T’u japësh zë fëmijëve: Mbështetja e BE-së forcon terapinë e të folurit dhe kujdesin social

Dita e Drejtësisë Sociale

Në moshën gati katër vjeçare, Stiani nuk kishte thënë ende asnjë fjalë. Prindërit e tij ishin të shqetësuar, e motra kishte nisur të fliste para moshës dy vjeçare, ndaj çdo ditë rëndohej më shumë nga heshtja, pasi përpjekjet e fëmijës për të komunikuar nuk përktheheshin në fjalë apo fjali, derisa terapia e të folurit ndryshoi gjithçka.

"Ai ishte gjithmonë shumë i gëzuar, por nuk e shprehte dot. Nëse Stiani donte diçka, ai më merrte dorën dhe më çonte drejt saj, ose thjesht tregonte me gisht, por nuk fliste. Asnjë fjalë për ujë, asnjë fjalë për ushqim, as për dhimbje", kujton Serxhio Mjekërzaku, babai i Stianit pesëvjeçar, i cili më në fund tha fjalët e tij të para pasi mori terapi të të folurit përmes programit “BE për Kujdesin Social”.Në fillim, prindërit e tij prisnin me padurim që fjalët të thyenin heshtjen. Ata u konsultuan me disa pediatër përpara se t'u sugjerohej më në fund terapia e të folurit. Vogëlushi e nisi terapinë në shkurt të vitit të kaluar. Çdo seancë ishte e ndryshme, e përshtatur sipas nevojave të tij specifike. Ai kishte probleme me përqendrimin dhe nuk e mbante dot një lodër për më shumë se një minutë.

Pas katër muajsh, në një kënd të qetë të Qendrës Komunitare Shumëfunksionale të rinovuar në Cërrik, fjalët e para të djalit të vogël – "mam" dhe "bab" – u sollën gëzim të madh prindërve të tij. Ishin më shumë se fjalë, ishin provë e progresit. "Para terapisë, ai reagonte vetëm duke më parë në sy kur i flisja. Nuk përgjigjej kur e thërrisja me emër, ndonëse ishte fëmijë i dashur, i afrueshëm dhe gjithmonë i qeshur", tregon i ati.

Sipas terapistes së Stianit, Anxhela Ziu, ai i kupton gjërat shpejt, por ka probleme me përqendrimin dhe çrregullimin e vëmendjes. "Me Stianin, përdorim terapi zhvillimore dhe të lojës, varësisht nga dita dhe gjendja se  si ndihet. Ka seanca ku nuk bëjmë ushtrime të reja, por përqendrohemi te loja zhvillimore, dhe të tjera, ku punojmë më intensivisht me ushtrime të strukturuara zhvillimore", shpjegon ajo. 

Krahas terapisë dhe mbështetjes së paçmuar të mësueses së kopshtit, babait të Stianit iu këshillua të luante me të, t’i tregonte lojëra të ndryshme, të dilnin shëtitje, të kalonin kohë jashtë shtëpisë, të pikturonin, të ndërtonin, të vizitonin këndet e lojërave dhe të forconin lidhjen e tyre. “Tani ai mund të numërojë deri në 20, të thotë ditët e javës dhe muajt. Ai gjithashtu kërkon të dalë jashtë, megjithëse fjalitë e tij janë ende të fragmentuara. Ai thotë, ‘babi, jashtë’ në vend të ‘babi, eja të dalim’. Por kemi bërë shumë përparim dhe jam i lumtur. Po punojmë rregullisht dhe jemi në rrugën e duhur”, thotë Serxhio Mjekërzaku.

EU4SocialCare Cerrik

Stiani është një ndër 140 fëmijët në rrezik dhe personat me aftësi të kufizuara që përfitojnë nga shërbimet e ofruara në Qendrën Komunitare Shumëfunksionale në Cërrik, si pjesë e programit “BE për Kujdesin Social”. Në kuadër të tij, 200 individë dhe 110 familje kanë marrë mbështetje përmes ekipit të lëvizshëm. Nisma ka forcuar gjithashtu aftësitë e 20 ofruesve vendorë të shërbimeve, si dhe ka zgjeruar qasjen në kujdes përmes shtrirjes së synuar në komunitet. Përtej përforcimit të angazhimit të Cërrikut për një sistem kujdesi social më gjithëpërfshirës, ​​më të përgjegjshëm dhe më të decentralizuar, “BE për Kujdesin Social” ka përmirësuar edhe vetë qendrën përmes rinovimit.

Koha e kaluar para ekranit: një armik i heshtur i fëmijëve

Krahas seancave me një psikolog dhe një terapist të të folurit, punës në kopsht dhe mbështetjes së familjes në shtëpi, reduktimi i kohës para ekranit rezultoi thelbësor në rastin e Stianit.

EU4SocialCare Cerrik

"Mediet sociale, telefonat dhe teknologjia besohet se kanë ndikuar në aftësinë e djalit tim për të folur. Më parë e lejonim të qëndronte në telefon për periudha të gjata, kryesisht gjatë vakteve, përndryshe nuk pranonte të hante. Tani e kemi reduktuar në mënyrë drastike kohën para ekranit, ndonëse ka ende punë për të bërë", thotë Serxhio, duke shtuar se ka takuar shumë prindër që përballen me të njëjtën sfidë, pasi efektet e ekspozimit të tepërt para ekranit po bëhen gjithnjë e më të dukshme, veçanërisht te fëmijët e vegjël.

Sipas terapistes së tij, koha e kaluar para telefonit ishte një ndër faktorët që ndikonin në zhvillimin gjuhësor të Stianit. “Ai flet anglisht, por e ka të vështirë të komunikojë në shqip. Ai njeh shkronjat dhe ngjyrat në anglisht, por e ka të vështirë t’i shprehë ato në shqip. Kjo është arsyeja pse e këshillova të atin që ta minimizonte kohën para ekranit dhe ta zëvendësonte me lojëra brenda apo jashtë shtëpisë”, vëren Anxhela Ziu.

Një dokument i përgatitur nga NESET për Komisionin Evropian nxjerr në pah shqetësimet rreth efekteve të mundshme negative të kohës së tepërt para ekranit në mënyrën e jetesës, shëndetin fizik, funksionimin socio-emocional dhe performancën akademike. Hulumtimet e përqendruara te fëmijët e vegjël tregojnë se zhvillimi i trurit, veçanërisht në aftësitë njohëse, përvetësimin e gjuhës, funksionimin ekzekutiv dhe rregullimin e emocioneve, mund të ndikohet negativisht nga ekspozimi para ekranit, veçanërisht para televizorit. Një mekanizëm i mundshëm është mbistimulimi ndijor i shkaktuar nga ekspozimi i parakohshëm ndaj ekraneve në moshë të vogël.

 Sipas terapistes së Stianit, kur fëmijët përqendrohen te ekranet, ata humbasin fokusin në bashkëveprim. "Fëmija humbet komunikimin dhe përqendrimin. Duke qenë se ekrani flet, fëmija nuk flet; ai bëhet pasiv. Ndonjëherë prindërit nuk janë të vetëdijshëm, ndërsa në raste të tjera ata nuk dinë si ta menaxhojnë apo zëvendësojnë kohën para ekranit, kështu që i lënë fëmijët para telefonit". Programi “BE për Kuj desin Social” ofron shërbime në terren për grupet e cenueshme, përfshirë fëmijët, gratë, si dhe komunitetet rome dhe egjiptiane. Ai mbështet shërbime të tilla si edukimi i nënave, kontrollet e mirëqenies së fëmijëve, mbështetje psikologjike, referimet profesionale për gratë, udhëzimet për ndihmë ligjore dhe programe zhvillimore për fëmijët.

EU4SocialCare Cerrik

 

Informacion plotësues

Programi “BE për Kujdesin Social” financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNICEF Albaniadhe World Vision, në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë.

Ky projekt prej 3.1 milionë eurosh mbështet 14 bashki gjatë 36 muajve, për të krijuar dhe zgjeruar shërbimet e kujdesit social që trajtojnë nevojat dhe të drejtat e grupeve të cenueshme, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, gratë në rrezik dhe të rinjtë në situata të vështira. Programi pritet të arrijë 6.000 familje në rrezik, të fusë praktika të reja, si dhe të ofrojë trajnime dhe këshillim të përshtatur për rreth 350 profesionistë të kujdesit social dhe punonjës të vijës së parë. Të gjitha aktivitetet janë hartuar për t'iu përgjigjur kërkesave të vendit për integrimin në BE.