#SëBashkupërShqipërinë - Dy vjet pas Konferencës së Donatorëve për rehabilitimin pas tërmetit, shkollat e reja dhe sitet e rijetësuara të trashëgimisë kulturore hapin dyert e tyre për publikun
Më 17 shkurt 2020, pak pas tërmetit të nëntorit 2019, Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve “Së Bashku për Shqipërinë” në Bruksel i hapi rrugën një përpjekjeje të pashembullt rindërtimi të udhëhequr nga BE-ja, duke synuar rikthimin e shpresës për mijëra shqiptarë. Sot Shqipëria numëron dhjetëra shkolla të rindërtuara me standardet më të larta të BE-së dhe një sërë sitesh të rijetësuara të trashëgimisë kulturore. Programet tona kyçe “BE për shkollat” dhe “BE për kulturën” po rindërtojnë 63 shkolla dhe 27 site kulturore, duke pasur një ndikim masiv në sistemin arsimor të vendit dhe në trashëgiminë e tij kulturore.
Në orët e para të 26 nëntorit 2019, një tërmet me magnitudë 6.3 ballë goditi Shqipërinë duke shkaktuar 51 viktima, rreth 1000 të plagosur, si dhe 17.000 të zhvendosur përkohësisht në 11 bashki. Me më shumë se një mijë pasgoditje, tërmeti la të paralizuara qytete të tëra, duke dëmtuar rëndë shtëpitë, institucionet arsimore, ndërtesat publike dhe private. Menjëherë pas tërmetit, Ekipi i Mbrojtjes Civile i BE-së zbarkoi në Shqipëri dhe për gati një muaj koordinoi reagimin e menjëhershëm ndërkombëtar me ekipet e kërkim-shpëtimit dhe inxhinierët strukturorë nga BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj.
Në pak ditë, BE-ja u bashkua me Bankën Botërore dhe Kombet e Bashkuara dhe drejtoi përgatitjet për një vlerësim të përbashkët të nevojave pas fatkeqësisë, duke punuar së bashku me autoritetet shqiptare. Vlerësimi u dha donatorëve besueshmërinë dhe sigurinë e nevojshme për të ndihmuar Shqipërinë dhe ishte baza për konferencën e donatorëve që u zhvillua në Bruksel, më 17 shkurt 2020, duke mbledhur një total prej 1.15 miliardë euro. Përafërsisht, 295 milionë euro u dhanë si grante dhe 853 milionë euro si kredi.
Bashkimi Evropian, duke përfshirë Komisionin, Shtetet Anëtare të tij dhe Bankën Evropiane të Investimeve, dhanë 400 milionë euro për rindërtimin e Shqipërisë, nga totali i premtuar prej 1.15 miliardë euro, duke tejkaluar të gjitha pritshmëritë. Komisioni Evropian premtoi 115 milionë euro nga buxheti i BE-së për të rindërtuar dhe rehabilituar me shpejtësi ndërtesat publike dhe sitet kryesore në Shqipëri. Rreth 180 milionë euro erdhën nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe 102.5 milionë euro u dhanë nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB).
Shuma e BE-së prej 115 milionë eurosh u kanalizua në dy programe: “BE për shkollat”, zbatuar nga UNDP-ja, një investim prej 75 milionë eurosh për rindërtimin apo rehabilitimin e objekteve arsimore dhe “BE për kulturën”, zbatuar nga UNOPS-i, një investim prej 40 milionë eurosh për rehabilitimin e siteve të trashëgimisë kulturore.
BE për shkollat
Programi “BE për shkollat” zbatohet nga UNDP-ja dhe synon rindërtimin apo rehabilitimin e 63 objekteve arsimore shqiptare në 11 bashkitë e prekura nga tërmeti. Nga programi “BE për shkollat” përfitojnë mbi 24.000 studentë dhe mësues, si dhe mbi një milion qytetarë.
Në shkurt 2022, programi “BE për shkollat” përfundoi rindërtimin apo riparimin në 21 objekte shkollore: 5 kopshte, 6 shkolla dhe 10 kopshte dhe shkolla 9-vjeçare të kombinuara. Gjithsej, ato ofrojnë shërbime më të mira arsimore për 7.148 fëmijë dhe nxënës, si dhe për 435 mësues. Shkollat e reja përfshijnë objekte sportive dhe mjekësore, si dhe laboratorë TIK, duke futur një mënyrë moderne të të mësuarit.
Në mesin e vitit 2022, programi “BE për shkollat” do të përfundojë 11 objekte të tjera arsimore. Shumica dërrmuese e objekteve të mbetura arsimore që do të riparohen apo rindërtohen në kuadër të programit “BE për shkollat” do të dorëzohen në fund të vitit 2022.
Qasja e programit “BE për shkollat” për rimëkëmbjen e sektorit arsimor është #Rindërtojmë më Mirë, me një qasje të integruar ndaj arsimit që garanton shëndet, siguri dhe cilësi në ndërtim, aksesueshmëri, por edhe respekt për mjedisin përmes efiçencës së energjisë. Procesi i rimëkëmbjes është një mundësi për të përmirësuar qasjen në një arsimin të përmirësuar nga ana cilësore, përmes dizajnimit të përmirësuar të hapësirave mësimore, zhvillimit të mësuesve, si dhe forcimit të kapaciteteve të autoriteteve arsimore në të gjitha nivelet.
Programi “BE për shkollat” zbaton gjithashtu parimin #Rindërtojmë së Bashku, duke krijuar partneritet me familjet, komunitetet dhe autoritetet vendore për të nxitur qëndrueshmërinë dhe përgjegjshmërinë. Programi “BE për shkollat” ka përfshirë mësueset femra, prindërit dhe studentët, si palë të interesuara dhe përdorues fundorë njëkohësisht, duke u bazuar në premisën se pjesëmarrja dhe udhëheqja e grave janë çelësi për zbatimin e suksesshëm të të gjitha ndërhyrjeve infrastrukturore. Programi u konsultua me studentë, prindër, mësues dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
BE për kulturën
Programi zbatohet nga UNOPS-i në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës dhe aktorë të tjerë, duke përfshirë edhe nivelin vendor.
Në shkurt 2022, programi “BE për kulturën” përfundoi punimet restauruese dhe rehabilituese në Kishën e Shën Mërisë në Rubik dhe në Kishën e Shën Ndojit në Rodon. Vazhdojnë punimet për Mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar, Muzeun Etnografik në Kavajë, Hamamin dhe Kullën Veneciane në Durrës, Urën e Kurçajt dhe Muzeun Etnografik në Krujë.
Aktualisht, programi “BE për kulturën” po prokuron punime për rehabilitimin e Teatrit Kombëtar të Kukullave. Gjithashtu, po përgatit projekte për dhjetë site të tjera.
Programi “BE për kulturën” synon të ndreqë efektin e tërmetit në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë nëpërmjet rijetësimit të siteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti, si dhe vlerësimin të tyre, duke kontribuar kështu për rimëkëmbjen socio-ekonomike të Shqipërisë nëpërmjet përmirësimit të potencialit të saj për turizëm. Kontributi i aksionit për zhvillimin socio-ekonomik është bërë edhe më kritik nën dritën e efekteve të pandemisë globale COVID-19, e cila ka ndikuar negativisht në sektorin e turizmit në Shqipëri.
Përveç punimeve fizike, programi “BE për kulturën” do të punojë edhe për rikonceptimin e muzeve dhe ruajtjen e artefakteve, interpretimin dhe prezantimin digjital, planet e menaxhimit dhe planet e menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë, si dhe aksesueshmërinë. Ai gjithashtu do të sigurojë grante për t’i ndihmuar komunitetet të rilidhen me sitet e trashëgimisë kulturore të vendit.