Thirrje për aplikime: deri në 500 bashki nga i gjithë Ballkani Perëndimor do të përfitojnë WiFi publik falas si pjesë e Planit të Rritjes së BE-së

Duke filluar nga sot, bashkitë në Ballkanin Perëndimor mund të aplikojnë për të përfituar nga nisma WiFi4WB (Wi-Fi për Ballkanin Perëndimor), e cila do të ofrojë hotspote Wi-Fi falas për deri në 500 bashki në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Pikat e aksesit Wi-Fi do të instalohen në hapësira publike si sheshe, parqe, biblioteka, muze dhe shkolla, duke ofruar akses falas dhe të qëndrueshëm në internet për banorët dhe vizitorët.
Bashkitë pjesëmarrëse do të marrin mbështetje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë furnizimin dhe instalimin e pajisjeve Wi-Fi, shërbimin e internetit dhe mirëmbajtjen. Në këmbim, bashkive u kërkohet të angazhohen për ruajtjen e shërbimit përtej periudhës fillestare të financimit, duke siguruar qëndrueshmëri dhe ndikim afatgjatë.
Thirrja publike është e hapur për të gjitha bashkitë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, dhe aplikimet duhen paraqitur nga kryetari i bashkisë, një zyrtar i punësuar nga bashkia ose një anëtar i këshillit bashkiak.
Wifi4WB është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe e vë theksit te transformimi digjital si një shtytës kyç për integrimin rajonal. Programi synon të kapërcejë ndarjen digjitale, të nxisë mundësitë ekonomike dhe të fuqizojë komunitetet vendore duke siguruar qasje universale në internet.
WiFi4WB është pjesë e EU4Digital Action, financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ). Frymëzuar nga nisma e suksesshme WiFi4EU, e cila ofroi Wi-Fi falas për gati 9.000 bashki në të gjithë Evropën, WiFi4WB e shtrin këtë vizion në Ballkanin Perëndimor, duke i pajisur bashkitë me mjetet për të përmirësuar infrastrukturën digjitale dhe për të pasuruar jetën e banorëve dhe vizitorëve.
Afati i fundit për aplikim: 28.04.2025
Për më shumë informacion se si të aplikoni dhe të merrni pjesë në WiFi4WB, vizitoni: wifi4wb.eu