Soraldo Nebo, djaloshi i turit të midhjeve, i cili drejton organizatën turistike “Visit Saranda”

Soraldo Nebo është një i ri 33-vjeçar i pasionuar pas turizmit. Të gjithë e njohin në Ksamil të Sarandës, sepse ishte i pari vendas që promovoi Ksamilin si destinacion turistik përmes faqes së njohur të internetit që krijoi më shumë se dhjetë vjet më parë.

Sot, Soraldo është drejtuesi i organizatës “Visit Saranda”, një shoqatë me dhjetëra anëtarë të bizneseve turistike që punojnë së bashku për të përmirësuar ofertën turistike dhe për të rritur ndërgjegjësimin e autoriteteve vendore për çështjet që lidhen me turizmin.

Soraldo Nebo, the mussels tour guy, who heads the Visit Saranda tourism organization

Ndryshimi i drejtimit

Soraldo i nisi studimet në Tiranë, në vitin 2008, për t'u bërë inxhinier elektronik, por shumë shpejt ndryshoi mendje. “Kisha pritshmëri të mëdha për studimet universitare dhe profesionin tim të ëndrrave, por pas vitit të parë, pasioni im u shua,” kujton Soraldo. Në vend të kësaj, nisi të mendonte se çfarë mund të bënte për qytetin e tij të lindjes, ku pa një potencial të jashtëzakonshëm. “Në Tiranë ndërtova faqen e parë të internetit për Ksamilin si destinacion turistik dhe bashkë me dy miq po mendonim se si ta kthenim në biznes”, shpjegon ai. Ai kishte nevojë për një plan biznesi dhe më shumë kohë për t'u përqendruar në iniciativën e tij.

Pavarësisht pritshmërive të prindërve që ai të përfundonte universitetin, Soraldo nisi të fokusohej te biznesi i tij në Ksamil, fillimisht me faqen e internetit dhe më pas me krijimin e tureve dhe itinerareve të ndryshme, në një kohë kur të vetmet kompani që operonin në Ksamil ishin hotelet dhe restorantet. Mes përvojave të ndryshme, ai krijoi edhe Turin e Midhjeve, një tur në liqenin e Butrintit që ndodhet aty pranë për t’i njohur turistët që vizitojnë Parkun Kombëtar të Butrintit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, me midhjet e rritura në vend dhe m punën e fermerëve vendas. Fillimisht, ai e drejtonte turin në kushte shumë të vështira, pa pajisjet e nevojshme dhe duke u mbështetur në kapacitete shumë të kufizuara njerëzore.

Fondi Rajonal i Sfidave

Në vitin 2019, ai dëgjoi nga një mik për Challenge Fund, një mundësi financimi pjesë e programit “BE për Inovacionin” financuar nga BE-ja. Së bashku me Gjermaninë dhe Suedinë, programi synon të përmirësojë ekosistemin inovativ të Shqipërisë dhe nxit krijimin e sipërmarrjeve të reja në vend.

Pasi u konsultua me miq dhe financierë për të hartuar një plan biznesi dhe një buxhet, ai aplikoi dhe fitoi. Nëpërmjet këtij fondi, Soraldo mundi të blinte dy varka, të trajnonte kapitenin dhe udhërrëfyesit, t'i pajiste ata me licenca, si dhe të blinte pajisje dhe gjithçka që i nevojitej për të ofruar një tur tërheqës mbi midhjet në liqen.

Pas përjetimit të dy viteve ngadalësim nga pandemia, puna me turin e midhjeve rifilloi më me sukses në vitin 2021”, thotë Soraldo. Ai e ka regjistruar turin në platforma ndërkombëtare si Viator apo Google Maps dhe tani kërkesat po vijnë nga gjithë bota. “Sot, turi i midhjeve në Trip Advisor rekomandohet si numri 1 nga 25 aktivitetet në natyrë që mund të bëni në Ksamil, dhe së fundmi kemi marrë Trip Advisor's Travel Choice për vitin 2023”, thotë Soraldo. Ky tur i shoqëron turistët në liqenin e Butrintit dhe i prezanton ata me historinë e tij si pjesë e sitit të UNESCO-s. “Njihuni me Mbretëreshën tonë” i njeh ata me midhjen blu të liqenit të Butrintit përmes një udhëtimi tradicional me varkë që eksploron procesin e kultivimit të midhjeve, ku ata përfshihen edhe në pastrimin e midhjeve dhe mësojnë se si kryhet ky proces. Më pas, ata ndalojnë në një bujtinë ekologjike brenda parkut kombëtar të mbrojtur të Butrintit, ku shijojnë një drekë të shijshme vendase. Ndërsa turistët përjetojnë një shije unike vendore, vlerësimet e tyre janë të shkëlqyera.

Soraldo Nebo, the mussels tour guy, who heads the Visit Saranda tourism organization

Hapat e ardhshëm

Soraldo po ecën përpara. Dy vitet e fundit ai ka investuar në një biznes familjar, një restorant që ofron kuzhinë tradicionale, i cili po bëhet gjithashtu shumë i njohur. “Kur kam kohë, më pëlqen të gatuaj vetë disa pjata për turistët”, thotë Soraldo, duke zbuluar një tjetër hobi të tij. Ksamili u bë kryefjalë e lajmeve në mbarë botën këtë vit, duke u quajtur "Maldivet e Evropës". Për pasojë, valë të mëdha turistësh vërshuan në vend, duke ngritur shqetësime mbi ndikimin e turizmit masiv. “Ne jemi të shqetësuar për cilësinë e turizmit, pasi reputacioni i Ksamilit është dëmtuar së fundmi nga biznese të papërgjegjshme që vlerësojnë më shumë fitimet e shpejta sesa kthimin e turistëve të kënaqur. Ne po përpiqemi t'i trajtojmë këto çështje me palë të tjera të interesuara," thotë Soraldo.

Visit Saranda

Prej kohësh, Soraldo ka lobuar për çështje të ndryshme turistike, duke rritur ndërgjegjësimin për shumë tema. Por, tani, ai ka më shumë peshë në trajtimin e çështjeve të shumta. Ai është zgjedhur drejtor ekzekutiv i shoqatës turistike “Visit Saranda”, një organizatë me anëtarë biznesi në Ksamil dhe në gjithë Sarandën, e cila synon të jetë organizata e menaxhimit të destinacioneve në rajon, përfshirë Konispolin dhe Delvinën. “Qëllimi i kësaj organizate është të identifikojë problemet e turizmit në Sarandë dhe të hartojë rekomandime dhe sugjerime për autoritetet vendimmarrëse për të bashkërenduar përpjekjet e bizneseve për shërbime cilësore më të mira, trajnime të stafit dhe një promovim më të mirëmenduar të turizmit në këtë zonë”, shpjegon ai.

Soraldo ka mësuar për turizmin duke punuar, duke u përballur me sfidat dhe duke u përpjekur t'i zgjidhë ato. Sot ai vazhdon studimet master për turizmin e qëndrueshëm dhe frymëzon të rinjtë që duan të bëjnë turizëm gjatë gjithë vitit në Sarandë. Ai dëshiron që të ketë më shumë projekte të financuara nga donatorë ndërkombëtarë për turizmin e qëndrueshëm, sepse është urgjente të rritet ndërgjegjësimi për rëndësinë e mbrojtjes së natyrës sonë, ruajtjes së kulturës sonë dhe ndihmës për situatën ekonomike të komuniteteve tona. “Ndonjëherë, imagjinoj sikur Ksamili të ishte si dhjetë vjet më parë, me kodrat e blerta që rrethonin ujërat e bruzta të detit dhe tre ishujt si një kurorë suveniri mbi kokën e tij. E di që nuk mund ta kthej kohën pas, por shpresoj se nuk është vonë për të ndalur shkatërrimin. Pamja është ende madhështore; ne duhet të ndryshojmë mendësinë se si të bëjmë turizëm.”