Takimi i 13-të i Grupit të Posaçëm për RAP-në, 21 tetor 2025

Më 21 tetor 2025 u zhvillua takimi i 13-të i Grupit të Posaçëm për Reformën e Administratës Publike mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Takimi u bashkëkryesua nga znj. Sigrid Brettel, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore të Komisionit Evropian, dhe znj. Adea Pirdeni, Ministre Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Pjesëmarrësit diskutuan mbi zhvillimet dhe sfidat kryesore që lidhen me zbatimin e reformës së administratës publike, duke përfshirë kuadrin strategjik, shërbimin publik dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, menaxhimin e financave publike, zhvillimin dhe koordinimin e politikave, llogaridhënien dhe ofrimin e shërbimeve.

Komisioni përshëndeti progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën e saj të anëtarësimit në BE, nëpërmjet hapjes së pesë nga gjashtë grup-kapitujt negociues që nga takimi i mëparshëm. Komisioni theksoi nevojën për të ruajtur progres të qëndrueshëm në çuarjen përpara të reformave të BE-së. Ai nënvizoi se progresi me grup-kapitullin e themeloreve, përfshirë edhe në fushën e reformës së administratës publike (RAP), do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave të anëtarësimit, si dhe theksoi përfitimet nga reforma për qytetarët dhe bizneset. Këtu përfshihet zbatimi i vazhdueshëm i Udhërrëfyesit të RAP-së, miratuar nga autoritetet në vitin 2023. Komisioni theksoi se kapaciteti i administratës publike për të hartuar, monitoruar dhe zbatuar politikat që lidhen me BE-në do të luajë një rol vendimtar në fazat aktuale dhe të ardhshme të negociatave të anëtarësimit.

Kur bëhet fjalë për kuadrin strategjik, Komisioni përshëndeti miratimin së fundi të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2024-2030 dhe Strategjisë Ndërsektoriale RAP 2025-2030. Komisioni vlerësoi pozitivisht vazhdimin e drejtimit të qartë politik për agjendën e RAP-së nga Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Komisioni inkurajoi autoritetet të përparojnë me punën për zbatimin efektiv të tyre. Ai theksoi gjithashtu nevojën për hapa të tjerë për të përmirësuar proceset e monitorimit dhe raportimit.

Lidhur me shërbimin publik dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, Komisioni theksoi rëndësinë e garantimit që administrata publike të pajiset me kapacitetin dhe strukturat e duhura për të mbështetur procesin e anëtarësimit në BE dhe për të qenë e gatshme të zbatojë acquis e BE-së që nga momenti i anëtarësimit. Komisioni përshëndeti hapat e ndërmarrë për finalizimin e ardhshëm të ndryshimeve në Ligjin e Shërbimit Civil dhe përsëriti rëndësinë e garantimit që gjithë rekrutimet, ngritjet në detyrë dhe shkarkimet të jenë të bazuara në meritë dhe transparente. Komisioni vuri në dukje finalizimin e strategjisë gjithëpërfshirëse kombëtare të pagave, duke përfshirë shtrirjen e saj tek administratorët vendorë dhe i inkurajoi autoritetet të përmirësojnë përpjekjet për profesionalizimin e shërbimit civil.

Në fushën e menaxhimit të financave publike, Komisioni përshëndeti miratimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027. Ai ngriti çështjen e rishikimeve të buxhetit të bëra kryesisht përmes akteve normative. Komisioni përshëndeti përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar më tej transparencën fiskale dhe qeverisjen fiskale, dhe rikujtoi nevojën për të krijuar një organ mbikëqyrës fiskal të pavarur.

Lidhur me zhvillimin dhe koordinimin e politikave, Komisioni përsëriti nevojën për të forcuar kapacitetin administrativ për hartimin e politikave të bazuar në prova dhe zhvillimin legjislativ, edhe në funksion të përgatitjes, miratimit dhe shqyrtimit të akteve ligjore që lidhen me anëtarësimin në BE. Ai theksoi rëndësinë e rritjes së përdorimit dhe përmirësimit të cilësisë së vlerësimeve të ndikimit rregullator dhe konsultimeve publike, si dhe zgjerimin e zbatimit të këtyre dy proceseve në legjislacionin dytësor.

Në fushën e llogaridhënies, Komisioni përshëndeti hapat e ndërmarrë për rregullimin e kritereve për krijimin e organeve të varura dhe për sqarimin e linjave të llogaridhënies përmes ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore. Ai inkurajoi autoritetet të ecin përpara me miratimin dhe zbatimin e mëvonshëm konsistent. Komisioni përshëndeti miratimin nga Shqipëria të Ligjit të ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave. Më tej Komisioni bëri thirrje për masa shtesë për të rritur transparencën dhe për të përmirësuar qasjen në informacion.

Së fundmi, në lidhje me ofrimin e shërbimeve, Komisioni përshëndeti miratimin e Kornizës Kombëtare të Ndërveprimit në përputhje me Kornizën më të fundit Evropiane të Ndërveprimit dhe zbatimin e vazhdueshëm të agjendës digjitale 2022-2026. Ai pranoi progresin e bërë me digjitalizimin e shërbimeve publike. Ai theksoi se garantimi i qasjes së barabartë për gjithë qytetarët dhe bizneset mbetet një përparësi kyçe. Komisioni përshëndeti përpjekjet për të ulur barrën administrative, duke iu referuar ligjeve të veçanta që ende kanë nevojë të harmonizohen me Kodin e Procedurave Administrative.

Qeveria e Shqipërisë përsëriti angazhimin e saj të vazhdueshëm për të vazhduar progresin në të gjitha këto fusha kyçe, duke zbatuar dhe monitoruar vazhdimisht agjendën e RAP-së dhe duke garantuar shkallën e nevojshme të drejtimit politik, si një moment shumë i rëndësishëm drejt përmbushjes së detyrimeve të BE-së për anëtarësim të plotë.