Sfidat mjedisore përgjatë lumit Ishëm: Mbështetja e BE-së për të përballuar krizën e ndotjes

Kuti kosi, kontejnerë detergjentesh, qilima, pjesë makinash, pelena, kaska dhe shishe të panumërta me ujë e lëngje ndotin zonën. Sendet e përditshme shtëpiake, që nga paketimet ushqimore deri te pjesët e mobileve, tashmë dergjen të hedhura në natyrë në vend të dyqaneve.

Çdo gjë që përdorim, çdo gjë që na nevojitet, çdo gjë që shesim, çdo gjë që blejmë, që nga ushqimi deri te pijet, që nga rrobat deri te mobilet, një treg i gjerë i jetës së përditshme ka një cikël jetësor, i cili përfundon në mbeturina. Megjithatë, ky treg, me gjithë jetët tona, të përdorura, të pista dhe të hedhura, nuk merr një jetë të re përmes riciklimit, por shpërndahet në natyrë, përgjatë vijës së gjatë bregdetare të Ishmit në Durrës.

Environmental challenges along the Ishëm River: EU support to tackle pollution crisis

Produktet e këtij “tregu bregdetar” dikur ishin artikuj bazë të familjeve në gjashtë bashkitë përgjatë lumit Ishëm: Tiranë, Kamëz, Vorë, Krujë, Kurbin dhe Durrës. Sot, këto mallra dikur të çmuara janë shndërruar në grumbuj mbeturinash: ajo që nuk derdhet në oqean shtyhet nga rrymat drejt bregut përmes kilometrave të rërës, ujit të detit dhe shkurreve, duke e fshehur natyrën nën shtresa ndotjeje dhe duke e transformuar grykëderdhjen e Ishmit në një nga zonat më të ndotura në vend.

“Tonet e mbeturinave që hidhen në lumë përfundojnë në deltën e Ishmit dhe kanë një ndikim serioz si në mjedis ashtu edhe në shëndetin e njeriut. Ato përbëjnë një kërcënim të madh për natyrën, kafshët dhe vetë jetën tonë”, thotë Laura Gjyli, Lektore e Biologjisë dhe Mikrobiologjisë në Departamentin e Shkencave të Aplikuara dhe Natyrore, në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Ndotja e ujit, degradimi i ekosistemit, prishja e truallit dhe bllokimet e lumenjve mund të shkaktojnë pasoja të rënda mjedisore.

“Mbetjet e ngurta - kryesisht plastika si shishet, mbeturinat e spitaleve dhe mbeturinat urbane apo industriale - ndotin ujin e lumit dhe të detit, duke përbërë një kërcënim serioz për jetën ujore”, shpjegon ajo. “Delta, një pikë e nxehtë e biodiversitetit, është veçanërisht e ndjeshme. Ndotja rrezikon specie të rralla peshqish, zogjsh dhe bimësh vendase të zonës. Kafshët shpesh gëlltisin plastikë ose ngecen në të, duke rezultuar në lëndime apo vdekje. Edhe jeta bimore dëmtohet nga makro dhe mikroplastikat. Për më tepër, kur mbeturinat e ngurta pengojnë rrjedhën natyrore të lumit, ato mund të shkaktojnë përmbytje dhe të përshpejtojnë erozionin e tokës”.

Ndikimi i mbeturinave në natyrë ndikon drejtpërdrejt në jetën e njeriut.

Environmental challenges along the Ishëm River: EU support to tackle pollution crisis

Sipas Gjylit, studimet tregojnë se një person mesatar konsumon pa vetëdije rreth pesë gramë plastikë çdo javë - ekuivalenti i një karte krediti. Ajo paralajmëron se uji i ndotur, përfshirë ujërat e zeza të patrajtuara nga kryeqyteti që derdhen në lumin Ishëm, paraqet rreziqe serioze për shëndetin. "Përdorimi i ujit të ndotur për bujqësi ose peshkim mund të përhapë sëmundje të tilla si hepatiti, kolera dhe infeksione të zorrëve", vëren ajo. Ndërkohë, djegia e paligjshme e mbeturinave plastike çliron gazra toksikë që dëmtojnë sistemin e frymëmarrjes dhe kontribuojnë në sëmundje kronike". Nanoplastikat, të cilat grumbullohen në ajër, i përkeqësojnë më tej këto rreziqe. Ekspozimi i rregullt ndaj mbeturinave rrit mundësinë e infeksioneve, lëndimeve dhe problemeve të tjera shëndetësore, veçanërisht te fëmijët dhe banorët vendas. Peshqit dhe produktet bujqësore të kontaminuara i mbartin këta ndotës në zinxhirin ushqimor, duke i vënë konsumatorët në rrezik për probleme shëndetësore afatgjata – që nga çekuilibrat hormonalë deri te kanceri – pasi mikroplastikat dhe nanoplastikat grumbullohen në trup".

BE-ja po e mbështet në mënyrë aktive Shqipërinë përmes disa projekteve të mëdha mjedisore dhe me fokus te natyra, duke përfshirë “BE për Natyrën”, “BE për Ujin”, “BE për Lumenjtë”, “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme”, “BE për Inovacionin”, “BE për një Mjedis më të Pastër”, dhe “BE për Pyjet” dhe “BE për Bashkitë” të nënshkruar rishtazi . Për më tepër, Agjenda e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes 2024–2027, mbështet reformat në fushën e energjisë së pastër dhe efiçencës së energjisë me një vlerë prej 127 milionë eurosh.

Environmental challenges along the Ishëm River: EU support to tackle pollution crisis

Me qëllim mbrojtjen e biodiversitetit, përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve dhe përafrimin e Shqipërisë me standardet mjedisore të BE-së, cilësia e ajrit, cilësia e ujit, menaxhimi i mbetjeve, ndotja kimike dhe industriale, si dhe menaxhimi i riskut janë pjesë e Kapitullit 27 të negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ndërsa Shqipëria ka bërë përparim në përafrimin me acquis të BE-së për legjislacionin mjedisor, ende kërkohen përmirësime të mëdha në përafrimin dhe zbatimin legjislativ.

Hapat kryesorë përfshijnë, ndër të tjera:

  • Monitorimin e cilësisë së ajrit, uljen e ndotjes së ajrit dhe garantimin e qasjes publike në kohë reale në të dhënat mbi cilësinë e ajrit deri në vitin 2027;
  • Përafrimin me acquis të BE-së për menaxhimin e mbeturinave dhe cilësinë e ujit (hapat e parë janë miratimi i ligjeve të reja për menaxhimin e integruar të mbeturinave dhe përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit deri në vitin 2025);
  • Forcimin e sistemit të brendshëm të menaxhimit të mbetjeve, duke përfshirë vënien në funksionim të Agjencisë Kombëtare të Mbetjeve;
  • Përafrimin me Direktivat e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Vlerësimit Strategjik Mjedisor;
  • Zhvillimin e sistemeve operative të monitorimit të ujit për të identifikuar ujërat e ndotura dhe për të përcaktuar zonat e prekshme nga nitratet;
  • Përafrimin me acquis të BE-së në fushën e mbrojtjes së natyrës.

Procesi i integrimit thekson rëndësinë e mbrojtjes së natyrës për të ruajtur biodiversitetin e Evropës. Ai e inkurajon Shqipërinë të vlerësojë siç duhet projektet e infrastrukturës për pajtueshmëri me standardet e BE-së mbi biodiversitetin dhe mbrojtjen e natyrës, si dhe nxit monitorim efektiv, mbledhjen e të dhënave dhe përgjegjësi të qarta të autoriteteve. Gjithashtu, kërkohet kufizimi i ndikimit të kimikateve në mjedis dhe përafrimi me legjislacionin e BE-së mbi ndotjen industriale dhe menaxhimin e riskut.

Të gjitha këto hapa që trajtojnë sfidat mjedisore hapin rrugën drejt një të ardhmeje më të pastër.

Lektorja e Biologjisë dhe Mikrobiologjisë, e cila vetë është e angazhuar në disa nisma pastrimi dhe riciklimi, inkurajon ndërgjegjësimin publik, uljen e përdorimit të shisheve plastike, riciklimin e rregullt, pjesëmarrjen aktive në përpjekjet për pastrim dhe të bërit model për t'u ndjekur brenda komuniteteve. Veprime të tilla, thekson ajo, do t'i ndihmonin qytetet dhe vendet të arrinin një mjedis të pastër dhe jetë më të shëndetshme.