Shqipëria i bashkohet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së
Sot Shqipëria bëhet zyrtarisht Shtet Pjesëmarrës i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së – themeli i sistemit të menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë i BE-së.
Ky hap madhor në forcimin e bashkëpunimit rajonal për menaxhimin e fatkeqësive u shënua me vizitën e Komisionerit Evropian për Menaxhimin e Krizave Janez Lenarčič në Tiranë, ku u takua me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi. Së bashku me ministrin Peleshi, Komisioneri nënshkroi marrëveshjen në emër të Bashkimit Evropian për t'i dhënë Shqipërisë statusin e anëtarësimit në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.
Janez Lenarčič, Komisioner për Menaxhimin e Krizave tha: “Sot jam krenar të mirëpres Shqipërinë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së. Ky hap vjen në një moment vendimtar kur rreziqet natyrore janë më të shpeshta dhe më intensive. Një fatkeqësi mund të godasë kudo dhe në çdo kohë dhe sistemet tona të reagimit ndaj krizave duhet të jenë gati për t'i bërë ballë edhe pasojave të ndryshimeve klimatike. Dua të falënderoj autoritetet shqiptare të mbrojtjes civile për vendosmërinë dhe përpjekjet e tyre të palodhura për ta sjellë në jetë këtë zhvillim të rëndësishëm. Duke punuar së bashku, ne mund ta përmirësojmë ndjeshëm përgatitjen tonë për emergjencat dhe të ndërtojmë një sistem më fortë të menaxhimit të fatkeqësive në Evropë”.
Niko Peleshi, Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë tha: “Mekanizmi Evropian ka qenë pranë nesh në ditë të vështira të Emergjencave Civile, fatkeqësive natyrore, të cilat kulmuan në nëntor të vitit 2019, me tërmetin dramatik që pësoi Shqipëria. Por, sot ne jemi anëtarë të këtij mekanizmi, që do të thotë se ne sot marrim pjesë jo thjesht si përfitues, por marrim pjesë edhe si kontributorë në tryezat ku përgatiten politikat, masat, aktet e Mbrojtjes Civile për të gjithë hapësirën e Ballkanit, e BE-së”.
Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së bazohet në bashkëpunim dhe solidaritet, që do të thotë se kur godet një fatkeqësi, shtetet e tjera mund të ofrojnë ndihmë. Përpara se të anëtarësohej si anëtare me të drejta të plota, Shqipëria u mbështet nga Ekipet e Mbrojtjes Civile të BE-së pas tërmetit shkatërrues në nëntor 2019 dhe zjarreve gjatë tri verave të fundit.
Si anëtare me të drejta të plota e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, Shqipëria jo vetëm që do të jetë në gjendje të marrë mbështetje të menjëhershme, por gjithashtu mund të dërgojë ndihmë në vendet e goditura nga një fatkeqësi nëpërmjet Mekanizmit, duke çuar në një reagim më të fortë dhe më të koordinuar ndaj krizave në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës.
Background
Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së synon të forcojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe 8 shteteve pjesëmarrëse (Islanda, Norvegjia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Bosnja dhe Hercegovina dhe së fundmi Shqipëria) për mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin, përgatitjen dhe reagimin ndaj fatkeqësive.
Kur një emergjencë mposht aftësitë reaguese të një vendi në Evropë dhe më gjerë, ai mund të kërkojë ndihmë nëpërmjet Mekanizmit. Komisioni Evropian luan një rol kyç në koordinimin e reagimit ndaj fatkeqësive në mbarë botën. Që nga krijimi i tij në vitin 2001, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i BE-së i është përgjigjur më shumë se 600 kërkesave për ndihmë brenda dhe jashtë BE-së.
Një qasje e përbashkët ndihmon më tej mbledhjen e ekspertizës dhe kapaciteteve të reaguesve të parë, shmang mbivendosjen e përpjekjeve të ndihmës dhe siguron që ndihma të plotësojë nevojat e të prekurve. Mbledhja e kapaciteteve dhe aftësive të mbrojtjes civile mundëson një përgjigje kolektive më të fortë dhe më koherente.
Mekanizmi gjithashtu ndihmon për koordinimin e aktiviteteve të përgatitjes dhe parandalimit të fatkeqësive të autoriteteve kombëtare dhe kontribuon për shkëmbimin e praktikave më të mira. Kjo lehtëson zhvillimin e vazhdueshëm të standardeve më të larta të përbashkëta duke u mundësuar ekipeve të kuptojnë më mirë qasjet e ndryshme dhe të punojnë në mënyrë të ndërsjellë kur godet një fatkeqësi.
Për më shumë informacion:
Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së
Qendra për Koordinimin e Reagimit ndaj Emergjencave
Menaxhimi Evropian i Rrezikut nga Fatkeqësitë