Të bashkuar në reagim, ndihma e BE-së për zjarret e verës në Shqipëri
"Zjarri po i afrohet qytetit". Zëri në anën tjetër të linjës i nxiti zjarrfikësit të largoheshin nga Syri i Kaltër në Sarandë pas 24 orësh luftimi me flakët dhe të niseshin drejt një vatre të re. Kur mbërriti në Delvinë, mbrëmjen e 12 gushtit, Artan Tafani e kuptoi menjëherë shkallën e katastrofës – ishte një nga zjarret më të mëdha që kishte hasur në karrierën e tij 20-vjeçare. Qyteti ishte rrethuar nga flakët. Përballë intensitetit dhe madhësisë së flakëve, detyra e parë dhe më urgjente ishte të bindte banorët të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre – një sfidë që nuk ishte aspak e lehtë.
“Zakonisht, zjarret shuhen natën kur bie vesa dhe era ndryshon drejtim”, thotë Tafani . “Por atë mbrëmje, digjej aq fort sikur të ishte mesditë. Situata ishte kritike dhe po përkeqësohej. Isha në hyrje të qytetit kur zjarri u përhap me shpejtësi alarmante. Dukej i pandalshëm. Njerëzit ishin në gatishmëri, të gjithë në rrugë me fëmijë në krahë dhe të pasigurt se çfarë të bënin. Puset e naftës aty pranë e bënin situatën edhe më të rrezikshme. Parandalimi i një katastrofe atje u bë përparësia jonë kryesore”.
Ai e udhëhoqi operacionin si komandant i një ekipi të vogël – një shofer dhe dy ekipe shpëtimi. Ata nisën duke vendosur tuba uji, duke aktivizuar me shpejtësi rrjedhën dhe duke lëshuar 4.000 litra brenda vetëm pesë minutash. Njëra anë e zjarrit u vu nën kontroll dhe u përdor shkumë për të shuar flakët. Makina e zjarrfikësve furnizohej pa ndërprerje.
EU Delegation to Albania
“Punuam gjithë natën”, kujton Tafani. “Në mëngjes, zjarri ishte nën kontroll. Me kujdes iu afruam puseve të naftës për të parandaluar çdo rrezik të mëtejshëm. Arritëm të shpëtonim jetë, të mbronim shtëpitë dhe qytetin”, thotë ai me krenari.
Tafani, 44 vjeç dhe baba i dy fëmijëve, e pranon se kur është në detyrë, përqendrimi i tij është tërësisht te zjarri. “Sigurisht, familja ime shqetësohet”, thotë ai. “Ata ndjekin lajmet, shohin se sa larg është përhapur zjarri dhe unë nuk mund t'i përgjigjem telefonit. Nuk ka kohë. Ndonjëherë terreni është shumë i ashpër, ndonjëherë antenat digjen, ndonjëherë nuk ka fare sinjal. Dhe gjatë një operacioni 72-orësh, i gjithë komunikimi bëhet vetëm përmes zinxhirit komandues të zjarrit”, shpjegon Tafani.
Ky vit shënoi një nga sezonet më të vështira të zjarreve në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin e gjerë. Sipas Operacioneve Evropiane të Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës Humanitare, Qendra e Koordinimit të Reagimit ndaj Emergjencave (ERCC) mori gjithsej 18 kërkesa për ndihmë nga vende, përfshirë Shqipërinë (3), Greqinë (3), Maqedoninë e Veriut (3), Bosnjën dhe Hercegovinën (2), si dhe Qipron, Bullgarinë, Malin e Zi, Spanjën, Portugalinë, Izraelin dhe Sirinë.
Shqipëria e aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së (UCPM) tri herë: së pari më 6 korrik 2025, duke kërkuar dy aeroplanë “Canadair” për zjarret në bashkinë e Finiqit; së dyti, më 21 korrik, duke kërkuar katër aeroplanë “Canadair” si mbështetje për ndërhyrje të shpejtë dhe dy helikopterë zjarrfikës për zjarret në qarqet e Vlorës dhe Dibrës; dhe për herë të tretë, më 6 gusht 2025, duke kërkuar katër mjete ajrore për shuarjen e zjarrit dhe duke e mbyllur emergjencën më 17 gusht.
EU Delegation to Albania
Këto aktivizime të përsëritura nxjerrin në pah ashpërsinë e zjarreve dhe varësinë e vendit nga mbështetja e koordinuar evropiane për menaxhimin e emergjencave në rritje që lidhen me klimën. Shqipëria iu bashkua Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së në vitin 2022.
“Ky anëtarësim i ka mundësuar vendit të përfitojë nga ndihma e menjëhershme, trajnimi i specializuar dhe shkëmbimi i ekspertizës, duke forcuar ndjeshëm kapacitetin tonë kombëtar për t'iu përgjigjur fatkeqësive”, shpjegon Ledjo Hoxha nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Shqipëria e aktivizon UCPM- në kur burimet e brendshme janë të pamjaftueshme për të menaxhuar emergjencat. Në operacionet e fundit të zjarreve në pyje, rreth dhjetë vende evropiane kanë ofruar mbështetje ajrore për shuarjen e zjarreve përmes mekanizmit, me ndërhyrje të koordinuara në rajone të shumta të vendit.
“Italia ofroi tre avionë “Canadair”; Greqia kontribuoi me katër avionë “PZL”; Kroacia siguroi një avion “Canadair”; Emiratet e Bashkuara Arabe dërguan dy helikopterë “Black Hawk”; Republika Çeke dhe Sllovakia nga një helikopter “Black Hawk” secila; Hungaria dërgoi dy helikopterë “Cougar”, ndërsa Suedia mbështeti me dy avionë “Fire Boss””, thotë Hoxha.
EU Delegation to Albania
Në vitin 2025, Shqipëria u përball me një sezon të paparë zjarresh, duke iu përgjigjur 1.354 operacioneve në gjithë vendin për të luftuar 193 zjarre në shkallë të gjerë. Ndërsa Forcat e Armatosura Shqiptare kryen 120 operacione ajrore duke përdorur helikopterë, një nga momentet kulmore ndodhi midis 11-12 gushtit, me ndërhyrje të koordinuara në mbi dhjetë vendndodhje në mbarë vendin.
Përtej përpjekjeve tokësore dhe ajrore, Shqipëria përdori dronë termikë për të monitoruar përhapjen e zjarrit dhe për të identifikuar pikat kritike të tij, veçanërisht në terren malor. Kjo teknologji përmirësoi ndjeshëm koordinimin mes helikopterëve dhe avionëve. Dy nga dronët e përdorur ishin njësi “DJI Mavic 3 Enterprise”, të ofruara përmes projektit “FloodNorthAlb”, i financuar nga Bashkimi Evropian.
“Duke kapur imazhe standarde dhe termike nga dronët, qendra e operacioneve - dhe komandantët në terren mund të marrin vendime më të shpejta dhe më të informuara për përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të përpjekjeve të shuarjes së zjarreve”, shpjegon Hoxha. “Imazhet u transmetohen drejtpërdrejt pilotëve, duke mundësuar reagim të shpejtë pikërisht aty ku është e nevojshme. Këta dronë u treguan veçanërisht të dobishëm në Gramsh dhe Delvinë”.
Sipas Hoxhës, përpjekjet ajrore të Shqipërisë për shuarjen e zjarreve këtë verë pasqyrojnë një përzierje të koordinuar të reagimit kombëtar dhe mbështetjes ndërkombëtare. Dislokimi i një flote ajrore shumëkombëshe, përdorimi strategjik i teknologjisë së dronëve dhe përfshirja aktive e Forcave të Armatosura Shqiptare në çdo zonë me rrezik të lartë nënvizojnë angazhimin e fortë të vendit për ta mbajtur situatën nën kontroll.