Terapi në shtëpi, fëmijët me autizëm kanë tani një qendër për shërbimet e aftësisë së kufizuar në qytetin e tyre
Kur i biri e thirri për herë të parë Fabiolën “mam”, ai ishte 10 vjeç. Megjithatë, ishte dita e saj më e lumtur që nga lindja e Alesios. Ajo e kishte pritur për më shumë se 8 vjet atë çast. Si foshnjë, ai ishte i këndshëm dhe i qetë, por pas 20 muajsh, ajo priste me dëshpërim që ai ta shihte në sy dhe të dëgjonte zërin e tij. Alesio u diagnostikua me autizëm kur ishte më shumë se dy vjeç. Nëna e tij nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për autizmin.
“Në fillim, nuk e dija se çfarë ishte autizmi. Pastaj ishte e vështirë ta pranoja. Është e vështirë për çdo prind ta pranojë dhe t’i përgjigjet pyetjes: Pse im bir nuk më vështron? Por më pas kupton se e vetmja mënyrë për t’ia dalë sa të mundësh, është ta pranosh fëmijën tënd dhe të kujdesesh për të çdo ditë e me çdo mënyrë”, thotë Fabiola Komici. Jeta në Prrenjas, një bashki në lindje të Shqipërisë, e bëri gjithçka edhe më të vështirë, si për të ashtu edhe për djalin e saj.
“Askush nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për autizmin, ndaj nuk kishte asnjë qendër për fëmijët me autizëm dhe asnjë kujdes të veçantë. Për 4 vjet, udhëtoja pothuajse çdo muaj në Tiranë dhe qëndroja atje për dy javë, në mënyrë që Alesio të mund të ndiqte terapitë. Ai bënte 4 orë terapi në ditë për dy javë dhe pastaj ktheheshim në Prrenjas për të udhëtuar sërish muajin tjetër. Më duhej të punoja me të në shtëpi, t’i mësoja sjelljet, t'ia përsërisja dhe të tregoja durim për çdo moment të keq që kalonim. Nuk ishte e lehtë, ende nuk është, por kjo ishte e vetmja mënyrë”, kujton Fabiola.
Në atë kohë, për të udhëtuar nga Prrenjasi në Tiranë duheshin më shumë se 3 orë me makinë, shumë gjatë për fëmijë me nevoja të veçanta. Pas Tiranës, për disa kohë ndoqën terapitë në Elbasan, më pas në Librazhd, duke shkuar në qytetet më të afërta që hapnin qendra për autizmin pranë Prrenjasit dhe vetëm vitin e kaluar, në qytetin e tyre u hap Qendra Komunitare për shërbimet e aftësisë së kufizuar që ofronte logopedi dhe fizioterapi.
Financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga World Vision Albania, Qendra Komunitare ka psikologë, logopedë, punonjës socialë dhe fizioterapistë që ndihmojnë fëmijët dhe të rinjtë me nevoja të veçanta, me autizëm, me sindromën Down etj. Mjediset ndodhen pranë spitalit të qytetit, por Qendra ka edhe një njësi të lëvizshme, e cila viziton fëmijët me nevoja të veçanta në shtëpitë e tyre në fshatrat e Prrenjasit.
“67 fëmijë nga 2 deri në 18 vjeç marrin terapi në Qendrën Komunitare në Prrenjas, duke përfshirë tri njësi administrative si Strava, Rrajca dhe Quksi. Një herë në javë fëmijët vijnë në Qendër dhe javën tjetër ne udhëtojmë drejt shtëpive të tyre. Disa prej tyre janë në zona të largëta, ndaj përpiqemi të krijojmë një balancë për ta. Ne punojmë me terapi zhvillimore, fizioterapi dhe logopedi”, shpjegon Adelina Kokonozi, punonjëse sociale në Qendrën Komunitare për shërbimet e aftësisë së kufizuar në Prrenjas.
Nuk ka trajtime standarde për çrregullimin e spektrit të autizmit, por terapitë tregojnë mundësi për të maksimizuar aftësitë e njerëzve me autizëm. Diagnoza dhe ndërhyrjet e hershme kanë më shumë gjasa të tregojnë ndryshime pozitive për njerëzit me këtë gjendje të përjetshme. “Fëmijët nën tre vjeç kanë përmirësime pas 3-6 muajsh terapi, por në rastet mbi 16 vjeç është më e vështirë të kemi rezultate, ndaj përpiqemi t’u mësojmë bazat”, vëren Kokonozi.
Që nga hapja e Qendrës Komunitare për shërbimet e aftësisë së kufizuar vitin e kaluar, shumëçka ka ndryshuar për qytetin e vogël, së pari, duke ndihmuar në ndërgjegjësimin për personat me nevoja të veçanta dhe duke i bërë ata të dukshëm. Fëmijët me nevoja të veçanta dhe prindërit e tyre takohen me njëri-tjetrin në Qendrën Komunitare, ku flasin dhe diskutojnë për sfidat e tyre.
EU Delegation to Albania
“Periudha më e vështirë për mua dhe djalin tim ka kaluar. Isha vetëm dhe ndihesha e vetmuar në atë kohë. Unë thjesht e merrja përdore dhe shkoja atje ku duhej. Jam e lumtur që tani kemi Qendrën Komunitare këtu. Do të ndihmojë prindërit, që ashtu si unë vite më parë, ndihen të vetmuar, sepse jetojnë në një zonë të largët, sepse janë të varfër, nuk kanë informacion apo nuk dinë se ku të pyesin. Qendra ndihmon edhe për ndërgjegjësimin dhe unë e ndjej diferencën nga viti i kaluar deri tani, kur ecim nëpër qytet”, pohon Fabiola, nëna e Alesios.
Pas 12 vitesh udhëtimesh me djalin e saj në qytetet më të afërta që ofronin terapi, këshilla e saj për çdo prind që ka fëmijë me autizëm është: terapi, terapi, terapi dhe shkollim.
“Djali im tani është 14 vjeç. I pëlqen të dëgjojë muzikë dhe të luajë në kitarë. Ai ende nuk mund të flasë si unë, por ka ndryshuar shumë që nga hera e parë që Alesio shkoi në terapi. Në atë kohë, ai nuk e njihte veten apo mua. Ai e dinte që kishim një lidhje, por nuk e kuptonte dot nocionin e nënës. Tani Alesio e di se kush është mami dhe më vështron. Ai e di se çfarë do të thotë baba dhe vëlla, më thërret mua ose babain e tij dhe ndonjëherë kjo është shumë”, thotë Fabiola duke pranuar nevojën për të pasur forcë dhe durim.
Autizmi nuk zgjedh, por ne mund të zgjedhim mënyrën se si mund të ndihmojmë për ndryshimin e këndvështrimeve për njerëzit që po përpiqen ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet.
INFORMACION PLOTËSUES
Qendra Komunitare për shërbimet e aftësisë së kufizuar është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga World Vision Albania në bashkëpunim me Bashkinë e Prrenjasit, në Prrenjas. Qëllimi është t'u ofrohen fëmijëve me nevoja të veçanta mundësi për të realizuar potencialin e tyre të plotë. Ata tani kanë mundësinë të marrin shërbime të integruara të specializuara në shtëpi, nëpërmjet një njësie të lëvizshme specialistësh, shërbim të integruar të specializuar në një qendër komunitare dhe shërbime të integruara të specializuara dhe praktika arsimore gjithëpërfshirëse në shkolla nëpërmjet njësive të trajnuara të lëvizshme dhe qendrës komunitare të specialistëve, mësuesve mbështetës dhe stafit psikosocial në shkolla. Fëmijët/të rinjtë me aftësi të kufizuara mbështeten në nevojat e tyre të veçanta, duke përfshirë mjete të posaçme didaktike, ushqime dhe materiale higjienike ose pajisje speciale.