Studentët e Kolegjit të Evropës eksplorojnë Shqipërinë dhe zbulojnë projektet e financuara nga BE-ja

Duke ndenjur buzë liqenit të Shkodrës, aty ku horizonti humbet në ujë, një studente e re nga Suedia, që aktualisht studion në Kolegjin e Evropës në Shqipëri, nënvizon dy momente nga vizita në vend.
“Momenti i parë ishte të shihje se si Bashkimi Evropian është i pranishëm edhe përtej kryeqytetit, duke financuar projekte në të gjithë vendin. I dyti ishte angazhimi me të rinj nga Rrësheni dhe Lezha, për t’u treguar atyre më shumë rreth Kolegjit dhe për të ndarë këshilla dhe ide se si të aplikojnë në të ardhmen”, thotë Arzu Karimzade.
Ajo ishte një ndër rreth 20 studentët që vizituan si veriun ashtu edhe jugun e Shqipërisë në një udhëtim studimor të organizuar nga Bashkimi Evropian, duke u ndalur në Rrëshen, Lezhë, Razëm, Shkodër, Gjirokastër, Sarandë dhe Ksamil. Qëllimi ishte të përfshiheshin studentët e Kolegjit të Evropës në diskutime rreth komunikimit, sfidave dhe mundësive arsimore për të rinjtë, duke u ofruar atyre një mundësi të vlefshme për të eksploruar vendet kulturore, si dhe për të mësuar rreth projekteve të financuara nga BE-ja dhe ndërhyrjeve në zona — që nga kishat, kështjellat dhe muzetë deri te rrugët, nismat mjedisore, projektet turistike dhe më shumë.

EU in Albania
“Pjesa ime e preferuar e këtij udhëtimi studimor ishte vizita në vendin e varrimit të Skënderbeut në Lezhë, ku patëm mundësi të bashkëveprojmë me studentë shqiptarë nga Qendra Hana. Ishte e mrekullueshme sepse ndjeva entuziazmin e tyre për të ndarë kulturën dhe heronjtë e tyre kombëtarë. Mësova prej tyre se si Skënderbeu bashkoi popullin duke mbledhur gjithë princat për të diskutuar se si ta mbronin Shqipërinë nga pushtimi osman. Kjo ishte ndoshta përpjekja e parë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Evropën, pasi veprimet e tij bënë që osmanët të mos kalonin nëpër Shqipëri për të hyrë në pjesën tjetër të kontinentit”, thotë Ella-Marie Beirnaert, një studente belge në Kolegjin e Evropës në Tiranë.
Vizitat ishin pjesë e Fushatës Arsimore të BE-së, e përqendruar tek ofrimi i informacionit rreth mundësive për studentët dhe të rinjtë shqiptarë, duke treguar shembuj të suksesshëm të projekteve të financuara nga BE-ja përmes vizitave studimore dhe kulturore.
Paul Anderson, një student nga Skocia, vëren jo vetëm ndikimin e Bashkimit Evropian në aspektin e projekteve për të rinjtë, por edhe në ushqyerjen e ambicieve, shpresave dhe ëndrrave të tyre. Të njëjtën përshtypje ndau edhe Anita Balliu, e lindur në Shqipëri, por e rritur në Belgjikë.

EU in Albania
“Duke folur me nxënës të shkollave të mesme në Rrëshen rreth ambicieve dhe aspiratave të tyre në jetë, ajo që m’u duk më mbresëlënëse ishte se sa me largpamësi mendonin, sa shumë kishin planifikuar ndërkaq për të ardhmen e tyre dhe aktivitetet në të cilat janë të angazhuara tani - madje edhe aktivizëm. Ishte veçanërisht mbresëlënëse duke pasur parasysh moshën e tyre, rreth 16-17 vjeç”, thotë ajo.
Ndërsa Paul Anderson-i vlerësoi shëtitjen përgjatë shëtitores me diell të Shirokës, Düriye Toto nga Qiproja nënvizoi kuzhinën shqiptare - byrek, fërgesë dhe shëndetlie - në një udhëtim që përfshinte shumë shije dhe pamje të vendit, me monumente kulturore që pasqyronin historinë e pasur dhe të larmishme të Shqipërisë.

EU in Albania
“U ndjeva veçanërisht i lidhur me Kishën e Rubikut. Ishte interesante të shihja aspektin multikulturor të Shqipërisë përmes kësaj kishe katolike shekullore, tashmë e restauruar me fonde të BE-së dhe e arritshme si për vendasit ashtu edhe për vizitorët”, thotë Aleks Vangjelovski, i lindur në Pogradec, i rritur në Itali dhe tashmë i kthyer në Shqipëri si student në Kolegjin e Evropës.
Duke ecur pranë Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Gabriel Fernandez Alonso, një student nga Spanja, ndau njohuritë e tij nga pjesa jugore e udhëtimit.
"Më pëlqeu të takoja të rinj në Gjirokastër - si të rinj vendas ashtu edhe një grup studentësh spanjollë që aktualisht janë në Erasmus atje. Kjo më bëri të reflektoj mbi rëndësinë e lëvizshmërisë arsimore dhe se si ajo mund të ndihmojë për rigjallërimin e zonave rurale. U largova nga Gjirokastra i frymëzuar vërtet nga ideja e kalimit të disa muajve në një vend të tillë – duke ngadalësuar ritmin, duke qenë më pranë natyrës dhe duke u angazhuar me komunitetin vendas", thotë ai.

EU in Albania
Më tej, në jug, aty ku takohen uji dhe historia, vizitorët u përballën me pamje marramendëse dhe histori të lashta. "Pjesa Ksamil/Butrint e udhëtimit ishte padyshim e preferuara ime. Pamja e rrënojave të arkitekturës romake të shpërndara në të gjithë parkun, me detin aq pranë, ishte e paharrueshme. Nuk kisha qenë kurrë më parë në Shqipërinë jugore dhe tani e di që patjetër do të kthehem! Shqipëria është një vend me diversitet të jashtëzakonshëm dhe ushqim të jashtëzakonshëm, dhe ajo çka përjetova në jug e vërtetoi këtë", thotë Adam Kelly, një student nga Irlanda.

EU in Albania
Francisco Javier Buades Piqueres nga Spanja gjithashtu ndau mahnitjen e tij me Sarandën. "Turi i midhjes në Liqenin e Butrintit ishte, pa dyshim, çasti im i preferuar. Mbështetur nga Fondi i Sfidës “BE për Inovacionin”, ishte e pabesueshme të shihje se si nismat e turizmit të qëndrueshëm po krijojnë mundësi të reja për rajonin, duke ruajtur në të njëjtën kohë bukurinë e tij natyrore. Një pjesë vërtet e paharrueshme e udhëtimit", shton ai.
Këto vizita, të cilat i njohën studentët me natyrën dhe kulturën e Shqipërisë dhe kontributin e BE-së për ruajtjen dhe rigjallërimin e tyre nisën me vizionin e një studenteje.
“Që kur nisa studimet në Kolegjin e Evropës, dëshiroja të gjeja një mënyrë që bashkëmoshatarët e mi nga e gjithë Evropa ta përjetonin Shqipërinë përtej Tiranës dhe të lidheshin me të rinj nga qytete më të vogla, ku informacioni rreth kolegjit tonë mund të mos ishte aq i arritshëm. Falë mbështetjes së Delegacionit të BE-së në Shqipëri e bëmë këtë të mundur, duke përjetuar dy udhëtime të mrekullueshme studimore në të gjithë vendin, nga veriu në jug”, thotë Desantila Muriqi, një studente nga Kosova.

EU in Albania
“Eksploruam peizazhet dhe kulturën e Shqipërisë, mësuam rreth punës së BE-së këtu dhe, më e rëndësishmja, krijuam lidhje të rëndësishme me të rinjtë vendas. Pjesa më e mirë? Shkëmbimi i ideve, ofrimi i këshillave, ndarja e sugjerimeve, si dhe premtimi për të qëndruar në kontakt si mentorët e tyre joformalë”, thotë ajo ndërsa shijon pamjen e Butrintit që ngrihet në kodrën pranë liqenit, aty ku bashkohen historia dhe jeta e përditshme.