Shndërrimi i mbetjeve bujqësore në mundësi: Udhëtimi i Ekofungit me mbështetjen e BE-së për rritjen e gjelbër

Emri im është Meivis Struga dhe jam inxhinier mjedisi. Jam diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe gjithashtu kam studiuar në Universitetin Erasmus të Roterdamit për Menaxhim dhe Zhvillim Urban.
Për gati 10 vjet kam punuar në projekte të ndryshme për mbrojtjen e mjedisit. Fokusi i angazhimeve të mia ka qenë promovimi i energjisë së rinovueshme, ndryshimi klimatik, përdorimi i burimeve natyrore dhe ekonomia qarkulluese.
Kohët e fundit i jam përkushtuar plotësisht Ekofungit, një sipërmarrje e re premtuese në Shqipëri, krijuar nga specialistë të rinj mjedisorë që synojnë të krijojnë një BioLab në zonat rurale të Tiranës për prodhimin e kërpudhave. Bazuar në konceptet e ekonomisë qarkulluese dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, nisma trajton dy çështje kritike: punësimin e të rinjve në zonat rurale dhe nën-shfrytëzimin e mbetjeve organike. Ekofungi kultivon kërpudha në një mënyrë inovative dhe me ndikim të ulët, duke përdorur si substrat mbetjet e bujqësisë, si kashtë dhe mbetje druri. Këto materiale, të cilat shpesh hidhen në mënyrë të papërshtatshme ose digjen, përfundojnë në deponi ose në kanale ujore, tani ripërdoren për të rritur produkte ushqimore dhe më pas përdoren si plehra natyrale, duke përfunduar kështu ciklin e burimeve. Ky koncept promovon ekosisteme më të pastra, emetime më të ulëta dhe shëndet më të mirë të tokës.
Ja këshillat e mia kryesore për mbetjet bujqësore
- Nga gjurmët te fitimet – Aktualisht, pjesa më e madhe e mbetjeve bujqësore keqpërdoret, duke lënë pas një gjurmë të lartë mjedisore. Tani e dimë se si t’i shndërrojmë këto gjurmë në fitime. Kashta dhe mbetjet e tjera të bimëve mund të ripërdoren si substrate në vend që të digjen apo të hidhen.
- Mos i hidhni mbetjet e vajit të ullirit, transformojini ato - Mbetjet nga prodhimi i vajit të ullirit, si degët ose tuli, mund të ripërdoren për të rritur lloje specifike kërpudhash si Shiitake. Duke përdorur si substrate për kultivimin e kërpudhave materiale të tilla si mbetje të ripërdorshme të mullinjve të vajit të ullirit dhe degët e ullirit (nga kompanitë e vajit të ullirit), ne promovojmë menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve dhe prodhojmë materiale me bazë bio për përdorim bujqësor.
- Shndërrojini zakonet tradicionale në inovacion të gjelbër - Dashuria e Shqipërisë për kafenë prodhon shumë mbetje organike. Ekofungi tregon se si edhe zakonet kombëtare mund të nxisin ide qarkulluese. Kombinimi i kokrrave të përdorura të kafesë me kashtën krijon një bazë të pasur me lëndë ushqyese për kultivimin e kërpudhave. Pra, nga njëra anë, kemi përdorim efikas të kafesë dhe zvogëlojmë sasinë e mbetjeve dhe nga ana tjetër kultivojmë kërpudha.
- Ripërdorni mbetjet rurale, mos ndotni - Në vend që t’i hidhni mbetjet organike në lumenj ose fusha, shndërrojini ato në një input të vlefshëm për bizneset e gjelbra. Të gjitha mbetjet që vijnë nga prodhimi i vajit të ullirit mund të përdoren edhe si pelet për ngrohje. Peletet e drurit janë më të njohura, por mbetjet e ullirit janë një burim energjie i rinovueshëm dhe i qëndrueshëm, i bërë nga një produkt që përndryshe do të hidhej.
- Nga ferma te kërpudhat dhe përsëri në fermë - Materiali i mbetur pas mbledhjes së kërpudhave mund të përdoret si pleh natyral për tokën. Substrati është plot potencial dhe mund të përdoret në kopsht, mund të kompostohet ose të përdoret edhe si fole për të rritur kërpudha të tjera, pasi përmban lëndë të para gati për t'u ripërdorur.
- Potencialet rurale - Ne duhet të shohim përtej qyteteve. Fshatrat ofrojnë materiale, hapësirë dhe mundësi për të nisur nisma të qëndrueshme. Ndërsa fermerët përdorin plehun e lopëve dhe pulave si burime të vlefshme lëndësh ushqyese për kulturat organike, ne mund ta përdorim atë si një input për kultivimin e kërpudhave, pasi rrit mbajtjen e ujit në tokë. Lloje të tjera të mbetjeve, mbetjet organike ose mbetjet e vështira për t’u menaxhuar mund të përdoren si bashkë-substrat.
- Ekonomia qarkulluese fillon në shkallë të vogël - Një laborator në shkallë të vogël ose një projekt pilot mund të jetë hapi i parë drejt një biznesi të plotë dhe të qëndrueshëm, si Ekofungi. Kemi parë nisma të suksesshme në Evropë dhe në rajon, të cilat kanë nisur të prodhojnë më parë kërpudha, varietete të tilla si Champion ose Oysters. Duke qenë se jemi të ekspozuar ndaj turizmit, mund të shohim zhvillime të mëtejshme ekonomike. Pasi të shohim se funksionojnë mirë, e zgjerojmë në një shkallë tjetër.
- Shndërroni mbetjet në mundësi - Nëse trajtohen siç duhet, mbetjet bujqësore mund të krijojnë vende pune, të mbrojnë mjedisin dhe të nxisin ekonomitë vendore. Ndërsa mbyllim gjithë ciklin e mbetjeve, si rezultat përfundimtar me Ekofungin rrisim gjithashtu mundësitë për të rinjtë, që do të thotë punësim vendor në zonat kryesisht të disavantazhuara ose të margjinalizuara, duke treguar mbrojtje të mjedisit.
- Përqafoni praktikat e qëndrueshme – Niseni duke ndryshuar mendësinë, nga ndarja e mbetjeve te kompostimi dhe ripërdorimi i tyre për qëllime të ndryshme. Duke përqafuar këto lloj sipërmarrjesh të reja dhe praktikash të qëndrueshme, mbrojmë tokën, prodhojmë ushqim të shëndetshëm, krijojmë vende pune, ndihmojmë zhvillimin vendor, si dhe kemi një ndikim pozitiv dhe promovojmë ide të gjelbra.
Kjo nismë është në përputhje me fushatën vjetore # PërPlanetinTonë që synon të aktivizojë qytetarët në të gjithë botën për të mbrojtur, forcuar dhe për t’u kujdesur për planetin tonë të bukur.