Shndërrimi i mbetjeve të qelqit në vlerë: Si mund ta shërojë natyrën dhe të japë përfitime riciklimi i qelqit
Gati 40 ton mbetje qelqi, dikur të destinuara për në landfill apo të hedhura në natyrë, tashmë riciklohen në material filtri për pishina. Në Parkun e Ekonomisë Qarkulluese RecycAl në Fushë-Krujë, një makineri e instaluar rishtazi përpunon deri në 300 kilogramë qelq në orë, duke e bluar atë në një pluhur të imët që shërben si një mjet efikas për filtrimin e pishinave.
Mbetjet e qelqit nga dritaret, shishet dhe kavanozat tani mund të transformohen në material filtrimi për pishina, përmes një procesi të avancuar që e pastron, e thërrmon dhe e shndërron atë në kokrriza të sigurta. Ky material, përdoret si alternativë në vend të rërës së silicit dhe ofron efikasitet më të lartë filtrimi, duke kapur grimca deri në 5 mikronë, ndërsa ngarkesa e saj e lehtë negative ndihmon për të penguar rritjen e baktereve.
EU Delegation to Albania
Projekti "Riciklimi i Qelqit në Shqipëri" mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programit “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytetet e Jetueshme”, që synon të ofrojë zgjidhje në fazat e hershme përmes parandalimit dhe reduktimit, si dhe zgjidhje në fazat e mëvonshme, siç janë rikuperimi dhe gjurmimi i rrjedhave të materialeve.
“Nisma ‘Riciklimi i Qelqit në Shqipëri’ përqendrohet te mbledhja e mbetjeve të qelqit nga kompanitë industriale dhe transformimin e tyre në dy produkte: material filtri për pishina dhe terrazzo, një material dekorativ”, shpjegon Bleona Zela, Menaxhere e Projektit. Ajo vëren se materiali i filtrit për pishina po prodhohet në Shqipëri për herë të parë. Deri tani, kompanive iu duhej ta importonin nga jashtë.
“Prodhimi vendas jo vetëm që zvogëlon mbetjet, por krijon edhe një mundësi të vlefshme. Ai e mban qelqin larg landfilleve dhe mjedisit, ndërsa u ofron kompanive të pishinave një produkt vendas që është më i mirë se rëra e silicit, e cila është alternativa aktuale”, shpjegon ajo.
Përmes ndihmës së programit të mbështetur nga BE-ja, disa kompanive u janë shpërndarë kontejnerë të posaçëm, ku ato hedhin mbetjet e tyre të qelqit. Materiali i mbledhur transportohet më pas në parkun e riciklimit në Fushë-Krujë. Atje, qelqi kontrollohet për të përcaktuar nëse duhet pastruar para se të futet në një makinë bluarëse, duke përdorur një ekskavator.
Siç shpjegon Bleona Zela, procesi prodhon grimca në tre madhësi – 1-2 mm, 2-3 mm dhe 3-4 mm – ideale për përdorim në filtrat e pishinave. Produkti i përfunduar paketohet në vend në qese 20 kg, gati për shpërndarje.
EU Delegation to Albania
Qelqi i mbetur, i ripërdorur në terrazzo për përdorim dekorativ, gjen jetë të re në një gamë të gjerë përdorimesh. Ai mund të përdoret në stola dhe karrige, banakë restorantesh dhe baresh, sipërfaqe kuzhine, lavamanë dhe banja, apo praktikisht në çdo hapësirë ku dëshirohet një material i qëndrueshëm dhe vizualisht tërheqës.
Si pjesë e projektit, Parkut të Ekonomisë Qarkulluese i është ofruar mbështetje për të krijuar si infrastrukturën ashtu edhe kuadrin organizativ, duke përfshirë blerjen e pajisjeve të përpunimit të qelqit, trajnimin për praktikat e riciklimit, udhëzimet e ekspertëve dhe promovimin e punës së vazhdueshme. “Riciklimi i Qelqit në Shqipëri” është bërë tani kompania e parë e licencuar në vend e dedikuar ndaj riciklimit dhe përpunimit të qelqit.
Kompanitë në industrinë e dritareve tani kanë qasje në një zgjidhje miqësore me mjedisin për menaxhimin e mbetjeve të tyre të qelqit. Në vend që të paguajnë tarifa të larta për asgjësimin në landfille apo të rrezikojnë hedhjen e tyre në zona të papërshtatshme, ato mund ta ofrojnë këtë material për procesin e riciklimi që e transformon atë në produkte të vlefshme.
Kjo qasje jo vetëm që zvogëlon kostot operative, por kontribuon edhe për një mjedis më të pastër, mbështet ekonominë qarkulluese, si dhe rrit reputacionin e kompanive si biznese të qëndrueshme. Duke përdorur këtë alternativë ekologjike, kompanitë e dritareve përfitojnë financiarisht, ndërkohë që kontribuojnë në mënyrë aktive për uljen e ndotjes dhe ruajtjen e burimeve.
Mbetjet e qelqit përbëjnë një kërcënim serioz për mjedisin, veçanërisht kur përzihen me plastikë apo substanca të tjera të rrezikshme.
INFORMACION I PËRGJITHSHËM
Projekti “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytetet e Jetueshme” bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), si dhe zbatohet nga GIZ Albania në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit. Ai e mbështet Shqipërinë për arritjen e tranzicionit drejt një ekonomie qarkulluese dhe fuqizon bashkitë për të ndërtuar qytete të qëndrueshme të së nesërmes, duke kontribuar për përmirësimin e shëndetit të qytetarëve, krijimin e vendeve të gjelbra të punës, si dhe përmirësimin e efiçencës së energjisë. Fokusi i projektit është krijimi i sinergjive mes palëve të ndryshme të interesuara, duke çuar në shërbime më efikase të menaxhimit të mbeturinave, me vëmendje të veçantë te menaxhimi i të dhënave dhe treguesit kyç të performancës, duke mundësuar vendosjen e objektivave të qarta, ndjekjen e progresit dhe garantimin e llogaridhënies.