Si një projekt ndërkufitar i BE-së po e afron liqenin e Shkodrës më pranë statusit të UNESCO-s

Pothuaj një shekull më parë, ujërat e qeta të liqenit të Shkodrës ishin të mbushura me varka të panumërta. Peshkimi, transporti, udhëtimi dhe komunikimi mes fshatrave si Shiroka, Zogaj, Kraja, Ljarja dhe Shestani mbështeteshin të gjitha te këto mjete lundrimi. "Sidomos të martave në mbrëmje dhe të mërkurave në mëngjes, të cilat ishin ditë tregu në Shkodër, këto varka niseshin nga portet e ndryshme përreth liqenit drejt pazarit të Shkodrës", shkruan Lec Shllaku, duke përshkruar flota varkash që transportonin mallra dhe pasagjerë, gjë që e bënte lundrimin po aq jetësor për banorët e liqenit, sa kuajt apo qerret në tokë.

Shkodra Lake Watershed towards UNESCO

Shumica e varkave ishin ndërtuar nga vetë fshatarët, ndërsa të tjerat ndërtoheshin nga artizanë vendas, punishtet e të cilëve, ndodheshin përgjatë brigjeve të lumit Buna. Ujërat në të gjelbër të errët, reflektonin fshatrat dhe banorët në jetën e tyre të përditshme: tek lundronin në liqen, mbanin rrjetat, uleshin në karrige, apo nisnin peshkimin para agimit.

Një shekull më pas, ndërsa kujtimi i varkave prej druri është zbehur, një projekt i financuar nga BE-ja po e ringjall atë, duke u përpjekur të rivlerësojë ujërat dhe tokat, biosferën e pasur nënujore e mbiujore, si dhe traditat, zanatet, kulturën, festivalet, ritualet, zakonet dhe trashëgiminë që përcaktojnë gjithë pellgun ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës. Zona tashmë është nominuar si rezervë ndërkufitare e biosferës në UNESCO, në kuadër të Programit "Njeriu dhe Biosfera".

Shkodra Lake Watershed towards UNESCO

Dosja e nominimit u finalizua në kuadër të projektit “Zona e Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit të Shkodrës – një Rezervë Ndërkufitare e Biosferës”, financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Mali i Zi, zbatuar nga Qendra EDEN (SH), EnvPro (MZ), Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura (SH) dhe Parqet Kombëtare të Malit të Zi.

“Në vetëm 36 muaj, përgatitëm tri dosje aplikimi për UNESCO-n – dy kombëtare dhe një ndërkufitare – duke kërkuar statusin e Rezervës së Biosferës për liqenin më të vjetër të Ballkanit dhe ekosistemet e tij ujore”, shpjegon Ermelinda Mahmutaj nga EDEN. Ajo thekson se “programi IPA CBC Shqipëri-Mal i Zi e mbështeti këtë projekt duke promovuar ruajtjen e ekosistemit dhe duke kërkuar bashkëpunim nga partnerët. Parimet e tij kyçe – hartimi, zbatimi dhe menaxhimi i përbashkët – ishin thelbësore për përgatitjen e tri dosjeve të aplikimit për UNESCO-n, pa të cilat suksesi nuk do të kishte qenë i mundur”.

Pellgu i liqenit të Shkodrës përfshin vetë liqenin, daljen e tij përmes lumit Buna, lumenjtë Cem dhe Kir me degët e tyre, si dhe bashkimin e Drinit me Bunën. “Së bashku, këto rrugë ujore krijojnë një peizazh të veçantë dhe dinamik që mishëron historinë e njerëzve dhe të vendit, duke reflektuar ndërvarësinë e thellë të njerëzimit dhe natyrës, si dhe duke shënuar themelin e kësaj dosjeje nominimi”, shpjegon Klodiana Marika, Drejtoreshë e Biodiversitetit dhe Zonave të Mbrojtura në Ministrinë e Mjedisit.

Shkodra Lake Watershed towards UNESCO

Ajo vëren se zona e biosferës së liqenit të Shkodrës strehon një mozaik të jashtëzakonshëm ekosistemesh – duke filluar nga liqeni, lumenjtë, deltat, ligatinat dhe lagunat deri te rërat bregdetare, pyjet dhe kullotat subalpine. "Së bashku, ato formojnë peizazhe mbresëlënëse, të pasura me biodiversitet dhe të pajisura me vlera ekologjike, ekonomike dhe rekreative. Brenda rezervës, janë identifikuar 25 lloje habitatesh të listuara në Shtojcën I të Direktivës Evropiane të Habitateve, pesë prej të cilave njihen si habitate parësore", thotë Marika. Ajo thekson se përcaktimi i pjesës shqiptare të pellgut ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës si rezervë biosfere e UNESCO-s do të shërbejë si një kornizë unifikuese në të cilën harmonizohen ruajtja dhe zhvillimi – duke mbrojtur biodiversitetin dhe vlerat kulturore, duke forcuar jetesën e qëndrueshme dhe duke promovuar zhvillimin rural, ndërsa krijohet hapësirë për kërkim shkencor, arsim dhe ndërtim kapacitetesh.

Sipas ministrit të Mjedisit të Shqipërisë, përcaktimi i liqenit të Shkodrës si Rezervë Ndërkufitare e Biosferës brenda programit “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s përfaqëson një angazhim të përbashkët institucional nga Shqipëria dhe Mali i Zi për të mbrojtur trashëgiminë natyrore me vlerë të jashtëzakonshme, si dhe për të çuar përpara objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. “Ky proces forcon bashkëpunimin ndërkufitar dhe krijon një kornizë të qëndrueshme për menaxhimin e integruar të ekosistemit, ruajtjen e biodiversitetit, përfshirjen aktive të komuniteteve vendore dhe pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare mjedisore, duke kontribuar për qëndrueshmërinë afatgjatë mjedisore, sociale dhe ekonomike të rajonit”, thotë ministri Sofjan Jaupaj.

Dosjet përfshijnë trashëgiminë e pasur të zonës, të reflektuar në peizazhin arkeologjik dhe kulturor përreth liqenit, si dhe vendndodhjen strategjike të rajonit si një udhëkryq i kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme, duke përfshirë ato romake, bizantine dhe osmane. “Turizmi kulturor dhe ekoturistik, aktivitetet ujore, vlerat gastronomike, zanatet tradicionale, qëndisjet, qeramika prej balte e punuar me dorë, thurja dhe endja e leshit, festat fetare dhe festivalet e korrjes, shtegtimi i bagëtive dhe Karnavalet e Shkodrës – këta elementë të pasur dhe të larmishëm, të rrënjosur thellë në traditat vendore dhe burimet natyrore janë përshkruar me hollësi në dosje”, shpjegon Helidon Sokoli, një arkeolog vendas dhe Drejtor i Monumenteve të Kulturës në Shkodër.

Shkodra Lake Watershed towards UNESCO

Ai shton se traditat e peshkimit, shtëpitë e peshkatarëve, mjediset e qeta buzë liqenit, skelat e thjeshta prej druri dhe guri, rrjetat e tharjes dhe anijet e ankorimit janë dokumentuar së bashku me 237 pasuri kulturore në rajonin e Shkodrës, duke përfshirë 37 vendbanime të fortifikuara nga periudha helenistike. Janë përfshirë gjithashtu struktura të shumta fetare – manastire, kisha dhe kapela të ndërtuara nga sundimtarët vendas. E ndërtuar mbi një bazilikë të shekullit të 6-të në vitin 1290, Kisha Benediktine e Shën Sergjit dhe Bakut në Shirgj, tashmë vetëm një mur i mbijetuar, lidh zonën me Mbretëreshën Helena të Anzhusë.

Përmes nominimit, Shqipëria konfirmon angazhimin e saj për fuqizimin e komuniteteve vendore, çuarjen përpara të qeverisjes mjedisore dhe pozicionimin e pellgut të liqenit të Shkodrës si një model kombëtar harmonie mes njerëzve dhe natyrës. Aurora Dibra, Profesoreshë e Shkencave Mjedisore në Universitetin e Shkodrës dhe anëtare e grupit të punës, paralajmëron se problemet ekologjike ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e komunitetit. "Është thelbësore të parandalohen probleme të tilla, si dhe të minimizohen dhe zbuten ndikimet negative të ndryshimeve klimatike në rajon. Zhvillimi i qëndrueshëm dhe përdorimi i qëndrueshëm i tokës në zonën e liqenit të Shkodrës janë mënyrat më efektive për të parandaluar dëmtimet mjedisore dhe humbjen e biodiversitetit. Nevojitet gjithashtu zbatimi i fortë i ligjit kundër ndërtimeve të paligjshme dhe degradimit të vijës bregdetare", thotë ajo.

Shkodra Lake Watershed towards UNESCO

INFORMACION I PËRGJITHSHËM

Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA Mali i Zi - Shqipëri synon të promovojë marrëdhënie të mira fqinjësore, të nxisë integrimin në Bashkimin Evropian, si dhe të kontribuojë për zhvillimin social, ekonomik dhe territorial duke përmirësuar cilësinë e jetës së popullsisë në zonën ndërkufitare të programit nëpërmjet zhvillimit të turizmit të bazuar te trashëgimia kulturore/natyrore dhe duke mbrojtur mjedisin. Ai siguron zbatimin efikas, efektiv, transparent dhe në kohë të programit të bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe rrit ndërgjegjësimin për programin mes komuniteteve kombëtare, rajonale dhe vendore dhe, në përgjithësi, popullsisë në zonën e përcaktuar të programit. Programi punon për mbrojtjen e mjedisit, përshtatjen dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike, parandalimin dhe menaxhimin e rreziqeve dhe që territori ndërkufitar të jetë më i qëndrueshëm dhe elastik nga ana mjedisore.