të ndërtesës, riparimet e fasadave, dritareve dhe dyerve, si dhe përmirësimet e plota të sistemit hidraulik, HVAC (ngrohje, ventilim dhe ajër i kondicionuar), sistemeve elektrike, ndriçimit dhe sigurisë, duke krijuar një infrastrukturë që përmbush standardet bashkëkohore të muzeve. Ekspozitat u riorganizuan dhe u kuruan me kujdes, me artefakte të ruajtura në mënyrë të sigurt, vitrinat e ekspozitës u modernizuan, narrativat interpretuese u zgjeruan dhe shërbimet për vizitorët u përmirësuan. Së fundmi, hapësirat e jashtme u përmirësuan për përdorim kulturor, u shtua një ashensor i jashtëm, si dhe u ndërtuan ambiente të reja magazinimi për koleksionet e Institutit të Arkeologjisë", shpjegon Lejla Hadzic, Këshilltare e Trashëgimisë Kulturore në UNOPS, partneri zbatues i programit.
Ajo thekson se planimetria e muzeut është rindërtuar për të përmbushur standardet bashkëkohore të ruajtjes dhe rrëfimit të historive. Nëntëmbëdhjetë vitrina janë mbyllur hermetikisht për të mundësuar kontrollin e klimës, duke garantuar që objektet delikate të mbeten në një mjedis të qëndrueshëm, pa luhatje të lagështisë apo temperaturës. Për herë të parë, objektet shoqërohen me një rrëfim të qartë kronologjik dhe përshkrime të plota dygjuhëshe që i udhëheqin vizitorët natyrshëm përmes historisë së Durrësit. Ky është rezultat i punës së gjatë të inxhinierëve, arkitektëve, arkeologëve, projektuesve dhe artizanëve që punojnë nën drejtimin e një kuratori.
EU Delegation to Albania
Muzeu Arkeologjik Kombëtar i Durrësit është muzeu më i madh i këtij lloji në Shqipëri. Përmes objekteve të tij, zbulohet jeta e qytetit në tokë dhe det, tregtia e tij, luftërat, sundimtarët, perandorët, pushtimet, profesionet, ritualet dhe gjurmët e qytetërimeve të kaluara. Nga bashi i një anijeje deri te përplasja e perandorive, Dyrrakiumi u ngrit si një fortesë strategjike gjatë përballjes mes Cezarit dhe Pompeut në vitet 49-48 p.e.s., duke shërbyer si bazë ushtarake e Pompeut, ndërsa Cezari merrte mbështetje nga qytetet aty pranë.
Muzeu e gjurmon këtë histori të shtresuar përmes dëshmive të praktikave të kultit perandorak romak, monedhave, enëve për vajra dhe parfume, peshave të tezgjahut dhe llambave të vajit që shtrihen përgjatë shekujve. Ai nxjerr në pah figura të tilla si perandorët Anastasi I dhe Justiniani I, të dy të lindur në Durrës, dhe Kodin e Justinianit të vitit 534, i cili ndikoi në zhvillimin e së drejtës evropiane. Monumentet e krishtera, amfiteatri, Via Egnatia dhe objektet arkeologjike nga Mesjeta deri në sundimin osman ilustrojnë më tej rolin e qëndrueshëm të Durrësit si një udhëkryq qytetërimesh.
EU Delegation to Albania
"Koleksioni i muzeut ilustron historinë e gjatë të Durrësit, duke filluar që në vitin 6500 p.e.s., me objektet më të hershme që dëshmojnë për banimin njerëzor në zonë. Më bëri përshtypje veçanërisht seksioni mbi zhvillimin e qytetit, që përfshin amfiteatrin e shekullit të dytë të ndërtuar gjatë mbretërimit të Trajanit, një monument që pasqyron gjallërisht mënyrën e jetesës në atë kohë.”
"Monedhat helenistike dhe romake dëshmojnë gjithashtu për prodhimin vendas, së bashku me qelqin, qeramikën dhe punimet metalike, të cilat të gjitha demonstrojnë vazhdimësinë dhe jetëgjatësinë e kulturës së artizanatit dhe jetës së përditshme të qytetit, duke ndërthurur traditat ilire, helenistike dhe romake", thotë Hadzic, duke vënë në dukje se muzeu përcjell rëndësinë e qëndrueshme të një kombi të rrënjosur në këtë vend, me një thellësi të jashtëzakonshme të zhvillimit historik.
Grupi i arkeologëve që studioi faltoren e Artemisës shpjegon rëndësinë e saj përmes pasurisë së materialeve të zbuluara atje. Krahas përfaqësimeve të grave të vdekshme, të ulura në frone apo në këmbë, faltorja dominohet nga imazhe të shumta të Artemisës. Ajo shfaqet në një formë ikonografike konsistente: e veshur me një kiton të shkurtër dhe çizme deri në kyçin e këmbës, me një lëkurë luani mbi kokë dhe bust, dhe me një qen në krah.
Në Epidamnus-Dyrrakium, Artemisa mishëronte mbrojtjen qytetare: mbrojtjen e nënave, mbështetjen e burrave në mbrojtje dhe mbikëqyrjen e pikës strategjike të kalimit të qytetit. Në këtë rol, ajo u nderua me të drejtë si Soteira, shpëtimtarja e komunitetit. Në muze, prania e saj vazhdon të mishërojë qëndrueshmërinë e një kulture dhe jetëgjatësinë e një qytetërimi.
Informacion i përgjithshëm
Programi “BE për kulturën” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projektesh (UNOPS), në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve. Ai u përqendrua te rinovimi dhe rigjallërimi i vendeve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuara nga Bashkimi Evropian, me një buxhet të përgjithshëm prej 40 milionë eurosh.