Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë riafirmon perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe partneritetin strategjik të BE-së me rajonin
Sot, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Josep Borrell, Komisioneri Olivér Várhelyi, si dhe krerët e shteteve apo qeverive të Shteteve Anëtare të BE-së dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor morën pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Organizimi i samitit për herë të parë në rajon është një shenjë e qartë e përkushtimit të fortë të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe rrugën e tij drejt BE-së.
Udhëheqësit e BE-së riafirmuan angazhimin e plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor. Ata bënë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit bazuar në reforma të besueshme nga partnerët, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave të veta.
Lufta e përshkallëzuar e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës e vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale. Ajo nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha: “Ky samit, i mbajtur për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor, jep një mesazh të qartë për angazhimin tonë, unitetin tonë dhe partneritetin tonë të fortë. BE-ja është më e përkushtuar se kurrë për një të ardhme të përbashkët, me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor brenda BE-së. Ne po shfrytëzojmë çdo mundësi për t'i afruar rajonet tona dhe njerëzit tanë, që nga trajtimi i përbashkët i krizës energjetike deri te krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë për të studiuar në universitetet evropiane.”
Samiti ishte, për më tepër, një mundësi për të rishikuar progresin e zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve prej afro 30 miliardë eurosh, i fokusuar në projekte të mëdha në tranzicionin e gjelbër dhe digjital, transportin e qëndrueshëm, energjinë e pastër, mbështetjen për sektorin privat dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor për të ndihmuar plotësimin e hendekut socio-ekonomik mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. BE-ja ka miratuar deri më tani financimin për 40 projekte kryesore në transport, lidhshmëri, tranzicionin e energjisë, agjendën e gjelbër, tranzicionin digjital dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, me mbështetjen e BE-së prej 1.8 miliardë eurosh dhe një vlerë totale investimi prej 5.7 miliardë eurosh.
Këtu përfshihen 12 projekte investimi të miratuara më 5 dhjetor, nga të cilat 6 projekte në sektorin e energjisë janë përshpejtuar falë paketës së mbështetjes për energjinë prej 1 miliardë euro, e përbërë nga dy shtylla:
500 milionë euro mbështetje të menjëhershme për gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor për të zbutur rritjen e çmimeve të energjisë për bizneset dhe familjet në nevojë, e cila është miratuar dhe do të jetë gati për disbursim në fillim të vitit 2023.
500 milionë euro mbështetje afatshkurtër dhe afatmesme nëpërmjet Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor për të çuar përpara tranzicionin energjetik dhe sigurinë energjetike. Paketa mbulon plotësimin e Programit Rajonal të Efiçencës së Energjisë për rinovimin me efikasitet energjetik të ndërtesave private dhe publike, gjashtë grante të reja investimi për burimet e rinovueshme të energjisë, tri skema grantesh për tranzicionin e energjisë në sektorin privat dhe një sërë garancish për të mbështetur energjinë e rinovueshme dhe efiçencën e energjisë. Paketa pritet të mobilizojë deri në 2.5 miliardë euro investime në total, në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.
Udhëheqësit qenë gjithashtu dëshmitarë të nënshkrimit të një deklarate të përfaqësuesve të operatorëve të telekomunikacionit nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor për uljen e parë vullnetare të tarifave roaming midis rajonit dhe BE-së duke filluar nga tetori 2023. Komisioni Evropian dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal lehtësuan negociatat e marrëveshjes dhe në maj 2023 priten vendime për reduktime të mëtejshme.
Së fundi, samiti ishte një mundësi për të diskutuar dhe thelluar bashkëpunimin e BE-së me rajonin për menaxhimin e migracionit, sigurinë kibernetike, arsimin dhe rininë. Komisioni ka miratuar së fundmi 70 milionë euro financim për të ndihmuar me përmirësimin e aftësive të menaxhimit të kufijve dhe për të rritur luftën kundër kontrabandës së migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor. BE-ja po rrit gjithashtu ndihmën dhe bashkëpunimin e saj me Ballkanin Perëndimor për të forcuar qëndrueshmërinë kibernetike pas një serie sulmesh kibernetike në shkallë të gjerë në rajon, duke përfshirë një program të ri prej 5 milionë eurosh për gjithë rajonin, që do të nisë në fillim të vitit 2023. Universitetet e Ballkanit Perëndimor do të përfshihen gjithashtu në nismën e Universiteteve Evropiane në kuadër të Erasmus+ në baza të barabarta me Shtetet Anëtare të BE-së, për të krijuar mundësi të mëtejshme për të rinjtë.
Për më shumë informacion
Deklarata e Presidentes Von der Leyen në konferencën për shtyp
Fjala e Presidentes Von der Leyen pas mbërritjes në Samitin BE-Ballkani Perëndimor
Fjala e Përfaqësuesit të Lartë Borrell pas mbërritjes në Samitin BE-Ballkani Perëndimor
Fjala e Komisionerit Várhelyi para fillimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor
Deklarata mbi Samitin BE-Ballkani Perëndimor
Faqja e internetit e Samitit BE-Ballkani Perëndimor
Plani Ekonomik dhe i Investimeve – Skedë informative
Projektet kryesore të miratuara të PEI-së – Broshurë
Paketa mbështetëse për energjinë – Skedë informative
Marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor- Skedë informative
Mbështetja e BE-së për menaxhimin e migracionit dhe kufirit – Skedë informative
Marrëdhëniet e BE-së me partnerët individualë të Ballkanit Perëndimor
Skedë informative – Bosnja dhe Hercegovina